E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pas GJND-së, sërish bisedime Kosovë-Serbi

Tryeza Zyra Civile Ndërkombëtare inkurajon dialog mes Prishtinës dhe Beogradit

Prishtina dhe Beogradi pritet të ulen në tavolinën e bisedimeve për çështje teknike pas opinionit të GJND-së, shkruan sot “Koha Ditore”. Mesazhe për bisedime, sipas burimeve të gazetës, u kanë arritur dy kryeqyteteve së fundmi nga përfaqësuesit e shumtë ndërkombëtarë që i kanë vizituar ato. Burimet kanë bërë të ditur se faktori ndërkombëtar është i interesuar që t`i iket “debatit tashmë të vjetruar”, ku problemet teknike cilësohen “si pjesë e planit gjashtëpikësh të Ban Ki-Moon”.

Ky “stigmatizim i problemeve”, sipas burimeve të gazetës, po i shkakton reagimet e Prishtinës dhe Beogradit në frymën e rivalitetit dhe “jo mbi substancën e qasjes së tyre për të zgjidhur problemet”.
Kryeministri Hashim Thaçi vazhdimisht e ka përsëritur “disponimin e Prishtinës që edhe me Beogradin të bisedojnë për çështje të interesit të përbashkët, si dy shtete të pavarura”.

Ndërkaq, Presidenti serb, Boris Tadiç, ditë më parë në Bruksel ka deklaruar se Beogradi "do të jetë konstruktiv për të gjetur zgjidhje" dhe se "është duke u bërë përparim në përmbushjen e gjashtëpikëshit".
“Shpresoj që do të gjejmë një rrugëdalje dhe të kemi një marrëveshje që do t’i zgjidhë çështjet që kanë të bëjnë me transportin, gjykatat, policinë dhe doganat, në mënyrë të tillë që nuk çon në njohjen e pavarësisë së Kosovës”, ka thënë Tadiç.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, nuk e ka shmangur mundësinë e bisedimeve me Beogradin, si dy shtete të pavarura, as të mërkurën, mirëpo sipas tij, ato nuk mund të kenë lidhje me planin e famshëm të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-Moon. 
“Një çështje e tillë është sqaruar edhe më parë dhe e kemi dhënë qëndrimin e plotë të qeverisë së Kosovës. Ajo që është e sigurt është se në Kosovë funksionon ligji në gjithë territorin e vendit, duke e respektuar sovranitetin e shtetit tonë. Ne mund të kemi bashkëpunim me Serbinë në interesat e përbashkëta rajonale, sa u përket integrimeve europiane si dy shtete të pavarura me sovranitet të plotë”, ka thënë Kuçi. 
Në raportin e tij për Kosovën të muajit nëntor të vitit 2008, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-Moon, duke përshkruar punët e UNMIK-ut të rikonfiguruar në Kosovë, që kishte shpallur pavarësinë, ka dhënë edhe propozime konkrete për gjashtë fusha të ndjeshme, siç janë: policia, gjykatat, doganat, transporti dhe infrastruktura, kufijtë dhe Kisha Ortodokse Serbe në Kosovë.

Për të gjashtë fushat Sekretari i OKB-së ka dhënë propozime iniciale, ndërkaq ka ftuar Prishtinën dhe Beogradin që të zhvillojnë bisedime, në mënyrë që të gjejnë zgjidhje të mëtutjeshme të përbashkëta. 
Liderët kosovarë patën refuzuar planin, duke e vlerësuar atë si ndërhyrje në rregullimin e brendshëm të shtetit më të ri. 
Sipas zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi, Prishtina mbetet në qëndrimin e saj, se bisedime me Beogradin për funksionimin e brendshëm të Kosovës nuk do të ketë. 
“Mendoj se për çështjet e organizimit të brendshëm, integritetit territorial dhe sovranitetit nuk mund të bisedohet. Mund të bisedohet për integrimet rajonale. Gjithmonë si dy shtete të pavarura”. Ai ka thënë se me Serbinë nuk do bisedohet, madje as për veriun e Kosovës. “Siç e thashë, për çështje të organizimit të brendshëm, integritetit territorial dhe sovranitetit, nuk mund të bisedohet”, ka përsëritur Kuçi. 
Duke e komentuar procesin negociator me Serbinë, që sipas tij do të ndodhë pas opinionit të GJND-së, kryetari i Bordit të Klubit për Politikë të Jashtme, Veton Surroi, pati vlerësuar në një ligjëratë të mbajtur ditë më parë, se këto bisedime do të kenë për qëllim një lloj normalizimi të marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Ky normalizim i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, sipas Surroit, do të provohet të gjendet nëpërmjet formulës: pa njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia, por me njohjen e institucioneve ndërmjet vete.

Procesi, sipas Veton Surroit, do të sjellë disa rreziqe. 
“Fillimisht do të gjendemi në një pozitë jo të favorshme negociatore. Serbia do të negociojë nga një pozitë e shtetit, i cili nga kjo negociatë pret ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit, pra kalimin në fazën e kandidaturës për BE, ndërkaq Kosova do të negociojë nga pozita e një shteti që ende nuk e ka as statusin e partnerit kontraktual me BE-në”, ka thënë Surroi. 
Zyrtarët e misionit të BE-së për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX, në të gjitha prononcimet e tyre publike kanë thënë se mandati i tyre nuk ka të bëjë asgjë me planin gjashtëpikësh. Të njëjtën gjë e kanë përsëritur edhe të mërkurën, përderisa kanë komentuar deklaratat e Presidentit të Serbisë, Tadiç. 
“Tashmë është i njohur për të gjithë qëndrimi i EULEX-it për të ashtuquajturin planin gjashtëpikësh. Mandati i EULEX-it nuk ka të bëjë asgjë me këtë plan, i cili ka dalë nga Kombet e Bashkuara.

Mandati ynë vjen nga një vendim unanim i të gjitha 27 shteteve anëtare të BE-së”, ka thënë zëdhënësja e EULEX-it, Karin Limdal. 
Mirëpo, përkundër këtij qëndrimi të këtij misioni në një protokoll të bashkëpunimit ndërpolicor të nënshkruar muaj më parë mes EULEX-it dhe Serbisë, referencë legale, kishte qenë edhe raporti i nëntorit të vitit 2009, i Sekretarit të OKB-së, Ki-Moon. 
Ky raport është edhe dokumenti, nga i cili rrjedh misioni i EULEX-it dhe pozicioni i tij neutral karshi statusit të Kosovës. 
Zyra Civile Ndërkombëtare, që është autoriteti për mbikëqyrjen e pavarësisë së Kosovës, ka përsëritur qëndrimin se dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit duhet inkurajuar.

“Ne inkurajojmë Prishtinën dhe Beogradin, që të diskutojnë fushat e shumta të interesit të përbashkët. Në disa fusha, për shembull, në trashëgiminë fetare dhe kulturore, tashmë ka pasur përparime. Ne i inkurajojmë përpjekjet e tjera në këtë drejtim, ka thënë zëdhënësi i ICO-së, Andy McGuffie, duke mos dashur që të komentojë deklaratat e Tadiçit, për implementimin e gjashtëpikëshit. 
Porositë për dialog mes dy vendeve pritet që javën e ardhshme të sjellin në Prishtinë dhe Beograd edhe zëvendëssekretarin amerikan të Shtetit, James Steinberg. Ai ka thënë se Prishtina dhe Beogradi mund të punojnë në mënyrë pragmatike me gjithë vështirësitë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›