E Shtunë, 31 Tetor 2026

Liqeni Artificial do të zhytet në beton

Së shpejti edhe Liqeni Artificial, e vetmja mushkëri e ngelur e kryeqytetit, duket se do të mbushet me beton e me qiellgërvishtës. Një projekt për zhvillimin e kësaj zone duket se do e bëjë së miri një gjë të tillë. Nuk është e lehtë të vesh re, edhe pse jo me syrin e një eksperti, që kjo zonë do i nënshtrohet një zhvillimi urban të rëndë.

Dje është shpallur fituesja e projekt-idesë për zhvillimin urban të zonës prioritare të zhvillimit, pranë digës së Liqenit Artificial që është fituar nga studioja holandeze MVRDV. Kjo zonë shtrihet në pjesën jugore të Tiranës, në veri te Liqenit Artificial dhe përfshin gjithashtu zonën e Kopshtit Botanik, klubin “Dinamo”, kompleksin e Pishinave, bregun e Liqenit, si dhe një pjesë të Parkut të Madh të Liqenit.

Vendimi është marrë në mënyrë unanime nga juria e konkursit ndërkombëtar.

Rama ka nxituar të theksojë se asgjë në këtë drejtim nuk është përfundimtare. “Dua të theksoj edhe njëherë që ky konkurs synon gjetjen e idesë më të mirë, e cila sigurisht do të zhvillohet më tutje, sepse bëhet fjalë për një moment strategjik për zhvillimin e kryeqytetit; bëhet fjalë për një pikë strategjike për pamjen e kryeqytetit të shekullit të XX1; bëhet fjalë për një ndërmarrje të kombinuar mes të gjithë faktorëve dhe aktorëve për t’i dhënë mundësi idesë më të mirë që të kthehet në një projekt të mirëfilltë urbanistik dhe në një zhvillim të mirëfilltë urban. Në këtë sens, do të doja të kuptohej shumë mirë nga gjithë publiku që zgjedhja e bërë sot nuk është pamja përfundimtare e projektit që do të realizohet nesër, por është bërthama dhe ideja fituese, ideja më intriguese, ideja më largpamëse për të pasur nesër një zhvillim të integruar dhe një ekuilibër mes zhvillimit dhe mbrojtjes së natyrës, mes asaj që do të ndërtohet në atë zonë dhe harmonizimit të saj, qoftë me liqenin, qoftë edhe me njollën e gjelbër që do të lindë po aty.

Në këtë sens, në mënyrë unanime, juria pa idenë me potencialin më të madh të zhvillimit, idenë e prezantuar nga studio MVRDV dhe Winy Maas që do të jetë ideja mbi të cilën do të zhvillohet ky projekt nesër. Është e nevojshme të theksohet se projektet u vlerësuan vërtet maksimalisht dhe të gjitha sillnin një ambicie të jashtëzakonshme për Tiranën e së nesërmes, por ajo që ne preferuam ishte që të qëndronim te një ide, te një bërthamë, te një program, i cili do të duhet të zhvillohet në vijim, duke pasur parasysh harmonizimin sa më të mirë të interesit publik me atë privat dhe njëkohësisht të zhvillimit të natyrshëm urban me natyrën rreth e rrotull, e cila duhet të marrë atë dimension, që t’i japë mundësinë kësaj zone për të qenë një qendër e re e Tiranës, një pikë e re referimi për të rejat, për të rinjtë, familjarët, mundësinë për të qenë jo thjesht një vend, ku do të ketë zyra, ku do të ketë gjithçka tjetër për shërbimet, do të ketë banka, do të ketë rezidenca”, - tha Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›