E Diel, 1 Nëntor 2026

Lionel Ray fiton çmimin "Naim Frashëri"

Edicioni XIII i Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë "Ditët e Naimit"

Laureat i Çmimit të madh letrar "Naim Frashëri" të Edicionit XIII të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë "Ditët e Naimit" është poeti frëng, Lionel Ray. Ky është vendimi i Jurisë së Festivalit, e përbërë Agron Tufa (Shqipëri), Skënder Sherifi (Belgjikë) dhe Ndue Ukaj (Kosovë). Lionel Ray do ta shpallte edhe Anëtar Nderi i Festivalit, paraardhës të të cilit janë edhe Ismail Kadare (Shqipëri), Abdellatif Laabi (Marok), Desmond Egan (Irlandë), Thomas Tidholm (Suedi), Manlio Argueta (Salvador), Peter Poulsen (Danimarkë) etj. Edicioni i 13-të i Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë "Ditët e Naimit" do të mbahet prej 15-18 tetor në qytetin e Tetovës.

Lajmi u bë i ditur nga drejtori i Festivalit Shaip Emërllahu. Ai prezantoi një biografi të shkurtër të fituesit, Lionel Ray, poet i shquar i letërsisë bashkëkohore frënge. Robert Lorho (Lionel Ray) është pedagog i letërsisë moderne dhe profesor nderi i shkollës së lartë. Ka dhënë mësime të letërsisë franceze në Paris, në klasa përgatitëse për shkollën e lartë elitare ENS. Botoi me këtë emër tri vëllime me poezi, mes të cilëve "Légendaire" (Legjendar), libër për të cilin u vlerësua me çmimin "Guillaume Apollinaire" më 1965-ën.
Robert Lorho merr pseudonimin Lionel RAY më 1970-ën me rastin e botimit të poezive të reja të prezantuara nga Aragon në "Les Lettres Françaises".

Për tërë opusin e tij letrar ka marrë çmimin "Goncourt" të poezisë më 1995-ën dhe Çmimin e Madh të poezisë së Shoqatës së Letrarëve të Francës më 2001-shin. Është edhe autori i dy monografive, njëra kushtuar Rimbaud-së, tjetra Aragon-it. Ka qenë anëtar i Komitetit drejtues të revistës "Action poétique" (Aksion poetik - 1973-200) dhe i gazetës mujore "Aujourd'hui poème" (Sot poezi - 1998-2007).

Aktualisht është presidenti i Akademisë "Mallarmé", anëtar i Akademisë Europiane të Poezisë dhe i komitetit të revistës Europe.

Pas shpalljes së fituesit, kryetari i jurisë, Dr. Agron Tufa, tha se Linonel Ray është "një figurë e madhe e poezisë moderne franceze dhe europiane, që me krijimtarinë e tij e ka mahnitur kritikën franceze, për modernitetin e vargut dhe të substancës së poezisë. Lionel Ray është një ndër poetët më novatorë të sotëm. Kërkimi dhe eksperimenti i tij poetik shkon në një ballafaqim me misterin e lashtë dhe semantikën transhedentale të fjalës, metamorfozën e saj nëpërmjet një aventure spektakolare të diskurseve dhe mikrodiskursve. Fushat semantike të poezisë së Ray-it janë të nginjura me referenca dhe asociacione të holla, shpeshherë ironike e parodike... Poezia e Reyit ka gërshetuar përvojat avanguardiste e moderniste, që nga poezia postsimboliste e surrealiste, deri tek hulumtimi i formës dhe entropia e gjuhës.

Eksperimentalizmi i poezisë së tij përbashkon ontologjinë ekzistenciale me ndjenjën bashkëkohore të një lirizmi human... Poezia e tij e ka një lloj tejdukshmërie, nëpër të cilën frymon një bukuri e distancuar, një dukshmëri që mundohet të shprehë të padukshmen e mishëruar me fjalën, formën, vargun poetik, që finalizohet te konkluzioni: "Unë jam ato fjalë që po i shkruaj! Jam misteri, enigma e atyre fjalëve, jam çfarë thonë ato fjalë, por ndoshta edhe më shumë se sa nuk thonë ato!", - tha kryetari jurisë, Agron Tufa.

Në këtë edicion do të jenë të pranishëm 40 poetë nga 25 vende të botës. Siç është bërë traditë, do të botohet antologjia me poezi të poetëve pjesëmarrës.


 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›