E Diel, 1 Nëntor 2026

Me kancer, pa ilaçe

Fondi i medikamenteve nuk i plotëson nevojat për të sëmurët onkologjikë. QSUT ka lëvruar vetëm 3.5 milionë euro. Mjekët kërkojnë dyfishimin e fondit

Për t’u ofruar ilaçet e duhura pacientëve që vuajnë nga sëmundjet kancerogjene, duhet lëvruar të paktën edhe një fond tjetër shtesë, i barasvlershëm me atë të akorduar nga Ministria e Shëndetësisë për vitin 2008. Ky është mendimi i mjekëve të Shërbimit Onkologjik në Tiranë, të cilët e shikojnë të pamundur kurimin e plotë të pacientëve me sasinë e ilaçeve të parashikuara për t’u përdorur gjatë këtij viti.  Ky fond shtesë do të ishte sipas mjekëve të shërbimit onkologjik në QSUT, tejet i domosdoshëm në kushtet e vështira me të cilat kryhet sot trajtimi i të sëmurëve me kancer. Ata kërkojnë me ngulm nga Ministria e Shëndetësisë dyfishimin e lëvrimit të fondit, i cili këtë vit nuk i kalon të 3.5 milionë eurot. Këtë shqetësim ka ngritur për mediat edhe shefi i Shërbimit Onkologjik, Agim Sallaku, i cili është shprehur se në bazë të një studimi të kryer mbi trajtimin klinik të pacientëve, është arritur në përfundimin se për të mjekuar rregullisht të sëmurët me kancer, në një vit duhen të paktën 8.5 milionë euro. Kjo sipas shefit të shërbimit, Sallaku, është edhe kostoja reale e medikamenteve që kërkohen në këtë shërbim për t’u trajtuar sa më mirë pacientët. Fondi i caktuar nga buxheti i QSUT-së për medikamentet që i nevojiten Shërbimit Onkologjik, është i pamjaftueshëm edhe për kërkesat që ky shërbim ka për citostatikët. Shefi i shërbimit thotë se i ka kërkuar drejtorisë spitalore që për blerjen e citostatikëve këtë vit të shpenzohen 4.5 milionë euro, shifër kjo më e lartë se i gjithë fondi fillestar i propozuar nga QSUT. Kjo kërkesë është në vazhdën e kërkesave të fundit të bëra nga mjekët e Shërbimit Onkologjik për një autonomi financiare. Arsyeja e parashtrimit të kërkesës për vetëmenaxhimin e të ardhurave kishte të bënte me fluksin në rritje të pacientëve me kancer, që kërkojnë kujdes mjekësor në këtë shërbim, si edhe pamundësisë për t’i trajtuar si duhet këta të fundit me medikamente. Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, numri i pacientëve me kancer ka ardhur në rritje nga viti në vit. Pjesa më e madhe e tyre vijnë nga rrethet dhe në pamundësi të kurimit në vendbanimit e tyre, i drejtohen Shërbimit Onkologjik në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza”. Kjo ka sjellë edhe nevojën e më shumë financimeve dhe shtimit të numrit të shtretërve, aparateve diagnostikuese, EKO-ve, kimioterapive etj. Për ta bërë sa më konkrete kërkesën, drejtuesit e Shërbimit Onkologjik kanë bërë gati edhe një projekt të detajuar, i cili përcakton mënyrën e administrimit të shërbimit pas shpalljes së autonomisë. Sipas mjekëve, ky projekt nuk cenon të drejtën e pacientëve për të marrë shërbimin e duhur mjekësor, pasi synon që edhe pas shkëputjes, shërbimi të mbetet publik dhe të jetë në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë. Projekti synonte gjithashtu, që spitali të kthehet në një qendër kërkimore shkencore dhe t’u jepet më shumë hapësirë shërbimeve të reja onkologjike që do të ngrihen në rrethet e tjera të vendit. Tashmë ky projekt i ka kaluar për shqyrtim Ministrisë së Shëndetësisë dhe nëse do të arrijë të marrë aprovimin, atëherë automatikisht Shërbimi i Onkologjisë do të kalojë në qendër kërkimore shkencore, si edhe diagnostikuese për të sëmurët me kancer.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›