Lindita Theodhori: Tre meshkujt e jetës sime
Mbrëmjeve e shikon pothuajse gjithmonë të kapur për dore me të shoqin. Të dy të gjatë, ndërsa ajo me një elegancë për ta pasur zili. E nxirë nga plazhi, me flokë të gjatë të zeza, të shtrira kujdesshëm. Po kaq e kujdesshme është edhe veshja. Taka të larta dhe minifund është veshja më e zakonshme. Duket se zgjedhja është enkas për të treguar trupin e bukur, por edhe këmbët, ku nuk duket absolutisht celuliti. Forma është e përkryer, por edhe një fizik jo shumë i zakonshëm për dikë që mosha e fëmijëve është 30 dhe 25 vjeç. Mosha duket se nuk e ka prekur aspak Lindita Theodhorin. Ajo ka emigruar pothuajse në të gjithë Shqipërinë dhe Europën, por tani ka zgjedhur të jetojë në Vlorë. Vajza nga Fieri është e dashuruar me detin dhe për këtë arsye nuk e ndërron me asgjë tjetër.
Largimi
“Kam qëndruar 17 vjet larg Shqipërisë. Fillimisht në Greqi dhe Angli. Arsyet nuk qenë të miat, por u diktuan nga ambienti. Largimi ishte për arsye nga më të ndryshmet, por një prej tyre edhe meraku për dy djemtë. Para vitit 1997, djemtë ishin më të vegjël dhe familja jonë prej katër personash vendosi të largohet fillimisht drejt Greqisë”,- tregon Lindita. Nga Korça, ku ata jetonin kaluan kufirin dhe u vendosën në Greqi. Momentin e parë artistja e quan gati skandaloz, “por unë isha nga ato që thyen tabutë,”- thotë ajo. “Në kohën kur shqiptarët kishin që kishin frikë të flisnin shqip, hapa në Pire një lokal. U përpoqa fillimisht nëpërmjet ambasadës sonë shqiptare dhe ministrisë greke ku të hapja një ambient me muzikë për shqiptarët, por askush nuk më ndihmoi dhe unë vendosa ta hap vetë në bashkëpunim me një grek. Thashë e shumta që do të më bëjnë është të më kthejnë në Shqipëri, se çdo më bënin tjetër. Do më kthenin mbrapsht grekët se unë këndoja për shqiptarët? E kam ndjenjën e patriotizmit. Pastaj tre katër muaj më pas, shqiptarët në një farë mënyrë e mbyllën vetë, pasi u grindën dhe policia e mbylli lokalin ku unë këndoja. Pjesën kryesore të programit unë e mbajta vetë. Pastaj u vendosëm në një lokal tjetër në qendër të Athinës, pranë Omonia-s, por edhe aty na e mbyllën. Ishte e kotë që të hapja diçka të tillë”, tregon artistja. Në këtë moment ajo e kuptoi që nuk mund të rrinte më në Greqi dhe vendosi emigrimin në Angli, ku u vendos në Londër.
“Nga kënga jam shkëputur vetëm për pak kohë. Kam filluar të këndoj që 6 vjeç. Unë pa bukë rri, pa këngë nuk rri. Kështu që nuk mund ta kuptoja as në këtë ambient një ndarje nga kënga. Në Londër, po e njëjta gjë. Eksperiencë e keqe në lokale. Sërish një sherr mes klientëve dhe pak a shumë u përsëriten të njëjtat skena. Ajo ka qenë hera e fundit që unë këndoja në një lokal. Nuk marr pjesë në festa të tilla, nuk këndoj asnjëherë më në lokale. Ishte vetëm një eksperiencë disamujore që nuk përsëritet më. Nuk dua t’i kujtoj. Më kanë ftuar në Amerikë, e në ndonjë festë tjetër të vitit të ri, apo edhe këtu, por unë në festa të tilla nuk shkoj për të kënduar. Pas tentativave që bëra te lokalet, ishte më pas një periudhë dedikimi tërësisht për familjen, burrin, çunat, sidomos këta të fundit që ata të bëheshin të mirë. Me mish e me shpirt për gjithçka. Vjet në janar jam shkëputur për të ardhur në Shqipëri. Detyrimet nuk janë të mbaruara. Por thashë që ka ardhur koha të merresha me veten time. Djemtë janë sot 30 dhe 25 vjeç”, tregon Lindita Theodhori.
Momente të spikatur
Teksa pyet për momente të veçanta ajo të shkëput dy, ato me djemtë. Lindita thotë se i madhi këndon shumë bukur, por vetëm në Greqi këndoi me të. Për skenën mund të tregojë shumë por një moment nuk mund ta harroj asnjë herë. Teksa e pyet për moment të veçantë në skenë, ajo të thotë se të këqija brenda skene nuk i ka ndodhur asnjëherë, por veçon një moment që tregon se nuk ka për ta harruar kurrë. “Djali i madh, Marseli, gjeti rastin kur unë do të jepja një koncert Live tek salla e teatrit të Vlorës, Petro Marko. Më bëri një nga surprizat më të bukura. Ai u ngjit në skenë dhe tha: Linda të kam shoqe, të kam motër, të kam mami dhe jam shumë krenar që ti je këtu. Jemi të gjithë krenarë si familje, sepse kështu na ke bërë ti. Por unë jam edhe shumë krenar edhe për popullin e Vlorës që ka ardhur sonte të të nderojë ty dhe besoj se sot do të kalojmë një natë të paharrueshme. Momentalisht nuk e prisja sepse nga natyra jam emocionale...”,- tregon Lindita. Një tjetër moment i paharrueshëm i ka ardhur nga djali i vogël Devis Kris. Ai ishte në Londër dhe më pa me satelit në një nga kanalet ku ishte e ftuar. Djali e mori në telefon dhe i tha: Të përgjërohem mos u largo më nga skena, se na ke bërë shumë krenarë! “Ma ka thënë 10 herë rresht me zërin që i dridhej. Nuk të kisha parë asnjëherë në skenë, të lutem dukeshe shumë mirë atje dhe mos u largo më prej saj. Më ka mbetur në mendje shprehja e tij”, pohon me mall këngëtarja.
Rruga e këngës
Një jetë e kaluar duke marrë “çmimin e dytë”
Që në vitin 1989 Lindita nuk këndonte për publikun. Kur e pyet për këngën ajo tregon se ka nisur që në festivalet e pionierëve, madje në një kohë kur ishte “fatose”. “Thuajse të gjitha aktivitetet që zhvilloheshin në Fier në atë kohë i kam prekur me zërin tim. Pastaj kur shkova në liceun “Jordan Misja”, në festivalin e dytë të liceut mora çmim të parë, vazhdova më pas me anketat muzikore, në estradën e ushtarit, në festivalin e ushtarit që fitova çmim të dytë, estradën e shtetit dhe pastaj ishte Festivali i 11-të”,- thotë Lindita. Kur flet për Festivalin e 11-të, ajo ndalet pak. “Ndodhi një çudi, tregon. Unë isha 100 pikë para çmimit të parë. Isha pa mbushur 17 vjeç në atë kohë, dhe fituesi i vendit të parë doli vetëm një pikë para meje. Votonin të gjitha juritë e rretheve, ku deri në një votim të tillë unë isha në krye dhe juria e Tiranës, i dha pastaj Toninit çmimin. Megjithatë publiku më pëlqeu. Sikur u bë për mua ai festival”.
Nuk e quan pikën e parë të suksesit, por ai ishte një bum i paparë, “pasi ai festival nuk qe i zakonshëm, dhe unë si tepër e suksesshme në festival, mora të tjera përmasa”. Qe një sukses i magjishëm. Fakti që ajo këngë edhe sot është një motiv shumë i dashur për të rinjtë, e bën të ndihem shumë mirë. “Këtu në Vlorë, pak kohë më parë, më bëjnë një ditë një pyetje një nënë dhe një çupë dhe më thonë ajo ishte një kafe “Flora”, apo një kafe Vlora (për titullin e këngës), se nuk e kuptojmë dot. Dhe unë i thashë ajo ishte kafe “Flora”, por ti me dhe një ide të mirë, sot më duhet ta quaj kafe “Vlora”, ose ta përpunoj për një motiv këtë”,- thotë Lindita. Pas Festivalit të 11-të, prezantimi vijoji në çdo festival, në çdo aktivitet që ishte i rëndësishëm. Në vitin 1986 u bë Artiste e Merituar. Po në këtë vit mori çmimin e parë si interpretuese. “Këtë herë bëra përjashtim, pasi mora çmim të parë. Unë gjithmonë zakonisht merrja vetëm çmime të dyta”,- thotë ajo dhe nis të qeshë me të madhe.
Njohja me të shoqin dhe jeta në Korçë
“Menjëherë sa mbarova shkollën shkova në Korçë. Kur mbarova institutin, menjëherë u punësova në Korçë. Mbrojta diplomën dhe më pas dola në jetë”,- thotë këngëtarja. Teksa e pyet për njohjen me të shoqin, çifti shihet në sy dhe Lindita duke qeshur thotë, “jemi dashuruar”. “Kam qenë në vit të parë në universitet, kur jemi parë. Në fillim të vitit të dytë folëm me njëri-tjetrin. Na çoi shkolla në aksion, në Elbasan. Maqo, ishte inxhinier në TEC-in e Metalurgjikut”, nis të tregojë Lindita. Por Maqoja ndërhyn dhe duke qeshur thotë se e ka parë shumë kohë më parë. “Gjithsesi këtë vit që më foli, vijon Lindita, bënim disa aktivitete dhe Maqo më ndiqte dhe më njohu nga afër. Ishte një propozim shumë modern pasi për 15 ditë ne u fejuam. Edhe unë e kisha parë dhe e njihja. Ishte ndër djemtë më të bukur atëherë në Tiranë dhe djemtë e bukur binin në sy”, thotë ajo me buzën në gaz. Ajo ka ende përshtypje të jashtëzakonshme për Korçën. “Një qytet i rrallë me shumë traditë ku jetohej shumë mirë. Në Korçë ka një aristokraci që mua më pëlqen, është në natyrën time. Fillim pak i vështirë se unë isha “jabanxheshkë” dhe korçarët me jabanxhinjtë nuk i kanë punët mirë, por kur të njohin më pas fillojnë të të duan”,- tregon ajo. Por jeta në Korçë nuk ka qenë aspak e lehtë për të. Ajo kishte dy djemtë e vegjël, ndërsa i shoqi, Maqo ndodhej larg. E vetme në shtëpi ajo duhej të kujdesej për shumë gjëra dhe në anën tjetër duhet të rriste djemtë.
Rikthimi në Shqipëri dhe spektaklet e këngës
Pas emigracionit ajo iu rikthye këngës ku mori pjesë në spektaklin e parë në vitin 2006. “Unë isha dhe në juri. Këndova një këngë të Ardit Gjebresë. Momenti i parë i ngjitjes në skenë, kujtoj se u ndjeva si në përrallë dhe ribëra dhe “Kafe Flora”. Pastaj u nisa sërish në Londër për t’u rikthyer në janarin e 2007. Në janar të 2007 bëra një këngë në Maqedoni dhe videoklipin e bëra në “kuzum baba” dhe para Universitetit të Vlorës. Ishte realizim shumë i bukur. Kënga ishte “Thuaj të Dua”. Pastaj kam marrë pjesë në tre emisione, por njerëzve u bëri shumë përshtypje eleganca, madje pata komplimente për të dhe për zërin”,- tregon Lindita. Ajo ka marrë pjesë edhe në shumë emisione të tjera si dhe koncerte recitale, por ende i vjen për të qeshur për shpërblimet e marra. “Pjesa e shpërblimeve për mua është akoma një primitivitet. Është niveli 0. Të vjen dhe të qeshësh dhe të qash. Janë akoma në epokën jep art dhe mos merr. Kur mbaron pastaj çdo gjë, thonë se nuk e prisnim të dilje kaq mirë”,- tregon ajo.
REPERTORI
Këndoj të gjitha, serenata të reja dhe të përpunuara me një koncert modern. Këngë popullore korçare, vlonjate dhe fierake, këngë greke dhe angleze. Ndihem mirë edhe te populloret, edhe te këngët e tjera, por ndihem shumë mirë te muzika moderne
JETA
Unë bëj një jetë të kontrolluar. Nuk abuzoj, ha ushqimin që duhet, bëj gjimnastike, por e parë me atë sy, këto nuk më duken të mjaftueshme. Më duket vetja e privilegjuar. E para që jam artiste dhe e dyta që jam në këtë formë, por edhe shpirtin e madh
PARAQITJA
Të jesh e bukur është mirë. Të jesh me një zë të bukur është mirë. Por t’i kesh të dyja është privilegj. Nuk ta tregon moshën, por të tregon muskulin. “Shikoje, thotë, dhe te unë nuk gjen celulit se ka muskuj”. Lindita në të gjitha festat, ka pjatën më të vogël
USHQIMI
“Asnjëherë ushqimin nuk e kam parë si gjënë më të mirë në jetë. I ha të tëra dhe nga pak”,- thotë ajo. Kur e pyet për ushqim të vetmet që nuk ha, fasulet dhe bizelet. “Thjesht nuk më pëlqen”. Më shumë i pëlqen një pjatë makarona
AKSESORËT
Parfumin e preferuar.. nuk ta thotë se nuk do të ndihet në femrat e tjera. Kur kaloj dua të mbaj erë Lindita.
Gardërobë e mbizotëruar nga të shkurtrat dhe pantallonat. Sidomos xhinset. Flokët kanë shumë rëndësi. Thonjtë kanë shumë rëndësi, por edhe këpucët. Kur e pyet për këpucët. Mbi 100 palë, është përgjigja, të gjitha me takë të lartë. Por në Londër janë të tjera. Me taka të sheshta më duket sikur ecën mbrapsht, nuk i vesh kurrë...
ANA TJETËR
Me Maqon nuk jemi kapur ndonjëherë për krahu. Gjithë jetën jemi kapur për dore. Jam përkëdhelur kudo, jam përkëdhelur nga meshkujt e shtëpisë, dhe më përkëdheli dhe fati më në fund që më solli në Vlorë. Maqo më thotë se ti edhe kur qan përkëdhelesh. Qaj shumë, edhe më vjen keq. Qaj edhe për një film. Prekem shpejt. Unë shikoj filmin që qaj, thjesht si fabul. Përjetoj historinë e personazhit.
Xhelozia e të dashurave të djemve për nënën me paraqitjen e mrekullueshme
Momenti më i vështirë, vdekja e nënës
Në skenë pohon se nuk ka pasur asnjë moment që është ndjerë keq, por në jetë po. “Më vdiq mamaja kur kam qenë në një moshë të re, por prapë fati më përkëdheli, pasi më fejoi me Maqon, vetëm pak kohë pas kësaj. Kemi pasur një marrëdhënie të shkëlqyer dhe kam qenë tërë kohës e përkëdhelur. Madje u bënte dhe përshtypje. Zamira Kita, dikur i kërkonte të shoqit të shikonin çiftin tjetër. Dhe përgjigja erdhi “Epo një Maqo ishte në tërë Korçën, edhe atë e mori Lindita...”. Kur e pyet se sa e përkëdhelur është në shtëpi, Maqo ndërhyn dhe thotë se përkëdhelet si një bebe, aq sa ndonjëherë para gjumit i tregohen edhe përralla. Djemtë më përkëdhelin shumë, thotë Lindita, aq sa bëhen xhelozë dhe të dashurat...”. Tregon se një ditë i biri, Marseli e shpuri në një PUB në Londër. “Vishu bukur, me minifund dhe me makinë më çoi në PUB. Kur hymë aty në një kolltuk rrumbullak, ulur vajza të bukura, të njohura të djalit dhe kur më panë me çunin, nuk ma varën shumë. Asnjëra nuk më foli. Por kur prezantimi iu bë, kjo është mamaja ime, nuk u fsheh habia dhe më ulën menjëherë në mes tyre”,- rrëfen këngëtarja.
Pse një zgjedhje në Vlorë
“Vlorën e zgjodhëm familjarisht, se të gjithë e pëlqejmë detin. Por sa më shumë rrimë në Vlorë, aq më shumë na pëlqen. Dhe dashurohemi me të. Unë kam shëtitur në shumë vende. Por Vlora është shumë e bukur. Fat që kam marrë shtëpinë dhe afër detit. Është privilegj. Unë fle me dallgët e detit dhe zgjohem me to. Tani i lutem zotit, shëndet vetëm shëndet, që ta shijoj këtë mrekulli. Edhe kur zgjohem ndonjëherë natën, unë shkoj dhe shikoj detin. Nuk mund të rri tani pa parë detin, kaltërsinë e tij, të cilën e kam ngado që rrotullohem për në shtëpi, perëndimin, por edhe dritat e natës që ndriçojnë mbi të”,- tregon Lindita. Ajo të thotë dhe opinionin e saj për vlonjatët. “Të them të drejtën, mua vlonjatët më duan. Nuk flas për autoritetet dhe institucionet, nuk jam në marrëdhënie pune, por njerëzit e thjeshtë. Unë e them këtë se njerëzit më duan, më flasin, ndihem rehat. Më shprehin konsideratë dhe dashuri. Nuk e di se nuk jam në marrëdhënie pune të di si do ishte, por kështu marrëdhënia është shumë e mirë. Është fat i jashtëzakonshëm që unë të bëj pjesën tjetër të jetës në Vlorë, dhe kjo jetë do të jetë shumë e gjatë”,- thotë ajo dhe nis të qeshë. Natyrisht tregon se ka adhurues që i kanë kërkuar edhe autografe. Fansa të bezdisur jo, por autografe po. Shumë fotografi ka bërë me kërkesën e tyre kur e shikojnë në rrugë, sidomos nga të rinj dhe të reja. “Dhe m’u bë shumë qejfi se kisha dëshirë të ishin të rinjtë, që të më njihnin”,- thotë Lindita.