Linja 400 kv Shqipëri-Kosovë, gati hapja e tenderit
Shumë shpejt, pala shqiptare do të hapë tenderin për ndërtimin e një linje të re Intekonieksioni me Kosovën. Burimet në Ministrinë e Energjetikës bënë të ditur për “Mapo” se OST është në fazën e përgatitjes së dokumentacionit për hapjen e tenderit, i cili pritet të shpallet këto ditë. Të njëjtat burime njoftojnë se, tenderi pritet të përfundojë brenda pak muajsh, për të mundësuar edhe punimet qysh këtë vit. Linja me Kosovën do të ketë kapacitetet e linjës Elbasan- Podgoricë dhe do të zgjidhë përfundimisht problemet e transmetimit me shumicë, ndërmjet Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Rajonit. Por mbi të gjithë, linja e re e transmetimit të energjisë me Kosovën bëhet domosdoshmëri për vetë faktin se, dy sistemet tona energjetike janë të mbështetura në burime të ndryshme. Shqipëria e ka mbështetur prodhimin në hidrocentrale dhe Kosova në termocentrale. Kështu që nevoja për shkëmbimin e energjisë me shumicë, në periudha të ndryshme, përbën një domosdoshmëri, sipas Ministrisë së Energjetikës. Ndërkohë mësohet se, ka përfunduar tërësisht dhe është gati për punë linja 400 kilovolt, që mundëson lidhjen me Malin e zi dhe Greqinë. Linja 400 kv Elbasan -Podgoricë ka mbyllur unazën e transmetimit Rajonal të energjisë në këto kapacitete. Vënia në punë e kësaj linje, e nxjerr përfundimisht Shqipërinë nga kriza energjetike. Kështu nëse do të ketë një thatësirë të stërzgjatur, e për pasojë mungesë totale të prodhimit vendas nga HEC-et, atëherë Shqipëria mund të Importojë të gjithë sasinë e nevojshme të energjisë nga linjat e transmetimit me Podgoricën. Parë në këtë këndvështrim është konsideruar si një nga prioritetet themelore edhe ndërtimi i një linje të re transmetimi me Kosovën, e cila të paktën për tre vitet në vazhdim mbetet prioriteti themelor i Ministrisë së Energjetikës, përveç Investimeve në krijimin e burimeve të reja të prodhimit të energjisë. Ndërtimi i linjës 400 kilovolt me Malin e Zi kushtoi 33 milionë euro dhe u financua nga KFW, po kështu dhe linja me Kosovën do të financohet nga i njëjti donator. Me një financim prej më shumë se 200 milionë eurosh, përmes bankës KFW, po ndërtohen sistemet e transmetimit të energjisë me Kosovën dhe Malin e Zi. Në vitin 2011 do të ecë përpara projekti i linjës Shqipëri-Maqedoni. Interesi i Gjermanisë për sektorin e energjisë në Shqipëri nisi në vitin 1988, kur në prag të rënies së Murit të Berlinit dhe regjimit komunist në Shqipëri filloi bashkëpunimi financiar mes dy vendeve. Që atëherë, dhe deri më sot, energjia mbetet ndër sektorët prioritarë të bashkëpunimit ekonomiko- financiar. Për të realizuar këtë objektiv qeveria gjermane ka realizuar në harkun kohor të 22 viteve projekte që arrijnë vlerën e 500 milionë eurove. Rrezja e këtyre projekteve shkon nga reabilitimi i hidrocentraleve të Bistricës dhe ndërtimi i unazës së transmetimit të energjisë në Jug të Shqipërinë, deri tek krijimi i sistemeve rajonale të transmetimit. Investimi në këto sisteme e bëjnë Gjermaninë kontribuesen më të madhe në rrjetin rajonal të trafikut të energjisë