Linja Durrës-Ankona mbetet pa traget
Prej disa ditësh, linja detare Durrës-Ankona nuk ka tragetin e saj të kompanisë Tirrenia, gjë e cila ka detyruar Autoritetin Portual Durrës të ndërpresë kontratën zyrtare dhe të gjejë mundësinë më të parë të vendosjes së një trageti të ri me agjenci të tjera detare. Natyrisht që tregu më i favorshëm për një linjë tjetër detare ka bërë që trageti që vazhdonte lundrimet në linjën Durrës-Ankona për llogari të "Adria Ferries" deri para një jave, kurse këto ditë të pezullojë lundrimet deri në një kohë të pacaktuar. Por ndërkohë Autoritetet Portuale Durrës nisën me urgjencë të zbatojnë procedurat përkatëse për vënien e një trageti tjetër në këtë linjë. Kjo gjë është bërë publik dje nga burimet të APD si dhe drejtues të "Adria Ferries". Deri para një jave në linjën Durrës-Ankona dhe kthim ka lundruar që nga fillimi i muajit janar një prej trageteve të kompanisë "Tirrenia", por ajo ka ndërprerë prej disa kohësh marrëdhëniet kontraktuale si subjekt biznesi me portin e Durrësit dhe agjencinë shqiptare "Taulantia". Në APD deklaruan dje për standard se "jemi në negociata dhe brenda pak ditësh do të vendosim për të ardhmen e lundrimeve në këtë linjë që bëhet më e kërkuar në stinën e verës". Në situatën aktuale, Kapitaneria e Porteve Shqiptare dhe Autoriteti Portual Durrës, kanë marrë njoftim për ndërprerjen e lundrimeve, sikurse dhe klientët transportues të mallrave me kamionë që shfrytëzojë linjën detare Durrës-Ankona dhe kthim. Lundrimi me tragetet e kësaj linje zgjat mesatarisht 19 orë dhe është mjaft i vlefshëm jo vetëm për transportuesit e mallrave, por edhe për udhëtarët e shumtë italianë dhe shqiptarë që banojnë në rajonet italiane të Markes, Emilia Romanias dhe Abrucos në pjesën e Italisë të Adriatikut qendror. Deri në gjetjen e zgjidhjes nga Autoriteti Portual, udhëtarët dhe automjetet e transportit të mallrave në linjën Durrës-Ankona dhe anasjelltas, do të udhëtojnë drejt destinacionit me tragete të tjera të agjencive detare dhe spedicionere.
A. Ajazi