Pushtet i fortë, pushtet i butë
Fushata zgjedhore e kandidatit demokrat Barack Obama shënoi të enjten një nga momentet e saj më të bujshme me fjalimin të senatorit nga Illinois në Berlin të Gjermanisë.
Kandidati demokrat u prit si një yll i muzikës rok. Me mijëra gjermanë kishin dalë në shesh, për ta parë e për ta dëgjuar. Qindra u shtynë vetëm që t’i preknin pak dorën ndërsa ai kalonte i buzëqeshur mes turmës që thërriste emrin e tij. Analistët vunë në dukje se ky ishte një kontrast i madh me pamjet nga vizitat e presidentit Bush në këtë vend, ku turma të tilla kishin dalë me parulla kundër Amerikës. Sheshi ku foli Obama ishte mbushur me flamuj amerikanë që valëviteshin. Kritikët e Obama-s thonë se ai është tepër i butë me diktatorët që rrezikojnë sot sigurinë në botë, por përkrahësit e tij thonë se ai do të revolucionarizojë imazhin e Amerikës, duke kthyer simbolin frymëzues që ajo ka përfaqësuar gjithmonë në botë.
Beteja mes dy kandidatëve për president këtë vit në SHBA, mund të shihet edhe si përplasje mes dy vizionesh, si përplasje mes atyre që në teorinë e marrëdhënieve ndërkombëtare njihen si “pushtet i fortë” dhe “pushtet i butë”.
Në vitin 1990, Joseph Nye, një profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Harvardit, përdori për herë të parë termin “pushtet i butë” (soft power” për të përshkruar aftësinë e një organizmi apo një të shteti, për të ndikuar sjelljen dhe interesat e organizmave apo shteteve të tjera jo me forcën e armëve, por me kulturën, ideologjinë dhe imazhin e tij.
Ai e zhvilloi këtë koncept në librin “Lindur për të udhëhequr: Ndryshimi i natyrës së pushtetit amerikan”, ku tregonte se superioriteti ushtarak mund të mos mjaftojë si për shembull në rastin e Vietnamit, por mund të bëjë çudira si në rastin e rrëzimit të komunizmit në gjithë botën.
Si çdo teori tjetër edhe kjo ka pasur përkrahësit dhe kundërshtarët e saj entuziastë dhe debati për të i ka kaluar me kohë kufijtë e botës akademike dhe është bërë pjesë e luftës politike, sidomos këtu në SHBA. Një rast i qartë konkret i këtij debati është konkurrimi politik mes senatorëve John McCain dhe Barack Obama për postin e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Përkrahësit e kandidatit republikan këmbëngulin në përvojën e jashtëzakonshme të McCain-it në çështjet e sigurisë dhe të politikës së jashtme.
Obama, gjatë fushatës së tij ka thënë se është gati të takohet me diktatorë si Ahmedinexhadi e Hugo Çavez qysh në vitin e parë të presidencës së tij pa qenë nevoja që ata të plotësojnë ndonjë parakusht.
Senatori nga Illinois nuk ka asgjë në historinë e jetës së tij që të dëshmojë se ka njohuri të mjaftueshme në fushën e sigurisë apo të marrëdhënieve ndërkombëtare. Kjo e gërshetuar me prirjen e tij për të zbutur marrëdhëniet me ata që shihen si “djemtë e këqij” të globit po shfrytëzohet nga kampi republikan për të argumentuar se Obama do ta dobësojë Amerikën, në një kohë kur terrorizmi kërkon përgjigje, kur Rusia e Kina po krijojnë një bllok të ri antidemokratik e antiPerëndimor, në një kohë kur erërat e një ndarjeje të re të madhe po fryjnë anembanë globit.
Mirëpo, përkrahësit e Obama-s tregojnë nga ngjarja e Berlinit për të nënvizuar pikëpamjen e tyre se një president si Obama do të jetë mjeshtër i pushtetit të fortë. Ai do të frymëzojë dashuri e mbështetje për Amerikën e jo urrejtje e mosbesim. Amerika ka fuqi ushtarake të pakrahasueshme dhe e vetmja gjë që i mungon është një figurë dashamirëse dhe një imazh drejtësie e paanshmërie që do të bënte që pushteti i saj të hynte edhe aty ku armët nuk shkojnë dot, në zemrat dhe mendjet e njerëzve. Kjo do të ishte, sipas tyre, Amerika ideale, ajo për të cilën të rinjtë e të reja gjermane brohorisnin të enjten në Berlin, ashtu si dikur kur ushtarët amerikanë hynë për të çarë rrethimin sovjetik.
Por për republikanët dhe pesimistët/realistë, është naivitet të ndjekësh vizionin e Obama-s dhe se pushteti i butë ecën me aleatët dhe të paanshmit e jo me terroristët e diktatorët. Ata e krahasojnë Obama-n me Çambërlenin, kryeministrin britanik që në fund të viteve 1930 kujtoi se mund të siguronte paqen duke marrë me të mirë Hitlerin. Ky i fundit thjesht përfitoi ndërsa përgatitej për të sulmuar i pari dhe në befasi.
“Faleminderit Obama”, shkruante një amerikan nga Gjermania atë ditë, “për herë të parë pas kaq vitesh jam përsëri krenar që jam amerikan”. Por, kritikët i kujtojnë Obama-s se katër vjet më parë përkrahja europiane i humbi vota John Kerry-t dhe se në Shtëpinë e Bardhë do ta zgjedhin amerikanët e jo berlinezët.
Është ende shpejt për të bërë ndonjë parashikim dhe kjo fushatë ka shumë tema debati ku ekonomia mund të jetë ajo që mund të thotë fjalën e fundit. Por përsa i përket politikës së jashtme, beteja mes dy kandidatëve është vetëm seria e radhës së përplasjes mes vizionit të “pushteti të fortë” dhe atij të “pushtetit të butë” dhe në Berlin, ky i fundit arriti një sukses të çmuar.
Autori është redaktor i gazetës “Illyria” në New York