E Shtunë, 31 Tetor 2026

2300 vjet/ Letra e Lumturisë

Çfarë është lumturia?

Një psikolog do të përgjgjet: Është një emocion, një ndjenjë, është kërkimi i një gjendjeje mirëqënie emotive. Teologu do ta prezantojë në linjë të plotë me misionin e tij shpirtëror e fetar: Vizioni ndaj Zotit. Një politikan do ta analizojë si një vlerë të ligjëruar në kushtetutë. Biologu e konsideron vlerësimin e një nevojshmërie biologjike individuale. Për ekonomistin është koncepti bazë i lindjes së ekonomisë moderne. Shkrimtari do t`ia kërkojë frymëzimit të tij, ndërsa lexuesi e citon nga rreshtat e autorëve të preferuar.

Lumturi do të thotë: të jesh, të presësh, të kesh, të ndërtosh, të zotërosh, të arrish e përkufizuar në fjalorët e gjuhëve të botës si ajo ndjenjë pozitive e shpirtit, ku kënaqen të gjitha dëshirat. Lumturia ishte, është, do të vijë. Lumturia është kohore ashtu si vetë jeta. Lumturia është e paqëndrueshme e paqartë (Omnis instabilis et incerta felicitas est)- thotë Seneka.

“Ndjehem i lumtur” -tha dikush, ndërsa të gjithë rreth tij reaguan ndryshe; dikush i tundi kokën për të thënë se nuk do zgjasë shumë; një tjetër me kurajo i pohoi vetes se ai nuk ishte, por dikur kish qenë; të tjerë u kujtuan të pyesin se a ndjehen të lumtur?

Deklarata Universale e Virgjinias më 1776 e proklamon lumturinë një të drejtë humane universale. Ekonomistët të frymëzuar nga psikologët e sociologët e kthyen në objekt të shkencës së tyre dhe manuale të përbashkëta lumturie mbushën e mbushin rafte librarish.

Shoqëria e sotme e konsumit dhe e teknologisë konfeksionon modele lumturie, që vështirësisht e identifikojnë veten. Kërkojmë lumturinë e asaj ç’ka të tjerët ofrojnë për ne dhe harrojmë ç’ka ne duam t’i ofrojmë vetes.

“Ndjehem i lumtur”- tha dikush, duke treguar se pas vitesh kish mundur të pijë një gotë verë me babanë e tij.

“Ndjehem i lumtur”- pohoi një tjetër, duke treguar fotografinë e djalit mbyllur në xhepin e një portofoli; “Ndjehem i lumtur”-u dëgjua thirrja e dikujt, duke lexuar emrin e tij mbi reklamat e rrugëve;

“Ndjehem i lumtur”, shkruante mbi një letër dashuria e parë;

“Ndjehem i lumtur”, shprehnin sytë e një pacienti pas mbarimit të operacionit;

“Ndjehem i lumtur”, e lista nuk do kish fund; “Ndjehem i lumtur” – e rëndësishme është se të dish të ndjehesh.

Lumturia është një kërkim i vazhdueshëm ndaj vetes, një studim personal i të qënit “unë”.

Në këtë botë të mbingarkuar në gjithçka, të ngatërrruar nga ne vetë, kuptimi filozofik antik i filozofisë nuk ka humbur aktualitetin e tij. Na e mëson filozofi grek Epikurio (341 p.e.s -271 p.e.s) themeluesi i shkollës më të madhe filozofike helenistike e romane, si dhe krijuesi i doktrinës së Epikuerizmit. Mbi 2300 vjet më parë ai na ofroi guidën drejt rrugës së lumturisë e mbi të cilën prej shekujsh teorizohen politika sociale, ekonomike, humane.  Është letra drejtuar Menekeo-s e njohur si “Letra e lumturisë” e ku përballon temat kryesore të filozofisë së tij etike por dhe metafizike, siç është vdekja.

Letra e lumturisë

Filozofi grek Epikuri i shkruan Menekeo-s

Menekeo

Kurrë nuk je shumë i ri ose shumë i vjetër për të njohur lumturinë. Në çfarëdo moshe është bukur t’i kushtohesh mirëqënies së shpirtit tënd. Kush mendon, se akoma nuk ka ardhur momenti për t’ju dedikuar gjetjes së saj apo ndoshta është tepër vonë, është sikur të thoshte se ende nuk është momenti për të qënë i lumtur apo se tashmë i ka kaluar mosha. E pra si në rini dhe në pleqëri është e drejtë, që ne t’i dedikohemi njohjes së lumturisë. Kjo bëhet, për t’u ndjerë gjithmonë të rinj kur do kemi shumë vite mbi kurriz, falë kujtimit të një lumturie të shkuar dhe në rini, të forcuar nën petkun e saj në gatishmëri për të mos iu frikësuar së ardhmes. Le të përpiqemi atëherë të njohim gjërat që bëjnë lumturinë, pasi kur është ajo, ne kemi gjithcka, në të kundërt bëjmë gjithçka për ta zotëruar. Praktiko e medito gjërat që gjithmonë të kam rekomanduar: janë thelbësore për një jetë të lumtur.

Para së gjithash konsidero të përjetshme e të lumtur thelbin e materies hyjnore, siç sugjeron kuptimi natyror i hyjnisë. Mos i atribo hyjnisë asgjë, që është e ndryshme nga jetësorja, o e kundërt nga gjithçka që është e lumtur, shiko gjithmonë tek ajo gjendjen jetësore të lidhur me lumturinë. Perënditë ekzistojnë e kjo është e qartë për të gjithë, por jo ashtu siç besojnë njerëzit e zakonshëm, gjë që ka çuar te tradhëtimi i kuptimit të natyrshëm të saj. Prandaj nuk është jofetare kush refuzon besimin popullor, por kush i atribuon hyjnisë gjykimet popullore. Këto vlerësime, që nuk arsyetojnë kuptimet e trashëguara, natyrore, janë opinione false. Sipas mënyrës se si i mendojmë perënditë, mund të na vijnë nga to vuajtjet më të mëdha, por dhe të mirat më të mrekullueshme. Por ne e dimë se perënditë janë perfeksionisht të lumtura, rinjohin llojet e ngjashme me to e kush nuk është i tillë, e konsiderojnë të huaj.

Të mësuar duke menduar se vdekja nuk është asgjë për ne, nga momenti kur gëzimi e vuajtja janë së bashku pjesë e ndjenjës, vdekja nuk gjë tjetër, veçse mungesa e ndjenjës. Ndërgjegja e saktë se vdekja nuk nënkupton asgjë për ne, bën të këndshëm vdekjen e jetës, pa kurthin e kohës së pafundme shtyrë nga dëshira për përjetësi. Nuk ka asgjë të tmerrshme në jetë për atë që vërtet di, se nuk ka pse t’i frikësohet mbarimit të jetës. Prandaj është marrëzi pretendimi i kujtdo që thotë, se ka frikë nga vdekja, jo sepse ardhja e saj do ta bëjë të vuajë, por sepse pritja e tij do të marrë fund. Ajo ç’ka është e pranishme nuk na turbullon, vetëm pritja na bën të çmendemi. Vdekja, e keqja më e madhe e të gjitha të këqijave, nuk ekziston për ne. Kur ne jetojmë vdekja nuk është aty, kur ajo është, ne nuk jemi. Nuk është asgjë as për të gjallët e as për të vdekurit. Për të gjallët nuk është e të vdekurit nuk janë më. Ndërsa njerëzit i largohen vdekjes si e keqja më e madhe, apo e kërkojnë si pushim të të këqija që po jetojnë, njeriut që është vërtet i urtë nuk i vjen keq të jetojë, ashtu siç nuk ka frikë të mos jetojë më. Jeta për të nuk është një e keqe dhe as fundi i jetës së tij nuk është gjithashtu e keqe. e saj. Ashtu siç zgjedhim më të mirin tek ushqimi e jo sasinë, ashtu dhe tek koha duhet të zgjedhim jo sa e gjatë është, por sa e ëmbël është.

Kush këshillon që i riu të jetojë mirë e i vjetri të vdesë mirë, është qesharak jo vetëm nga fakti se ëmbëlsia është gjithmonë në jetë dhe kur je i vjetër, por dhe për mendimin e njëjtë të një jete të bukur e të një vdekje të bukur. Akoma më keq kush thotë: më mirë të mos kisha lindur fare, apo të shkoj sa më shpejt drejt vdekjes. Kur është kaq i bindur pse nuk  ikën nga kjo botë? Askush nuk e ndalon, në qoftë se është vërtetë dëshira e tij. Fakti është, se e thotë veç për të shprehur se është më mirë të ndryshojmë argument.

Të kujtojmë gjithashtu, se e ardhmja nuk është e gjitha e jona, por as tërësisht jo e jona. Ne nuk mund të presim të vijë e vërteta absolute, por as të dëshpërohemi për të kundërtën. Gjithashtu përsa i përket dëshirave duhet të kemi parasysh, se vetëm disa prej tyre janë natyrale, të tjerat janë të kota e midis natyraleve vetëm disa janë vërtët të nevojshme. Por midis të nevojshmeve disa janë thelbësore për lumturinë, të tjera për mirëqenien fizike, të tjerat për vetë jetën. Një njohuri e plotë e dëshirave drejton çdo zgjedhje o refuzim drejt mirëqenies së trupit e qetësisë së shpirtit, pasi kjo është detyra e jetës së lumtur. Ndaj saj ne kryejmë çdo aksion me qëllimin e largimit nga vuajtja e ankthi. Kur arrihet kjo, çdo stuhi e brendshme merr fund, pasi organizmi ynë vital nuk ka nevojë për asgjë tjetër, veç mirësinë e shpirtit dhe trupit.

Në fakt provojmë nevojën e kënaqësisë, kur vuajmë për mungesën e saj. Kurse kur nuk vuajmë, nuk kemi nevojë. Prandaj ne konsiderojmë kënaqësinë si principin e fundit të jetës së lumtur, pasi e kemi njohur mirë më parë. Asaj i frymëzohemi për çdo akt zgjedhje o refuzimi, o zgjedhim çdo të mirë në bazë të ndjenjave të kënaqësisë e dhimbjes.

 E mira është parësore dhe e natyrshme prandaj dhe nuk zgjedhim çdo kënaqësi. Herë vlen të lësh disa prej tyre që sjellin më shumë keq se sa mirë, e të gjykosh disa vuajtje si të preferueshme nga kënaqësitë e se një kënaqësi më të madhe mund ta provojmë pasi të kemi duruar për një kohë të gjatë. Çdo kënaqësi pra është e mirë për natyrën e saj intime, por ne nuk i zgjedhim të gjitha. Në të njëjtën mënyrë çdo dhimbje është e keqe, por jo nga të gjitha largohemi. Duhet gjykuar njëra dhe tjetra në bazë të konsideratave të vlefshme e të dëmshme. Disa herë eksperimentojmë, se e mira shfaqet për ne një e keqe dhe e keqja një e mirë. Konsiderojmë gjithashtu diçka të madhe pavarësinë ndaj nevojave , jo sepse  duam të kënaqemi gjithmonë me pak, por për t’u kënaqur nga kjo pak, kur na ndodh të mos kemi shumë, të bindur se bollëku gëzohet më me ëmbëlsi kur nuk varemi nga ai. Në fund të fundit ajo ç’ka vërtet na duhet nuk është e vështirë për t’u gjetur, ndërsa e panevojshmja është e vështirë. Shijet e thjeshta japin të njëjtën kënaqësi me ato të rafinuarat, uji e një copë bukë janë kënaqësia e plotë për atë që i mungon. Të dish të jetosh me pak sjell jo vetëm shëndet , por na dhuron lirinë për të kuptuar nevojat e jetës. Gjithashtu bën të vlerësosh kur me intervale të qëllon një ekzistencë jete e pasur, apo të jesh indiferent ndaj lojës së fatit. Pra kur themi se e mira është kënaqësi, nuk kuptojmë thjeshtë kënaqësinë për t’u kënaqur, siç besojnë disa, që injorojnë mendimin tonë, që e kundërshtojnë, apo e interpretojnë keq, por do të thotë sa e ndihmojmë trupin për të mos vuajtur e shpirtin për të qenë i qetë. Prandaj banketet, festat, argëtimet me vajza e gra, peshqit e mirë e gjithçka tjetër, që ofron një tavolinë e pasur, nuk bëjnë ëmbëlsinë e një jetë të lumtur, por është shqyrtimi i kulluar i çdo zgjedhje apo refuzimi me qëllime false, ato që i shkaktojnë shpirtit vuajtje të madhe.

 Nga e gjitha kjo, principi dhe mirësia supreme është inteligjenca e gjërave, prandaj dhe kjo lloj inteligjence vlerësohet në filozofi dhe është nëna e të gjitha virtyteve të tjera. Kjo na ndihmon të kuptojmë, se nuk ka një jetë të lumtur, pa një jetë inteligjente, të bukur dhe të drejtë, as nuk ka një jetë inteligjente, të bukur e të drejtë të privuar nga lumturia, pasi virtytet janë të lidhur natyrshëm me lumturinë e të pandarë me të. Kush ngjall më shumë admirim sesa ai, që ka një opinion korrekt e të respektueshëm ndaj perëndive, që s’ka frikë nga vdekja, me një koshiencë të qartë ndaj sensit të natyrës, që mendon se gjithçka e mirë që duhet, është lehtësisht e arritshme, se të këqijat që shfaqen zgjasin pak e kur zgjasin shumë do të thotë se janë të durueshme?

 Ky lloj njeriu di, se është i kotë opinion, se fakti është padron i gjithçkaje, siç bëjnë disa, sepse gjërat ndodhin për nevojë, ose për arbitraritet të fatit, ose për arbitraritetin tonë.

Nevojshmëria është e papërgjegjshëm, fati i paqëndrueshëm, ndërsa arbitrariteti është i lirë, për këtë mund të meritojë faj apo lavdërim. Në vend që të jesh skllav i fatit të fizikantëve, është më mirë t’i besosh tregimeve të perëndive, që të paktën ofrojnë shpresën për t’u qetësuar në lutje, kundrejt nevojës mizore e të papërkulshme. Fati për një të mençur nuk është perëndia si për masën- hyjnia nuk bën asgjë rastësisht e për pasojë nuk privon asgjë. Mos beso se ajo i jep njerëzve të mira, ose të këqija për një jetë të lumtur, por di se mund të ofrojë fillimin e të mirave apo këqijave të mëdha.

 Është më mirë të jesh pa fat por i mençur sesa me fat e qesharak. Në praktikë është më i preferuar një projekt i bukur i parealizuar, sesa një projekt i çmendur.

Medito ditë e natë këto gjëra me vete e me këdo tjetër, që ngjan me ty e kurrë nuk mos ji pre i ankthit. Do jetosh si një zot mes burrash.

Nuk duhet as i vdekshëm njeriu, që jeton midis të mirave të pavdekshme.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›