E Shtunë, 31 Tetor 2026

Liqenas, zbulohet varreza antike

Nga gërmimet e ditëve të fundit që kanë kryer arkeologët shqiptarë dhe ata grekë në ishullin e Maligradit, në liqenin e Prespës së Madhe, është zbuluar një varrezë me dhjetë varre prehistorike që datojnë nga periudha e bronzit deri në atë bizantine.

Drejtuesi grek i kësaj ekspedite, Stavros Ikonomidis, u shpreh se varreza e zbuluar gjatë kësaj ekspedite ka dhjetë varre të ndara në katër seksione. Sipas tij, çdo varr është i ndarë nga tjetri me anë të një muri, ndërsa e gjithë varreza është e rrethuar me një mur karakteristik që i përket periudhës romake.

Nga verifikimet e deritanishme të arkeologëve del se ka një vijimësi jetese në këtë varrezë prehistorike, që shkon nga periudha e bronzit deri në atë bizantine të Mesjetës. Mbetjet skeletore që janë gjetur gjatë gërmimeve në këtë varrezë do të analizohen më tej nga antropologët, për të saktësuar moshën e njerëzve të varrosur në to, si dhe shkaqet e vdekjes.

Arkeologët, duke u nisur nga verifikimet paraprake thanë se mosha e këtyre njerëzve të varrosur në këtë lloj varreze kolektive mund të jetë afërsisht 30 vjeç. Skeletet e zbuluara janë pa stoli dhe të varrosur sipas riteve të shekullit të 5-të para erës sonë.

Arkeologët që kanë arritur në këto zbulime, thanë se varreza përmban diçka unike. Ata shtojnë se edhe pse kanë tre vjet që kryejnë ekspedita në ishullin e Maligradit, kjo është hera e parë që kanë arritur të zbulojnë diçka me kaq vlerë. Nisur nga zbulimi i fundit, ekspedita parashikohet të zgjasë edhe dy vjet të tjera.
/Start/

                                                                                             2011-07-28 20:18
   

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›