E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ulqini i librit shqip

 

Është çelur në qytetin e Ulqinit edicioni i 8-të i panairit të librit ku pjesëmarrëse janërreth 50 shtëpi botuese nga Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Kosova. Të ftuar ishin ministrat e arsimit të Shqipërisë dhe Malit të Zi, përkatësisht Genc Pollo dhe Sreten Shkuletiç që kanë prerë shiritin e hapjes së panairit.

Gëzim Hajdinaga, kryetar i Komunës së Ulqinit, një nga organziatorët e panairit së bashku me Ministrinë e Pakicave Etnike të Malit të Zi dhe Shoqatën e Botuesve Shqiptarë, në fjalën e tij përshëndetëse është shprehur se ky aktivitet kulturor i dy vendeve fqinj është kthyer në traditë për këtë zonë dhe është përfshirë në materialet promovuese të qytetit të Ulqinit, si zonë turistike që tërheq mjaft pushues e vizitorë në këtë stinë, nga e gjithë bota. Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Genc Pollo, theksoi marrëdhëniet e mira që ekzistojnë mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, dhe se aktivitete të tilla janë të mirëpritura pasi në këtë mënyrë zhvillohet dija dhe kultura. Ministri Pollo gjithashtu, përmendi nënshkrimin e afërt të marrëveshjes mes Ministrisë së Arsimit shqiptar dhe asaj malazeze për bashkëpunimet në botimet shkencore.

I ftuar nderi ishte shkrimtari dhe akademiku kosovar Rexhep Qosja. Në prononcimin e tij për mediat, Qosja ka vlerësuar si pozitiv organizimin e këtij panairi të përvitshëm, i cili është dhe një prezantim i shtëpive botuese shqiptare kudo që ndodhen përpara lexuesve e pushuesve të shumtë. Qosja i është përgjigjur dhe pyetjes lidhur me zvarritjen që po ibëhet njohjes së shtetit kosovar nga vende ku ka pakica shqiptare si Mali i Zi apo Maqedonia, duke theksuar se tashmë shteti më i ri i Evropës është njohur nga vendet europiane, dhe sigurisht që edhe vendet e rajonit, nuk do të kenë rrugë tjetër përveç njohjes së pavarësisë. Panairi ilibrit në Ulqin qëndron i hapur për 3 ditë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›