E Diel, 1 Nëntor 2026

Lipi, gati tridhëmbëshi ndaj Bullgarisë

“Është ndeshja më e rëndësishme.” Marçelo Lipi nuk ka dyshime, Italia do të luajë gjithçka ose thuajse gjithçka kundër Bullgarisë. Objektivi është fitorja që do të sillte kualifikimin por gjithashtu do të shuante kritikat. Përveç rezultatit, duhet edhe një lojë e bukur.

“Sfida e të mërkurës në mbrëmje mund të na japë mundësi të mira për t’u kualifikuar – thotë Lipi -, është ndeshja më e rëndësishme e kohëve të fundit, për të gjithë, jo vetëm për mua, që në kohën që jam ulur në pankinën e skuadrës kombëtare.

Kritikat në lidhje me grupin, shpërthimi i Lipit dhe kërkimi i golit. Italia kërkon të rikthehet ajo e tre viteve më parë në Berlin. “Shpërthimet tregojnë një gjendje shpirtërore të fortë, në këtë moment e di se çfarë duhet bërë. Kritikat bëjnë mirë kur janë konstruktive, të tjerat i injorojmë. Kemi grumbulluar lojtarë të tjerë cilësorë, në përgjigje të kritikave. Kemi cilësi teknike të rëndësishme. Nuk do të kemi nevojë ta kërkojmë golin, do të vijë si rezultat i lojës së bukur.Nuk më intereson se kush shënon, mund ta bëjë edhe Bufoni me kokë. Dua të kualifikohemi, për të fituar mjafton edhe një autogol i kundërshtarit,”- është shprehur Marçelo Lipi.

Lojtari për t’u pasur kujdes te Bullgaria është Berbatov, por tekniku italian nuk nënvlerëson as Bozhinov: “Berbatov luan në një skuadër të madhe, cilësitë e tij kanë dalë në pah te Mançesteri. Ka të dhëna të mira teknike, di të shënojë. E patëm përballë edhe në ndeshjen e parë dhe na u desh shumë punë për ta ndalur. Bullgaria është një skuadër e mirë, nuk ka humbur asnjë ndeshje dhe do të përpiqen me të gjitha mënyrat të renditet e dyta në grup. Është një skuadër të cilën e respektojmë: sa më shumë respekt për kundërshtarët, aq më e lehtë bëhet ndeshja. Do të luajnë në sulm apo jo? Mendoj se një skuadër nuk del asnjëherë jashtë natyrës së saj.Bullgaria ka luajtur gjithmonë me të njëjtët lojtarë dhe me të njëjtin model loje. Ndoshta kësaj here arma e tyre më e fortë do të jetë Bozhinovi. Jam i sigurt se do të luajnë lojën e tyre pa u hedhur në sulm.”

Kolegu francez i Lipit, Domenek nuk po ia kalon mirë, por ai preferon të heshtë: “Nuk më intereson, jam i përqendruar vetëm te Bullgaria.”

Asnjë e dhënë në lidhje me formacionin që do të zbresë në fushë nesër mbrëma: “Zgjedhja e sulmuesve është pjesë e programimit dhe e nevojës për të pasur energji. Pirlo jashtë formacionit? Nuk e kam vendosur ende kush do të luajë, varet edhe nga dëmtimet e vogla të lojtarëve. Duhet të jenë të gjithë në formë.”

Hera e parë e Lipit me kombëtaren në Torino është një emicion më tepër: “Kam besim se stadiumi do të mbushet plot dhe tifozët torinezë do të na mbështesin. Për mua është hera e parë në Torino me kombëtaren, shpresoj të lëmë një kujtim të bukur.”

                                                                                             

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›