Lindje, Perëndim, Lindje, më i miri në Itali
Regjisori shqiptar Gjergj Xhuvani ka fituar çmimin më të madh të ‘Busto Arsizio Film Festival’, i cili u mbajt në Itali për rreth një javë. Gjatë ditëve të këtij festivali që përfundoi më 27 mars u shfaqën një numër i konsiderueshëm filmash dhe më i miri mes tyre u vlerësua filmi shqiptar “Lindje, Perëndim, Lindje” drejtuar nga Xhuvani. Juria e kryesuar nga Paolo Lizzani e ka kurorëzuar si më të mirin këtë bashkëprodhim shqiptaro-italian, për të cilin është vlerësuar edhe kolona zanore, e cila mban firmën e Enrico Ruggeri-t. “Lindje, Perëndim, Lindje” sjell historinë e një grupi çiklistësh të drejtuar nga trajneri i tyre Ilo Zotos, interpretuar nga Ndriçim Xhepa. Në një moment vjen një njoftim nga shteti që një ekip çiklistësh duhet të shkojë dhe të përfaqësojë shtetin tonë jashtë vendit, në një aktivitet tur çiklistik që zhvillohet në Francë. Për të krijuar një ekip kombëtar me çiklistët më të mirë të momentit vendosin dhe për një trajner që duhet ta drejtojë këtë ekip. Ngjarjet zhvillohen rreth viteve 1989-1990. është një kohë ku në Shqipëri u ndërruan sistemet. Dhe ky ekip çiklistësh del për të kryer aktivitetin mes shumë peripecive. Ata kërkojnë të kthehen në atdhe, por nuk munden, sepse kufijtë janë të bllokuar... Gjatë ditëve të këtij festivali nuk ka pasur vetëm vlerësime për filmat më të mirë. Aty nuk kanë munguar edhe të ftuarit e rëndësishëm si Oona Chaplin, fituesi i çmimit “Oskar”, Murray Abraham, Umberto Eco, Massimo Venier dhe Massimo Ciavarro. Një hapësirë të rëndësishme në B.A. Film Festival ka pasur edhe muzika, e cila është interpretuar si homazh për Minën, këngëtaren e mirënjohur italiane, e cila ka lindur pikërisht në Busto Arsizio. Organizatorët e kanë festuar pikërisht në këtë mënyrë 70-vjetorin e saj të lindjes. Edicioni i tetë i këtij festivali ka qenë i mbushur me ngjarje e aktivitete. Veç filmit “Lindje, Perëndim, Lindje”, që u vlerësua me çmimin Filmi më i Mirë dhe kolona zanore më e mirë, ka qenë filmi “Rusca” i Alberto Bennati-t që u vlerësua për skenarin më të mirë. Felice Farinamori mori çmimin për regjinë më të mirë me filmin “La fisica dell’acqua”. çmimin aktorja më e mirë e mori Kaltoum Boufangacha me filmin “La straniera” i regjisorit Marco Turco, ndërsa aktori më i mirë u vlerësua Massimo Poggio me filmin “Il compleanno” nga Marco Filiberti etj. Për filmin “Lindje, Perëndim, Lindje”, ky çmim u shtohet atyre të mëparshmëve të marrë në të tjera festivale brenda e jashtë vendit.
#