Duam referendum
Qeveria e Serbise
Ne Serbi, qeveria po kerkon mbajtjen e nje referendumi nacionalist per te pyetur qytetaret a duan te shkojne ne Europe me apo pa Kosoven
E paaftë për të mbajtur një qëndrim të përbashkët lidhur me pavarësinë e Kosovës dhe anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian, qeveria e Serbisë ka propozuar mbajtjen e një referendumi popullor mbi integrimin e vendit në bllok. Propozimi u bë publik një ditë më parë nga Partia Demokratike e Serbisë, sipas së cilës, ky referendum mbase do të arrijë të zgjidhë krizën e rëndë që po përjeton koalicioni qeverisës. “Njerëzit duhet të vendosin vetë nëse Serbia duhet të vazhdojë rrugën e saj drejt Evropës, si një e tërë me Kosovën si provincën e saj jugore, apo pa të”, - tha Andreja Mladenoviç, zëdhënës i partisë së kryeministrit serb Voisllav Koshtunica. Sipas tij, një lëvizje e tillë duhet të koordinohet mes të gjitha partive politike parlamentare. Një deklaratë të ngjashme bëri dje në mediat serbe edhe Oliver Duliç, kryetari i parlamentit në Beograd, si dhe një prej aleatëve kyçë të presidentit Boris Tadiç. Sipas tij, një referendum mund të jetë mënyra më e mirë për të zgjidhur ngecjen politike brenda koalicionit qeverisës, e cila nisi në fillim të këtij viti, për shkak të marrëveshjes politike me BE-në. “Referendumi është një opsion i mirë, sepse do të tregojë se njerëzit votuan për një Serbi të fortë dhe evropiane në zgjedhjet presidenciale të 3 shkurtit, ku Tadiç mundi kreun e Partisë Radikale Serbe”, - tha Duliç. Të dyja deklaratat u bënë, pasi parlamenti serb nisi debatet lidhur me një rezolutë të re të radikalëve, e cila parashikon që Serbia të refuzojë çdo marrëdhënie me BE-në, derisa blloku të tërheqë mbështetjen ndaj pavarësisë së Kosovës. Dokumenti i hartuar nga ultranacionalistët e parlamentit mori mbështetjen e dy partive të koalicionit qeverisës, asaj e Koshtunicës dhe Partisë Socialiste të Serbisë. Drafti i bën thirrje ligjvënësve serbë të dënojnë dhe të quajnë të jashtëligjshëm misionin e BE-së në Kosovë dhe të kërkojnë tërheqjen e tij. Dokumenti thekson qartë, se Serbia duhet të heqë dorë nga përpjekja e saj për t’u anëtarësuar në BE pa Kosovën, si pjesë të saj integrale.