E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbulohen varre prehistorike ne ishullin e Maligradit

Një ekspeditë e përbashkët arkeologjike shqiptaro-greke në Liqenas të Korçës dhe pikërisht në ishullin e Maligradit ka nxjerrë në dritë dhjetra gjetje të reja që shtojnë vlerën e pasurisë arkeologjike të kësaj treve. Nga gërmimet e ditëve të fundit të arkeologëve shqiptarë dhe atyre greke është zbuluar një varrezë me dhjetë varre prehistorike që datojnë nga periudha e bronzit deri në atë bizantine.

Drejtuesi i kësaj ekspedite, Stavros Ikonomidis tha se nga kërkimet e deritanishme ka një vazhdimësi jetese në këtë zonë të banuar.

 “Gërmimet arkeologjike në sheshin që ndodhet në kurorën e Ishullit të Maligradit kanë nxjerrë në dritë deri tani 10 varre të vjetër, në të cilët janë gjetur eshtra skeletore, të vendosur në drejtimin lindje- perëndim. Mes këtyre varreve ka karakteristika të përbashkëta, por edhe anë të veçanta të cilat do të jenë objekt studimi per arkeologët. Gati të gjithë varret kanë qënë pa inventar. Pranë tyre nuk janë gjetur stoli apo sende të tjera me vlerë arkeologjike”- tha Ikonomidis.

Projekti për këtë ekspeditë parashikonte gërmime për një periudhë 3- vjeçare, por duke pasur parasysh faktin se këtu është zbuluar një fond shumë i pasur arkeologjik , drejtuesit e saj kanë kërkuar shtyrjen e gërmimeve dhe studimit edhe për dy vjet të tjera.

Jorgjeta Gjanci                             

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›