“Lindur së prapthi”, Rita Petro provokon me kujtimet e fëmijërisë: Arti ka lindur për të provokuar. Luftën e paragjykimeve e fitova!

Shkrimtarja Rita Petro është prezantuar përpara lexuesve me romanin e saj të parë “Lindur së prapthi”. Në një intervistë me gazetarin Andri Xhahu në emisionin “Në radio”, Petro tregon se kujtimet e fëmijërisë u bënë bashkë dhe ndjeu dëshirën për të rrëfyer. “Kujtimet e fëmijërisë u mblodhën në kokën time dhe doja të shpërtheja e të tregoja diçka. Vura re që përmes poezisë nuk mundesha. E kam bërë më përpara me librin “Vrima” ku tregova për jetën e individit, por më tepër në kuptimin filozofik. Kishte dhe momente rrëfimtare. Por në rastin e romanit duhet të tregoja gjëra konkrete, të jetës së përditshme dhe në mendje të gjitha më erdhën në prozë.”
Rita Petro është një shkrimtare e cila ka guxuar në librat e saj. Po kështu edhe në romanin “Lindur së prapthi”. Në libër, në një takim pas shumë kohësh me shokun e saj Fredi, ai i thotë se i ka ndjekur debatet për guximin krijues. E pyetur për zhurmën që shkaktoi libri i saj “Vrima” në kohën kur u botua, Petro i referohet një interviste së cilës i është rikthyer së fundi dhe vlerëson qetësinë me të cilën e ka përballuar. “Isha përballë një pastori dhe i thashë: ‘Në jetë është siç thoni ju, që morali dhe shoqëria kanë rregullat e veta.’ Por mos harrojmë që arti ka lindur për të provokuar dhe për të nxjerrë anët e errëta të njeriut. Duke i nxjerrë në sipërfaqe, ne shohim se çfarë janë ato që na mbajnë të mbyllur e të frustruar. Frikërat e bëjnë burrin dhe gruan arrogantë dhe sidomos burrat i bën të dhunshëm. Kam dashur që me artin tim të sulmoj këto gjëra për të cilat ju jeni duke më sulmuar. Këto ndodhin në jetë, nuk i kam bërë unë, por ju. Këto perversitete i kanë bërë edhe njerëzit me veshjen e priftit, edhe ata me kollare. Çdo ditë dëgjojmë skandale erotike që tregojnë se ka shumë njerëz hipokritë, që të tjera thonë dhe të tjera bëjnë. Migjeni ka thënë me kohë: ‘Shoqni po deshe të mos lozin në kurrizin tënd, ndërro format, hiqi bregashet’. Ne vazhdojmë akoma të jemi të mbuluar dhe hipokritë.”
Në roman, Petro shkruan se asnjë shoqatë grash apo poetësh nuk u ngrit në mbrojtje të fjalës së saj të lirë. “Në atë kohë nuk pata mbështetje, përveç disa zërave të veçuar, të cilët edhe ata sulmoheshin. U kam shkruar që të mos e fusin veten në siklet por të presim të mbarojë çmenduria e turmës dhe kur jemi të qetë do fillojmë ne të flasim. E lashë çdo gjë të mbaronte dhe pastaj fillova unë të jap argumentet e mia. E fitova unë luftën, nuk e fituan ata!”
Në lidhje me faktin që njerëzit u bënë bashkë dhe shkruan një peticion drejtuar qeverisë, shkrimtarja sqaron: “Ishte një shoqatë që thoshte se ajo s’është e denjë të edukojë fëmijët me librat që shkruan. Meqë unë merresha me edukimin dhe profesioni im ishte edukimi, ata thanë ‘hajde t’i heqim kësaj profesionin’.”
Sipas Petros, të flitet për seksin është ende tabu. “Është diçka intime dhe s’duhet folur për seksin, por ama mund të tallemi. Kur tregojmë barcaleta jemi në rregull, por kur flitet me seriozitet, me art dhe të trondit brenda vetes sepse të janë zbuluar ato gjëra që i ke dhe ti, atëherë njerëzit bëhen keq. Kjo arrihet vetëm përmes artit, i cili provokon. Një vulgaritet i shkruar askujt nuk i bie në sy. Nuk mund të çmendet një shoqëri e tërë kur s’ka art dhe provokacion. Duhet të kesh talentin për ta bërë këtë gjë.”
Në fund të intervistës Rita Petro tha se në dorë ka një tjetër poemë. “Është poema e mungesës, që është shumë filozofike. Si jetohet jeta me mungesën pranë teje. Kam dhe një subjekt romani.”
/rtsh.al/