E Diel, 1 Nëntor 2026

Liqeni i Ohrit, në rrezik, derdhen ujëra të zeza nga Maqedonia



Ndërmarrja maqedonase NP “Kolektori” në Strugë është duke u ballafaquar me probleme të mëdha financiare që mund të sjellin pasoja të dëmshme për Liqenin e Ohrit

Liqeni i Ohrit duket se ndodhet në prag të një katastrofe ekologjike, sipas agjencisë së lajmeve të shqiptarëve të Maqedonisë, Illyria News Agency (INA). INA raporton për problemet e krijuara në një ndërmarrje në Maqedoni që rrezikon derdhjet e të gjitha ujërave të zeza të qyteteve e fshatrave bregliqenore nga ana e Maqedonisë brenda në Liqenin e Ohrit, çka do të sillte një katastrofë ekologjike.

Ndërmarrje NP “Kolektori” në Strugë, që vepron si njësi punuese e “Proakva”, është duke u ballafaquar me probleme të mëdha financiare që mund të sjellin pasoja të dëmshme për Liqenin e Ohrit. Drejtori i kësaj ndërmarrjeje, Vait Ajro, sqaron se ndërmarrja po ballafaqohet me probleme të mëdha për zgjidhjen e të cila nuk gjen mbështetje e organeve kompetente.

“Për shkak të borxhit që ka kjo ndërmarrje ndaj EVN-së, ka rrezik që të shkyçemi nga rrjeti i furnizimit me energji elektrike nga EVN-ja. Shkyçja e rrymës së kolektorit, sistemi i pompave të pastrimit të ujërave të zeza nga Peshtani e deri në Strugë do të jetë jashtë përdorimit dhe të gjitha ujërat e zeza do të derdhen në Liqenin e Ohrit, që është pos tjerash edhe nën mbrojtjen e UNESCO-s”, - theksoi Hajro për korrespodentin e agjencisë së lajmeve INA në Ohër.

Sipas tij, derdhja e ujërave të zeza në Liqenin e Ohrit do të shkaktojë katastrofë ekologjike me përmasa të paparashikuara.

Lidhur me këtë gjendje të krijuar, ndërmarrja “Proakva” me njësitë punuese përfshirë edhe “Kolektori”, i janë drejtuar disa herë qeverisë dhe ministrive përkatëse, që të zgjidhet problemi i borxhit ndaj EVN-së, për të pamundësuar ndonjë katastrofë ekologjike. Nga ana tjetër, qeveria ka sjellë 4 vendime për tejkalimin e gjendjes, por asnjë nuk është zbatuar me seriozitet.

Në fund, Vait Ajro deklaroi: “Tani kur kemi edhe vendimin e gjykatës në Strugë për shlyerjen e borxhit, EVN-ja kanoset me shkyçjen e energjisë elektrike, për borxhin e trashëguar dhe të krijuar prej 1.5 milion euro. Nëse ndodh një gjë e tillë, do të detyrohemi që edhe ne të ndërmarrim masa më radikale, duke shkyçur EVN-në nga sistemi i ujësjellësit, kanalizimit dhe të kolektorit, mandej do të shkyçim institucionet shëndetësore, spitalet, shkollat dhe institucionet tjera të nivelit lokal dhe qendror.

Janë 13 pompa të sistemit të kolektorit për pastrimin e ujërave të zeza si dhe stacioni për pastrimin e ujërave të zeza në fshatin Llozhan të Strugës.

Njëherit, i drejtohem Ministrisë së Financave, që të përshpejtojë procesin e ndarjes së “Proakva” në tri ndërmarrje, atë të ujësjellësit në Strugë, ujësjellësit në Ohër dhe të “Kolektorit”, për të tejkaluar sa më shpejt këtë gjendje kaotike të krijuar, duke mos luajtur pingpong me “Proakva”, përndryshe na kanoset rrezik për ndonjë katastrofë ekologjike me përmasa të mëdha”, - përfundoi Vait Ajro.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›