Lipi: Shkurtimi i listësnjë vendim i vështirë

ROME- Zgjedhjet e Marçelo Lipit, i cili ka lënë jashtë dy sulmuesit Xhuzepe Rosi e Marko Borrielo, duke preferuar përpara tyre Kualjarelën, kanë shkaktuar komente të shumta në Itali. Por, ashtu si 4 vjet më parë në Gjermani, tekniku i kombëtares italiane është shprehur se nuk ka ndërmend t’u vërë veshin këtyre akuzave. Veç dy sulmuesve, nga kampionët në fuqi të botës janë larguar gjithashtu edhe portieri Sirigu, mbrojtësi Kasani dhe mesfushori Kosu’. “Dobishmëria e futbollistëve ishte fondamentale në zgjedhjet e mia, - ka sqaruar Lipi. – Zgjedhjet janë bërë duke u bazuar në përshtatjen në fushë të lojtarëve. Por, vendimi ishte shumë i vështirë për t’u marrë”, shtoi ai. Lipi më pas ka folur edhe kundër kritikave se ai ka mbajtur disa futbollistë në kombëtare për mirënjohje për Botërorin 2006. “Shumë njerëz thonë se jam shumë mirënjohës ndaj kampionëve në vitit 2006, por unë e kam ndryshuar skuadrën më shumë se 50 %”, deklaroi trajneri i Italisë. – Nuk mund të lija në shtëpi 23 futbollistë vetëm sepse ata fituan Kupën e Botës në Gjermani”, shtoi Marçelo Lipi. Ai konfirmoi gjithashtu se 5 lojtarët e fshirë nga lista do të jenë në kombëtare edhe për miqësoren me Zvicrën, ndërsa Kosu do të jetë edhe në Afrikën e Jugut, në rast se Kamoranezi nuk do të riaftësohet në kohë.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)