Lionel Mesi ka rinovuar kontraten me Barcelonen
Përqafimi në stadiumin e Stokholmit ishte një rastësi, por edhe një simbolikë. Ai parapriu firmën më të shumëpritur të futbollit botëror, atë nënshkrim me të cilin Lionel Mesi zgjati kontratën e tij me Barcelonën deri në vitin 2018.
Nuk ka asnjë habi për faktin që lojtari më i mirë në rruzull rinovoi dashurinë e tij me klubin katalanas, që është edhe një familje e dytë për të.
Argjentinasi firmosi në prani të presidentit Sandro Rosel, zv. presidentit të çështjeve sportive, Zhozep Maria Bartomeu dhe drejtorit sportiv, Andoni Zubizarreta.
Ndonëse nuk ka informacion zyrtar, besohet se Mesi do të përfitojë nga kontrata e re rreth 12 milionë euro në sezon,
Leo do të jetë 31 vjeç në 2018, që do të thotë se do të ketë kaluar rreth 20 vjet futboll me fanelën “blaugrana”.
Kjo ngjarje pa dyshim që do ta forcojë edhe më tej skuadrën katalanase që synon të fitojë këtë sezon çdo trofe të mundshëm, titullin kampion në Spanjë, Champions League-n dhe Kupën e Mbretit, ndërsa Mesi shpreson të thyejë rekordin e tij të golave në La Liga.