Delijorgji, bashkëpronarët kërkojnë pasurinë
GËRDECI/ 42 familje kanë bërë rekurs në Gjykatën e Lartë për të provuar se janë pronarë të tokës
Gjykata ka vendosur bllokimin e pasurive ku i pandehuri i Gërdecit ishte pronar ose bashkëpronar
TIRANË- Bashkëpronarët e pasurive të paluajtshme të "arkitektit" të fabrikës së "ferrit" në Gërdec, Mihal Delijorgji, kërkojnë nga Gjykata e Lartë t'i hapë dritën jeshile procesit gjyqësor të lirimit të pasurive të tyre. Avokatët mbrojtës të rreth 42 familjarëve me të cilët i pandehuri i tragjedisë së Gërdecit rezulton të jetë bashkëpronar në 31 mijë metra katror truall dhe në 1584 objekte të tjera banimi, i janë drejtuar Gjykatës me anë të një rekursi, duke i kërkuar të rivendosë dosjen e tyre në afat për të rihapur procesin penal të sekuestrimit të pasurive të tyre. "Kërkojmë që të hapim një proces penal pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për të kundërshtuar me prova se Delijorgji nuk është pronar i këtyre pronave, por thjesht administrator i një kompanie me të cilët pronarët kanë nënshkruar një kontratë ndërtimi",- thuhet në rekursin e dorëzuar pranë Gjykatës së Lartë.
Sipas tij, avokatët e 42 bashkëpronarëve kundërshtojnë vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë, e cila ka vendosur sekuestrimin e pasurisë ku Delijorgji figuron pronar apo bashkëpronar. Ky vendim ka marrë formën e prerë edhe në Gjykatën e Apelit dhe më pas në Gjykatën e Lartë, duke bllokuar të gjitha pasuritë e paluajtshme ku rezulton emri i Mihal Delijorgjit. Sipas 42 familjarëve, i pandehuri që akuzohet për kryerjen e veprës penale "të vrasjes në rrethana cilësuese ndaj shumë personave" ishte administrator dhe ndërtues sipër pronave të tyre, dhe jo pronar i tokës. Mes të ankuarve pranë Gjykatës së Lartë janë pronarët e tokës ku Delijorgji po kryente ndërtimin e pallateve, si në zonën e Rrugës së Kavajës, rrugës "Irfan Tomini" dhe ish-parku i mallrave po në Rrugën e Kavajës. Përveç pronarëve të truallit, ku firma ndërtuese e Delijorgjit kishte nënshkruar kontrata ndërtimi, prokuroria ka sekuestruar edhe pronat e atyre familjeve të cilat kanë blerë hyrje në pallatet që ndërtonte firma ndërtuese. Të gjithë këta kërkojnë nga Gjykata e Lartë që të lejojë të hapin një proces kundër vendimit për sekuestrimin e këtyre pasurive, ku do të provojnë se ata janë pronarët e tokës, dhe jo i pandehuri.
"Ne nuk kërkojmë lirimin e pasurive të shtetasit Mihal Delijorgji, por vetëm pronat dhe pasuritë e paluajtshme që figurojnë në emrat tanë. Pasi ne si pronarë të tokës kemi nënshkruar një kontratë ndërtimi me firmën që drejtonte Delijorgji, kontratë kjo që e bën atë bashkëpronar për një përqindje të caktuar, dhe jo të gjithë pronat", thuhet ndër të tjera në rekursin që pritet të shqyrtohet në Dhomën e Këshillit pranë Gjykatës së Lartë, për pranimin ose jo të kësaj kërkese. Ndërkohë, Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet, vendimi i së cilës është lënë në fuqi edhe në shkallët e tjera të gjyqësorit, përveç sekuestrimit të pronave dhe pasurisë së paluajtshme të shtetasit Mihal Delijorgji, i ka sekuestruar atij edhe tetë llogari bankare në emër të tij dhe njerëzve të ngushtë të familjes. Sipas këtyre llogarive bankare, i pandehuri i tragjedisë së Gërdecit në total kishte të deponuar rreth 900 mijë euro, që sipas vendimit, mund të konfiskohen dhe më pas të përdoren për dëmshpërblimin e paditësve civilë të dëmtuar nga kjo tragjedi.
PRONAT E SEKUESTRUARA
Lokal e banesë, me sipërfaqe të përgjithshme 824 m2 ndodhur në fshatin Sofratikë të rrethit Gjirokastër
Sipërfaqja prej 1783 m2, ndodhur në Tiranë, Rruga e Kavajës (ish-parku i mallrave)
Sipërfaqja prej 733 m2, ndodhur në zonën kadastrave nr.8220 Tiranë
Sipërfaqja prej 585 m2, tek Rruga e Kavajës
Sipërfaqja prej 661 m2, tek Rruga e Kavajës
Sipërfaqja prej 2700 m2, e ndodhur në zonën e kadastrave 8220 Tiranë
Sipërfaqja prej 833 m2, e ndodhur në zonën e kadastrave 8220, Tiranë
Sipërfaqja prej 661 m2, e ndodhur në zonën e kadastrave 8220 Tiranë
Sipërfaqja prej 2977 m2, ndodhur në zonën e kadastrave 8220 Tiranë
Sipërfaqja 738.5 m2, ndodhur në zonën e kadastrave 8220 Tiranë
Sipërfaqja prej 661 m2, ndodhur në zonën e kadastrave 8220 Tiranë
Pasuria me nr.6/ 124, volumi 13, faqe 3, zona e kadastrave, 8220, Tiranë
Pasuria me nr.6/135, volumi 13, faqe 17, zona e kadastrave 8220, Tiranë
Pasuria me nr.6/125, volumi 13, faqe 4, zona e kadastrave 8220, Tiranë
Pasuria me nr.6/128, volumi 13, faqe 20, zona e kadastrave 8220, Tiranë
Pasuria me nr.6/136, volumi 13, faqe 18, zona e kadastrave 8220, Tiranë
Pasuria me nr.6/121, volumi 13, faqe 5, zona e kadastrave 8220, Tiranë
Pasuria me nr.6/120, volumi 12, faqe 243, zona e kadastrave 8220, Tiranë
Truall me sipërfaqe 14.500 m2 regjistruar në zonën e kadastrave, 8616, Durrës.
Sipërfaqe trualli, prej 3523 m2, në zonën e kadastrave 8515 Durrës
PASURITË FINANCIARE
Llogaria bankare tek "Emporiki Bank"
Llogaria bankare tek "Raiffeisen Bank"
Llogaria bankare në "Bankën Italiane të Zhvillimit"
Llogaritë bankare në bankën "Credins"
Llogaria bankare në "Bankën Popullore" Tiranë, dega Tirana 1.
Llogaritë bankare në "Bankën Amerikane të Shqipërisë"
Llogaritë bankare në "Tirana Bank"
Llogaritë bankare në "Alpha Bank"