E Shtunë, 31 Tetor 2026

Linda: Jeta si bashkëshortja e Edi Ramës

Nga Iva Tiço

Një veshje e thjeshtë bardhezi, këmishë e pantallona, syzet e zeza mbi flokë dhe ecja vajzërore në majë të gishtave, nuk tërheqin vëmendjen e askujt nga ato pak tavolina të mbushura në pjesën e kafenesë të Bukëve dhe ëmbëlsirave franceze, në orar dreke. Diskrete kështu e kanë përcaktuar të gjithë ata që e njohin, pak apo shumë, gjatë asaj jave të vetme të dhjetorit, kur brenda tri ditëve, nga një personazh i panjohur, Linda Rama u gjend në të gjitha faqet e para të gazetave e revistave, në emisione lajmesh apo biseda studiosh televizive. Për një javë të tërë, ajo dhe historia e saj me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, njëkohësisht kreun e opozitës, qe në gojën e të gjithëve, ndonëse ajo pranoi të shfaqej në një intervistë të vetme, në studion e Top Story-t. Sigurisht që ato ditë kërkesat ishin të panumërta. Përderisa gazetarët intervistonin që nga organizatorët e dasmës e deri tek analistët, nuk kishte si të mungonin përpjekjet për të intervistuar protagonistët Kështu, pas disa rekomandimesh të njohurish të përbashkët, lidhem në telefon me Linda Ramën, vetëm një ditë përpara dasmës. Duket mjaft e dashur dhe miqësore, është dakord të dalë në kopertinën e revistës JETA, por e lëmë të flasim pas dasmës për detajet, për intervistën dhe fotot Pas konsumit mediatik të fotove të dasmës, nuk ia vlen më të merremi me histori me nuse e dhëndër. Ia vlen që të kalojë edhe ca kohë përpara se Linda të dalë në një kopertinë reviste Në sms- të e shkëmbyera për urimet e Vitit të Ri vijojmë të kujtojmë premtimin e një kopertinë që do bëjmë Deri në fund të shkurtit, kur duket se është çasti i duhur: katër muaj larg asaj bujës së fundtetorit dhe tre të tjera larg datës së zgjedhjeve. Nuk ka fare lidhje me zgjedhjet! E pse duhet të jem unë në kopertinë gjatë fushatës?!, pyet Linda, ndërsa i shpjegoj që në atë periudhë kërkesat e gazetarëve priten të jenë po aq këmbëngulëse sa gjatë javës së dasmës. Prandaj është më mirë tani, thotë ajo, duke zgjedhur të shfaqet pikërisht në këtë kohë, kur jo vetëm fushata zyrtare nuk ka nisur, por edhe kur bashkëshorti i saj nuk është shprehur publikisht nëse do jetë ai apo jo kandidati për Bashkinë e Tiranës. Zgjedh pra, të shfaqet, por pa u lidhur domosdoshmërisht me datën e zgjedhjeve. Në të njëjtën mënyrë siç e kishte paralajmëruar në të vetmen intervistë televizive, se do të qëndronte në krah të të shoqit, por pa u marrë mirëfilli me politikë. Duke ruajtur atë tipar, me të cilin e kanë përcaktuar të gjithë ata që e njohin: diskrete.
Për vite me radhë keni ruajtur një profil të ulët publik, duke mos u shfaqur në media, ndonëse shumë pedagogë apo aktorë të shoqërisë civile, si ju, janë shndërruar në protagonistë. (Shumë kolegë të mi e patën të vështirë të gjenin foto apo filmime tuajat). Pse kjo zgjedhje?
Pikërisht për një dëshirë, një zgjedhje të bërë herët, edhe me vetëdijen se të qenit protagonist në jetën që na u dha mundësia e mrekullueshme të jetojmë, nuk lidhet kurrsesi domosdoshmërisht me shfaqjen në media. Kam respekt për protagonistët që njohim përmes medias. Por, kam njohur në vetë të parë apo përmes librave, plot protagonistë që nuk i ka kapur syri i medias. Protagonistë të jetës, si një mundësi për të qenë të dobishëm për të tjerët, jashtë kamerave, larg lajmit të ditës, matanë horizontit të vëmendjes mediatike.
Si bëhet kjo?
Ska as receta e as hierarki të vendosshme në këtë aspekt. Secili bën zgjedhjen e vet të respektueshme. Fjala vjen, duke drejtuar matanë periferisë së vëmendjes mediatike një projekt që lidhet me komunitetin rom, je vetiu një protagonist për ata që skanë zë dhe shpeshherë as figurë në perceptimin kolektiv, jo më në media. Po për një studiues të angazhuar, për dikë që, si unë, lexon e shkruan me dëshirën që të jetë i dobishëm për të tjerë, kjo është sfida e zgjedhur. Nuk jam e vetmja që kam bërë këtë zgjedhje, madje guxoj tju them se ndjehem në distancë higjienike të sigurt nga mjedisi i rrëmujshëm i protagonizmit të ditës, kur gjendem mes të ngjashmish, të cilët në heshtjen e tyre flasin me gjuhën e të dobishmes, që spërbën lajm.
Çdo të thotë për një njeri, që ka ruajtur të tillë profil, të gjendet befas në të gjitha edicionet e lajmeve dhe faqet e para të gazetave?
Kapërcimi për disa ditë, nga zona e heshtjes, në faqet e para të gazetave, ishte diçka e pashmangshme në kushtet kur zgjodha të lidh jetën time me një njeri, që për shkak të angazhimit të tij politik me publikun, gjendet në faqet e para. E drejtë e padiskutueshme e medias për të informuar publikun, duke qëmtuar nga afër zgjedhjen e tij, jo timen në fakt, dhe e drejta e publikut për tu informuar nga media mbi atë që u bë gruaja e Edi Ramës. Por kaq! Pak ditë nën reflektorët e fortë, thuajse verbues, e pastaj gati bezdisës të skenës, pastaj një vijim i natyrshëm i jetës në distancë me atë skenë ku im shoq gjendet përditë, sepse ka zgjedhur të jetë protagonist në arenën politike. Ndërkohë që unë kam zgjedhur atë që Edi është përtej këtij protagonizmi, njeriun e panjohur për shumëkënd, por shumë të dashur për mua.
Por, edhe pse pak ditë nën këta reflektorë të fortë, tashmë anonimati ka humbur njëherë e përgjithmonë. Si e përjetoni këtë ndryshim, të qenit nën vëzhgim?
Shpresoj të mos kem ndryshuar unë, pavarësisht ndryshimit të jetës sime nga një jetë si të gjitha jetët e pavëzhguara të qytetit tonë, në një jetë të vëzhguar nga i gjithë qyteti. Por sdo të isha plotësisht e hapur me ju, nëse sdo tju thosha se, gjithsesi, edhe për mua diçka ka ndryshuar shumë. Konkretisht, qoftë pse dashamirësit e Edit, jo të paktë në këtë qytet, hera-herës më ndalojnë, duke më përcjellë ngrohtësi, apo qoftë pse, megjithëse shumë më të pakta, nuk mungojnë rastet kur ndjehem keq për rezonancën e fjalëve keqdashëse ndaj tij. Megjithatë, smund ta fsheh se humbja e anonimatit ka shtuar energjinë pozitive që më rrethon në kontaktet me njerëzit.
A ndjeni mall për kohën kur ishit më e shkujdesur?
Jo. Mbase sepse me natyrën që kam nuk kam qenë asnjëherë e pavëmendshme ndaj mjedisit ku jetoj dhe njerëzve të njohur apo të panjohur përreth.
Përsa u takon të njohurve, për shkak të karrierës suaj, si në administratën shtetërore, ashtu dhe në shoqërinë civile, duhet të keni miq si kampin e socialistëve, ashtu dhe të demokratëve. Si kanë ndryshuar këto raporte pasi lidhjes suaj me Edi Ramën?
Asnjë lloj ndryshimi. Madje, dua të theksoj që kjo nuk është vetëm për meritën time, por edhe për meritë të miqve e të të njohurve të mi. Në dasmën tonë na nderuan të gjithë me praninë e tyre dhe u ndjeva e ndjehem mirë, për faktin që njohja dhe miqësia e ndërtuar prej vitesh me demokratë të vërtetë të tillë nuk është cenuar aspak nga lidhja ime me Edi Ramën. Ashtu sikundër asgjë nuk ka ndryshuar në shoqërinë time me miq e të njohur socialistë, për shkak të faktit se unë jam gruaja e Edi Ramës. Ata kanë qenë e do mbeten njësoj për mua dhe unë për ta kam qenë e do jem thjesht Linda.
Por ama Linda, që prej pak muajve njihet me një tjetër mbiemër, Rama. Sa ua ka ndryshuar jetën ky mbiemër?
Unë nuk kam ndryshuar emrin, vetëm mbiemrin. Pra, jam po ajo, Linda që kam qenë. Që kujdeset për fëmijët, për prindërit, për motrën e vëllanë. E njëjta Linda, që preokupohet për çdo gjë që nuk shkon mirë për një mik, shok a shoqe apo të njohur dhe i gëzohet çdo të mire që atyre u ndodh. Po ajo Linda, pjesë e shoqërisë civile dhe jetës universitare, ndjekëse e pasionuar e zhvillimeve ek

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›