Linda Rama, zero përgjigje për korrupsionin
Bashkëshortja e Edi Ramës u mobilizua shumë që të justifikojë pasurinë e saj, por dha Zero përgjigje për pallatin, zero përgjigje për bashkëpunimin me Kosta Barjabën e zero përgjigje për huanë 100 milionëve. Përfshirja e familjarëve në skemën e pasurimit ishte një tallje për publikun dhe një konfirmim i rrezikut që paraqet për shqiptarët alternativa e çiftit mashtrues “Rama”
Linda Basha (Rama), e ftuar në një emision në Top Story për të dhënë përgjigje për një sërë akuzazh në ngarkim të saj, u mjaftua të jepte zero përgjigje. Bashkëshortja e Edi Ramës ishte mobilizuar mjaft të paraqitej e sigurtë përballë kamerës, por përveç falenderimeve të herëpashershme ndaj familjarëve të saj, a thua se kishte dalë pas marrjes së çmimit Oskar, e jo si e akuzuar për korrupsion e për konflikt interesi, ajo nuk ktheu asnjë përgjigje. Në vend që t’i jepte darovitje mjegullës së jetës së saj, ajo në të vërtetë shtoi më shumë misterin. Në pyetjen e parë për bashkëpunimin me Kosta Barjabën, Linda Basha u detyrua të mohonte për tre herë partneritetin, “nuk mbaj mend, të kem bashkëpunuar me të në rrugë institucionale”, por me pas u shpreh se në vitin 2002 kisthe punuar së bashku në hartimin e një raporti. Dy mohime dhe jo tre bëjnë një pohim, po si duket kanë bashkëpunuar shumë në hartime raportesh. Ndërsa e pyetur rreth pallatit në pronës së familjes së saj, Linda Basha, bashkëshortja e Ramës, deklaroi se nuk është pallat 5 katësh, por një “shtëpi” banimi 2 katësh, ndërsa më pas u korrigjua në një “shtëpi” 3 katëshe dhe një papafingo. Këto deklarata janë në kundërshtim me realitetin faktik të pallatit të mermertë, ku dukshëm janë 4 kate dhe një kat nëntokë. Linda Basha theksoi se ky investim ndërtimi është bërë me kursime emigrantësh (të padeklaruara asgjëkundi), ndërsa në të vërtetë pronarët e saj zyrtarë me letra janë një pensionist (xhaxhai, Hasan Basha) dhe një buxhetor (i vëllai), Fatmiri. Bashkëshortja e Ramës vuri në dukje se në vitin 2004 “babai dhe xhaxhai i saj bënë kërkesë në Bashki, pra ishin dy familje që kërkonin leje ndërtimi”. Madje Linda Basha (Rama) mbërriti deri tek papërgjegjësia e talljes, teksa “zbuloi” se familja e saj votonte PD, pasi sipas Hasanit (që e mori më vonë lejen nga Rama), “I gjati (Rama) s’na jep leje, po ne e bëjmë në KKRT, se e kemi tonën”. Asnjë përgjigje për shkeljen e ligjit të urbanistikës në marrjen e lejes së ndërtimit, për të cilën personalisht Edi Rama i hipi buldozerit për të prishur kioskat në lulishten mes pallateve, në dhjetor të 2005-s, pak përpara se të krijoheshin kushtet për dhënien e lejes së ndërtimit. Linda Basha ishte e bindur se s’njihej me Edi Ramën në atë kohë, megjithëse kur erdhi puna për të folur për kohën se kur kjo lidhje ishte bërë “lidhje”, ajo s’qe në gjendje të shpallte asnjë afat, por tha se ishte e shtrirë në disa vite.
Edhe më tallëse ishte ligjërata lidhur me 100 milionët në deklaratën e saj të pasurisë në ILDKP. Bashkëshortja e Edi Ramës shpjegoi se këto para ia ka dhënë borxh së motrës. “I kam dhene motres si tironse qe jemi 70 mije euro pa interes qe bejne 10 mln lek te vjetra”, theksoi Linda Basha. Këto 70 mijë euro nuk dalin asgjëkundi të llogaritura, por kjo s’përbën kurrfarë problemi për bashkëshorten e Ramës, e cila tha se ishte e vendosur që të vazhdonte aktivitetin e saj, ashtu siç kishte bërë deri më sot, edhe në rast se Edi Rama do të bëhet kryeministër. Pra, do të vijohet biznesi, pallate të tjera do të mbijnë kudo për familjarët e saj e ndoshta edhe biznese më të mëdha e më kombëtare, pasi posti kombëtar kërkon biznese kombëtare. Këto biznese kombëtare do të lindin, ashtu siç po lind pasuria e Edi Ramës, nga “libri Kurban’. Tallja me të ardhurat nga libri dhe me ndërtimin e kështjellës së tyre në periferi të kryeqytetit ishte edhe apogjeu i një ligjërate të pështirë që burracaku Edi Rama kishte dërguar gruan që ta shqiptonte në televizion. Edhe pse Linda shfaqej shpeshherë si një viktimë e makutërisë për pushtet të të shoqit të saj të dytë, shpejt atmosfera bëhej e qartë e dukej sheshit se Linda ishte komplet e involvuar në këtë ëndërr, në ëndrrën për pushtet që ka si stacion pallatin e 2005-s, bashkëpunimin me Barjabën e që do të kërkojë edhe pushtetin më 2013-n. Përveç një ligjërate tallëse, rreziku u shfaq hapur për t’i ngritur një gidë kësaj klike që po kërkon të marrë peng Shqipërinë përmes uzurpimit me mashtrime të funksionit të kryeministrit. Por shyqyr që loja ishte e lexueshme dhe zero përgjigjet ishin një ndihmë e madhe për publikun që të dallojë çiftin mashtrues që kishte dalë për makiazh politik tek Top Channel.
Pse nuk del burimi i 100 milionëve të Linda Bashës?
Thagma më e madhe e intervistës së mbrëmshme të bashkëshortes së Edi Ramës ishte ajo lidhur me huanë pa interes prej 100 milionë lekësh që Linda Basha u tha se ka dhënë (dhe jo marrë). Duke e marrë të mirëqenë se kjo e dhënë është raportuar tek pjesa konfidenciale e deklaratës dorëzuar në ILDKP, s’jepet asnjë e dhënë për burimin e 100 milionëve. Deklarata “lekët janë nga kursimet e mia” ishte paciptësia e pastër e deklaratave të mbrëmshme. Deklarata evazive ishte një përpjekje e fundit për të thënë se s’ka nevojë për gjurmët e kursimeve, e as për gjurmë bankare a tatimore, pasi ato ishin “kursime”. Deklarata e mbrëmshme fshehu burimin e 100 milionëve, për të cilat Linda Bashës do t’i duhet të shpikë aktivitete të tjera ekonomike në një shtojcë të re deklarimi për të justifikuar 100 milionët. Ngjan e vështirë të ketë mundësi ligjore për këtë korrigjim, mundësinë e korrigjimit në publik e humbi, kështu që duket se shpjegimet e reja duhet të jepen në organe më të specializuara për çështje hetimore.