Petrit Bylykbashi: Nuk kam dashuruar kurrë, me Getin e Tingulli 3NT nuk kam asgjë

Djaloshi nga Kosova rrëfen ndjenjat për Klodin dhe dëshirën për t’u lidhur me të në një të ardhme të afërt. Pyetjes se a është bërë pishman që fyeu Ermelën, ai i përgjigjet: “Asaj femre duhet t’i kisha thënë shumë më tepër”.
Ai mbahet mend sidomos për sherrin që bëri me Ermelën, të cilën edhe e ofendoi rëndë. Megjithatë, nuk i vjen keq për asgjë nga ato që ka lënë pas, madje shprehet, se Ermela një nga konkurrentet më të forta në BB dhe që ai druhet se mund të rezultojë edhe fituesja e BB4; meritonte shumë më tepër sesa i ka thënë. Por si do shkojë historia e tij me Klodin?! Kësaj pyetjeje Petriti nuk di t’i japë përgjigje, por shprehet se ndjenjat e tij ndaj saj vijojnë të jenë të njëjta edhe pse ai ende nuk e di, se ajo që ndjen është dashuri, duke qenë se siç thotë edhe vetë “nuk ka dashuruar kurrë”. Për djaloshin e gjatë nga Kosova, fituesja e çmimit të madh duhet të jetë Alma, megjithëse asaj i duhet të kalojë me sukses rrezikun e eliminimit, pikërisht mbrëmjen e sotme, pasi është në përballje me çiftin Neda-Ogren.
Si kaloi java e parë jashtë shtëpisë më të famshme në Shqipëri?
E them vetëm me një fjalë: Stres. Nuk po mundem të përshtatem me gjumin, as me komentet e njerëzve në rrugë që po më ngarkojnë psiqikisht.
Pse, nuk janë komente pozitive?
Jo, janë shumë pozitive dhe të këndshme, por çdo person që kalon përpara meje jep ndonjë koment, buzëqeshje, gjë që të krijon një lloj presioni. Megjithatë po i marr me buzëqeshje.
Po në Kosovë të kanë ndjekur shumë?
Po, padyshim që po. Por ka një dallim, sepse shumë prej të rinjve në Prishtinë më njohin që më parë, ndryshe nga këtu.
A e ke parë BB përmes ekranit këto ditë?
Nuk kam pasur kohë në fakt. E kam parë shumë pak. Me aq sa kam parë, ruaj të njëjtat mendime siç i kam pasur brenda shtëpisë.
Cili mendon se do të arrijë në finale, ose le të themi në dyshen e fundit?
Fatkeqësisht, mendoj se do shkojë Ermela. Është një lojë e fëlliqët nga ana e saj, por publiku po e pëlqen.
Ti je shprehur, se nuk je bërë aspak pishman në lidhje me fjalët e rënda që i the Ermelës, gjatë atij debatit të famshëm për dyshekun...
A të them të drejtën? Nuk i kam thënë asgjë nga ato që ajo meritonte t’i thosha. Ajo donte shumë më tepër. Duheshin marrë masa edhe fizike madje. Jo me sjellje fizike, por t’ia ktheja në mënyrën sesi ajo u soll me mua.
Po tani që je jashtë shtëpisë, a ke pasur ndonjë përballje me Ervinin? Si ka reaguar ai, duke qenë se është i dashuri i Ermelës?
Jam takuar me Ervinin. Me të e kam pasur muhabetin shumë mirë dhe prapë shkoj shumë mirë, edhe tani jashtë BB. Unë problemet që kam pasur me Ermelën i kam me atë, jo me Ervinin, ai nuk ka ndërhyrë aspak.
Ervini është bërë personazh akoma më i njohur këto ditë, pasi ka publikuar disa foto nudo në një të përjavshme. Ke dëgjuar për këtë?
I pashë fotot e tij. (Qesh)
Do përpiqesh edhe ti ta shfrytëzosh famën që të dhuroi ky spektakël?
Gjithmonë më ka pëlqyer më shumë puna pas kamerave, sesa para kamerave. Publiciteti nuk është aspak i keq, përkundrazi është i mirëseardhur edhe pse duhet të them, se punën prapa kamerave e bëj me më shumë kënaqësi.
Petrit, njerëzit në rrugë, kur të shohin me Klodin fillojnë të aludojnë, se ju të dy jeni bashkë si një çift tashmë. Ti ndjenjat ndaj saj i ke shprehur që kur ishe në shtëpi, por duam të dimë, nëse janë zbehur apo forcuar këto ndjenja?
Ndjenjat vijojnë të jenë të njëjta.
Është përfolur shumë në shtyp, që në momentin kur ti je futur në BB, se në Kosovë ke pasur një lidhje romantike. Si qëndron e vërteta e kësaj historie?
S’është aspak e vërtet kjo gjë.
Kemi parë në profilin tënd në FB foto dhe komente me një vajzë të quajtur Arta, për të cilën aludohet se ti ke qenë i lidhur. A mund të na e sqarosh këtë marrëdhënie?
Gazetarët kanë konsideruar një lidhje dashurore timen me një person, që unë e kam shumë të afërt. E kam shoqe Artën, e kam mike prej të paktën 10 vitesh. Jam aq i lidhur me atë, saqë nëse nuk i them asaj “Të dua”, kujt tjetër mund t’ia them?!
Si i deklarohet një shoqeje kaq hapur dashuria, me shprehje të tipit “Të Dua”, të puth shumë etj?
Unë i them asaj “Të dua” në mënyrë shoqërore, jo si një çift që është i lidhur në romancë. Edhe ajo vetë ka folur në media, duke pohuar se ne jemi veç miq me njëri-tjetrin.
Ka bërë jo pak bujë në shtyp edhe një deklaratë jotja, ku thoshe se Getoar Selimi i Tingulli 3NT nuk është aspak reper i mirë dhe se të dashurën e tij e ke pasur ti më parë.
Nuk kam asnjë gjë personale me Getin. Habitem si e keni vënë re me kaq imtësi këtë bisedë. Mua s’më pëlqen muzika që bën Getoari, asgjë më tepër. Ndërkohë, atë femër që Geti e ka të dashur, e kam pasur unë shumë kohë më parë.
A është kjo një mburrje mes meshkujsh, që një vajzë e ka pasur dikush më parë?
Jo, nuk ka lidhje me mburrjen. Unë jam ndarë me të prej shumë kohësh dhe pas një periudhe të gjatë, kur unë kisha shkëputur çdo raport, ajo ka nisur një lidhje me Getoarin. Kaq.
Mendon se me Klodin mund të ketë zhvillime të tjera, tanimë që të dy keni dalë nga BB?
Nuk e di, nuk mendoj dot gjë në lidhje me këtë. A do të më pëlqente? Sigurisht që po.
Duke qenë se jemi te lidhjet, a ka qenë Petriti ndonjëherë i dashuruar pas një femre?
Jo, nuk kam qenë. Ndoshta femrat, me të cilat kam qenë i lidhur, nuk më kanë bërë kaq shumë për vete.
Po ndjenjave që ke për Klodin, mund t’u vësh emrin dashuri?
Nuk them që është dashuri, sepse nuk kam dashuruar kurrë më parë ndaj nuk mund të jem i sigurt, por di që ajo më pëlqen me të vërtetë shumë.
Cili person do kishe dëshirë ta fitonte këtë edicion të BB?
Do kisha shumë dëshirë të fitonte Alma, por të kalojë njëherë nominimin e sotëm.
A mund të jesh vetvetja në një reality-show si Big Brother?
Varet nga personaliteti i çdo banori. Unë kam qenë në çdo moment vetvetja. Madje kishin dalë edhe fjalë, që unë isha i vetmi person që nuk e ka ndjerë fare prezencën e kamerave.
Petrit, a ke marrë ti nga BB më tepër sesa prisje? A ishte çmimi i madh qëllimi yt kryesor?
Nuk kam thënë asnjëherë, që synimi im ka qenë çmimi i madh prej 100 milionë lekësh. Synimi im ka qenë të futesha brenda në shtëpi, për të qenë sa më afër me popullin shqiptar. Por them, se veç këtyre kam fituar edhe një ndjenjë, që nuk e kam pasur më përpara.
Pse nuk e ke thënë në BB që kishe marrë pjesë të klipi i Jehonës dhe Besa Kokëdhimës?
Nuk më është dukur e arsyeshme që t’i jap rëndësi vetes, për shkak të një roli që kam bërë në një klip, apo për shkak të njohjeve me persona të rëndësishëm që kam në jetën jashtë BB.
Algenin p.sh, e kemi dëgjuar të flasë për njohjet e tij me personazhe VIP.
Algeni është personazh tjetër, unë jam tjetër.
Së fundmi, nëse do të të ofrohej mundësia të qëndroje në Tiranë, do ta lije Prishtinën?
Po, Tirana më pëlqen shumë, më tepër se Prishtina. Nëse me ofrohet puna e duhur, pse jo?