E Shtunë, 31 Tetor 2026

Porosi Oketës për vizitën e sotme në Gërdec

Antena brenda familjes

Ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, ka thirrur dje ndihmësit e tij për t’u konsultuar për qëndrimin që duhet mbajtur sot në Gërdec, ku do të jetë në një ceremoni së bashku me ambasadorin amerikan, zotin Withers. I shqetësuar nga mundësia e ndonjë fjalimi të ashpër të ambasadorit amerikan, i cili kohët e fundit është bërë problematik për qeverinë me deklaratat e veta, Oketa kërkoi disa “memo” për qëndrimet që duhet të mbajë sipas skenarëve të ndryshëm.

Së pari, nëse ambasadori pas fjalës së Oketës lavdëron Fatmir Mediun dhe bashkëpunimin me të, Oketës iu rekomandua të rimarrë fjalën dhe të përshëndesë faktin që politika amerikane nuk i paragjykon njerëzit pa u dënuar dhe ky është një shembull që duhet ta marrim dhe ne. Kjo gjë, sipas Oketës, do të ishte shumë pozitive dhe më e mira që mund të arrihej.

Së dyti, nëse ambasadori mban qëndrim neutral dhe nuk thotë ndonjë gjë të rëndësishme, por lë të kuptojë se nuk duhet të nxitohemi, atëherë Oketa duhet të marrë fjalën dhe të përsërisë faktin se dhe ai është shumë neutral ndaj asaj ngjarjeje dhe, që kur është bërë ministër, nuk ka firmosur asnjë shkresë që i ka ardhur mbi tavolinë, se ka frikë mos ia fusin.

Së treti, nëse ambasadori është agresiv, lind problem i madh. Ai për shembull mund të thotë se drejtësisë shqiptare nuk mund t’i diktohet ç’të hetojë dhe çfarë jo për Gërdecin. Ata politikanë që e bëjnë këtë, gabojnë rëndë dhe të krijojnë një panoramë të tmerrshme për Shqipërinë. Në këtë rast Oketa mendon se duhet të reagojë, duke thënë se ai vetë ka thënë që në fillim se “Gërdeci nuk është aksident dhe nuk duhet të sillemi sikur nuk ka ndodhur gjë”. Por, nëse ambasadori thotë gjëra më të rënda, si për shembull “kam vërejtur një mosbashkëpunim të qëllimshëm të pushtetit ekzekutiv me drejtësinë në këtë çështje”, puna mund të vështirësohet. Rekomandimi për këtë rast është që Oketa të marrë fjalën dhe të thotë se “unë kam bashkëpunuar dhe u kam dhënë gjithë letrat që kam gjetur mbi tavolinë atyre të prokurorisë, gjithë fakset e ardhura aty, librin e hyrje-daljeve, kamerat e sigurisë etj.”

I lehtësuar nga kjo parapërgatitje ai mendoi t’i bëjë dhe një telefon Flamurit për të marrë dhe mendimin e partisë për këtë çështje. Sa mori vesh vizitën, Flamuri i tha prerë: “S’ke për të shkuar”.

- Si s’kam për të shkuar. Ajo ka vdekur, se është aktivitet i yni, po më thuaj ç’të them.

- ǒt’i thuash ti ë? Ja të flas me atë burrin njëherë, por unë them se e ke gabim që shkon. Ai burri do nxehet, kur ta marrë vesh. Ça t’i thuash ti ndonjë gjë, ca t’i thuash…..! Dëgjo, pyete njëherë vetë atë burrin, se mos e harroj unë ç’më thotë dhe ta them gabim.

- Po, po më tha ta shaj nga motra, nëse na shan ne si qeveri, si t’ia bëj, se unë nuk shaj dot.

- S’di ç’të them. Ishallah s’ka motër.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›