Dialog me myslimanët
Papa Benedikti XVI
Papa Benedikti do të zhvillojë një samit katoliko-mysliman
Papa Benedikti XVI ka vendosur të përmirësojë marrëdhëniet mes dy feve, duke organizuar mbajtjen e një samiti katoliko-mysliman në muajin nëntor. Njoftimi u bë dje nga Vatikani, pas një takimi dyditor mes liderëve të lartë myslimanë dhe të Selisë së Shenjtë në Romë. Në deklaratën e tyre të përbashkët thuhet se samiti i parë katoliko-mysliman do të mbahet në kryeqytetin italian në datat 4-6 nëntor, ku do të marrin pjesë 24 liderë fetarë dhe studiues nga të dyja fetë. Gjatë këtij samiti, vetë Papa do të flasë mbi tema si “Dashuria e Zotit, dashuria e fqinjit” dhe “Dinjiteti njerëzor dhe respekti reciprok”. Liderët myslimanë dhe katolikë shpresojnë që ky forum të nisë një dialog zyrtar mes dy feve. Marrëdhëniet mes dy feve u acaruan pas një fjalimi të vitit 2006 të Atit të Shenjtë, gjatë të cilit Benedikti citoi kritikat ndaj Islamit të një perandori bizantin të shekullit të 14-të. Fjalimi i Benediktit në Regensburg të Gjermanisë shkaktoi zemërim në botën myslimane dhe nxiti protesta në mbarë botën. Por në të njëjtën kohë, ai fjalim nxiti 138 studiues myslimanë nga 43 vendeve të ndryshme të botës, t’i bënin një apel Papës për më shumë dialog teologjik. Me kalimin e kohës, numri i firmëtarëve të këtij apeli arriti në më shumë se 200. Megjithëse Papa shprehu disa herë keqardhje për komentet e tij, ai nuk bëri apologji, ashtu siç kërkonin myslimanët. Vetëm tani, mesa duket, Vatikani është bindur qartësisht për nevojën e një dialogu më të gjerë me Islamin.