BSH: Thellohet në 1,2 miliardë dollarë llogaria korente, të rritet prodhimi
Banka e Shqipërisë tha dje se deficiti i llogarisë korente në Shqipëri është thelluar dhe ka shkuar në 11,7 për qind të Prodhimit Kombëtar Bruto gjatë pjesës së parë të këtij viti. Deficiti i llogarisë korente ose llogaria korente është një prej treguesve më të rëndësishëm ekonomikë të një vendi dhe tregon kahjen se nga ecën ekonomia. Llogaria korente është e përbërë nga deficiti tregtar, të ardhurat nga emigrantët, pagat, interesat apo kapitali dhe fitimi i ndërmarrjeve. Në llogarinë korente përfshihet gjithashtu edhe totali i transfertave të parave dhe të kapitaleve që kryen (diferenca e tyre). Kjo llogari pra gjatë pjesë së parë të këtij viti është thelluar, thotë Banka e Shqipërisë dhe ka shkuar në rreth 1,2 miliardë dollarë. Banka e Shqipërisë tha gjithashtu se pavarësisht këtij treguesi të rënduar ekonomik, treguesit e tjerë kanë qenë të mirë. Banka ka vendosur dje të ruajë të pandryshuar normën e interesit të depozitave dhe ka thënë se inflacioni me gjithë presionet e jashtme nuk pritet të rritet. Ai, tha Banka, do të jetë në nivelin 4%. Thellimi i deficitit të llogarisë korente ka ardhur më së shumti për shkak të thellimit të deficitit tregtar, ku importet në nivel të lartë bëjnë diferencën e madhe. Veç deficitit tregtar në llogarinë korente kanë ndikuar edhe daljet e mëdha të parasë jashtë vendit, si edhe rënia e fitimit të biznesit. Në përbërësit e llogarisë korente duket se ka mbetur i paprekur vetëm ai i pagave, pasi në pjesën e parë të vitit nuk ka patur raportime për ulje të pagave, pavarësisht rritjes së kostos së jetës dhe rënies së fuqisë së pagave. Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë tha se aktiviteti i buxhetit gjatë 5 muajve të parë të vitit kishte balancë pozitive, e cila ka ardhur si rezultat i grumbullimit të të ardhurave fiskale më shumë se sa ishin planifikuar dhe realizimit më të ulët të shpenzimeve. Banka theksoi faktin që ka patur tepricë buxhetore ose në terma të tjera ka patur mosrealizim të investimeve nga ana e qeverisë, gjë që ka patur efektin e vet jo të mirë në ekonomi. Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi kërkesën e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), “Për miratimin e blerjes së 12.5 për qind të aksioneve të kapitalit aksioner të Bankës Union sh. a.” Ky vendim lejon blerjen në masën 12.5 për qind të aksioneve të kapitalit aksioner të Bankës Union sh. a., e cila do të emetojë aksione të reja për këtë qëllim.