“Luaj futboll - pra ekzistoj”
“Luaj futboll, pra ekzistoj”
Tre vjet më vonë, diku në pranverë në vitin 1998, një anketë tregonte se më pak se 30 për qind e qytetarëve të botës kishin dëgjuar për Kroacinë. Në verë kjo shifër u rrit në mbi 70 për qind. Kjo ndodhi për shkak se Kroacia zuri vendin e tretë në Kampionatin Botëror të Futbollit, “Francë 1998”. Një sukses në futboll bëri për njohjen e Kroacisë më shumë se e gjithë fushata zyrtare e lobimit në emër të shtetit. Të shtunën lexova një intervistë të kryeministrit të Kroacisë, Ivo Sanader, në gazetën “Jutarnji list”. Duke shpjeguar se suksesi në sport i ka kontribuar jashtëzakonisht imazhit të Kroacisë, kryeministri foli për një vizitë që kishte bërë në Kili në fund të vitit 1998. Prej atje i kishin dërguar në një ishull në Antarktikë. Në një vendbanim me 80 familje kishin vizituar një shkollë të vogël. Kur fëmijët dëgjuan se mysafirët vinin nga Kroacia, e zyrtarët kroatë prisnin që ata të tundnin kokën duke mos ditur ku është ky vend, fëmijët kishin filluar të brohorisnin “Shuker, Shuker”, emrin e futbollistit kroat që ishte golashënuesi më i mirë i Botërorit 1998. Ndeshja futbollistike e Kosovës kundër Brazilit, qoftë edhe miqësore, do të ishte më historike dhe më e rëndësishme për njohjen e Kosovës në botë sesa vizita e presidentit dhe kryeministrit të Kosovës në Shtëpinë e Bardhë. Lorik Cana dhe Valon Behrami janë sot shumë më të njohur në botë sesa Fatmir Sejdiu dhe Hashim Thaçi. Futbolli është një industri me të ardhme shumë më të ndritshme në Kosovë sesa gjithçka tjetër. Vlera e futbollistëve kosovarë që luajnë sot nëpër skuadrat e ndryshme të Evropës e tejkalon shumëfish vlerën e eksportit të mallrave kosovare. Kur një ditë Kosova të bëhet anëtare e UEFA-s dhe FIFA-s, do të mund të mbledhë një skuadër, e cila do të jetë diku afër mesatares evropiane. Pra, një skuadër, e cila do të mund të maste forcën me gjithkënd në mënyrë të barabartë. E pos në sport Kosova nuk do të jetë në gjendje për disa vite të matet me askënd. Prandaj duhet bërë çmos për integrimin e sportit kosovar në skenën ndërkombëtare. Për fat të keq kjo bëhet me politikë e jo me sport. Federata Kosovare e Futbollit nuk duhet të jetë naive. Ndeshjen me Brazilin e parandaloi FIFA në mënyrë dinake. Se FIFA “nuk e ka kundërshtuar ndeshjen”, është vetëm arsyetim kompromisi. Njësoj si një nëpunës i korruptuar në sportelin e një institucioni që nuk të jep dokumentin që kërkon, duke të kërkuar më shumë sqarime. Derisa të mos bëhet tepër vonë dhe ti heq dorë nga kërkesa. FIFA bazohet te sporti si diçka që është liruar nga politika. Por, mospranimi i Kosovës në këtë organizatë është thjesht akt politik. Ka vende që janë në UEFA dhe FIFA e që nuk janë fare shtete (Uellsi, Skocia, Irlanda e Veriut), ndërsa Zvicra pa qenë anëtare e OKB me vite ka qenë në UEFA dhe FIFA. Arsyetimi pse ato munden e Kosova jo të jenë në këto organizata, është se ato kanë qenë ndër themeluesit e këtyre federatave të futbollit. FIFA nuk ka nevojë të hedhë poshtë kërkesën e Kosovës për anëtarësim. Mjafton të mos jep përgjigje fare dhe Kosova do të mbetet e papranuar. Si një organizatë, për të cilën politika dhe korrupsioni nuk janë të panjohura, FIFA e di fort mirë se çfarë po bën dhe asnjë hap i saj nuk mund të kuptohet si i rastësishëm. E serbët i gëzohen faktit se Kosova nuk pati mundësi të luante me Brazilin. Një koleg serb më pati thënë para tre muajsh se “një ditë serbët do ta kuptojnë se Kosova është shtet i pavarur. Por kjo do të ndodhë, kur të shohin Kosovën duke luajtur futboll në një ndeshje ndërkombëtare me ndonjë skuadër tjetër”. Të shpresojmë se shpejt do të vijë kjo ditë dhe të shohim Kosovën duke luajtur ndeshje ndërkombëtare. Por për këtë duhet të punojë më shumë edhe Federata e Futbollit e Kosovës, edhe organizatat e tjera sportive.