E Shtunë, 31 Tetor 2026

Liria, demokracia dhe ndërkombëtarët?

Më 1990 shqiptarët u ngritën kundër sistemit politikoekonomik 45-vjeçar të drejtuar e manipuluar nga një falangë e Ramizit në revolta për liri dhe demokraci. Rendi i Jaltës dhe Teheranit po binte. Fitimtarët kishin vendosur të ndërronin kurs në procesin e një rendi të ri botëror. Byroistët, kush më shumë e kush më pak, të udhëhequr nga gjarpri i Nexhmijes, Ramizit, filluan të linin vetëm lëkurën në hartën e rrugës së ardhshme për të krijuar idenë se ata kishin ngordhur politikisht me gjithë skotën e tyre e me sistemin e vjetër. U krijua ideja se në vend u vendos liria politike dhe demokracia, pra që shumica do të kishte mjetet ligjore për t’u identifikuar si e tillë me vullnetin e vet politik. Palët, në kapërcyellin e dy sistemeve do të kishin mundësi të barabarta të shpallnin alternativat e tyre, duke filluar kështu të siguronin hopin e lirisë së ideve. Në atë kohë ishte një gjë e madhe të kishe lirinë për t’u shprehur dhe për të shfaqur dëshirat politike. Liri-demokraci do të bëhej një ndër parullat kryesore, me oshëtimën e të cilave do të mbusheshin sheshet që kërkonin ndryshim në vendin e kërrusur nga pesha e një diktature surrogat dhe e llojit më të pështirë nga diktaturat e të gjitha vendeve të Lindjes.
Në fakt, neodiktaturat gjithmonë instalohen pas baticave të forta të influencës politike të shumicave të një populli të emancipuar. Ndërsa kjo baticë realizon arritje, që edhe një brez më parë as që e kishte ëndërruar, zbatica e lirisë dhe demokracisë vjen me tinëzi, me avashllëk, me arritje institucionale e me buzëqeshje të liderëve të dy aristokracive kryesore që instalon sistemi kryesisht i synuar dypartiak, me hipokrizi e hera-herës edhe me tërheqje një hap prapa, duke pasur ndërmend për të avancuar dy hapa të tjera përpara, kur shumica ndodhet ndër ara, në punë apo edhe në gjumë, drejt rrëmbimit të skeptrit që në kohën e hopit të baticës dukej sikur e kishte rrëmbyer në mënyrë përfundimtare e të pakthyeshme me një madhështi të pakritikueshme shumica, e cila që të bëhej e tillë kishte pasur nevojë për oksigjenin e lirisë. Shkak i zbaticës dhe kalimit të pushtetit nga populli tek autokratët ose despotët është etja e pashuar për pushtet dhe pasuri e përfaqësuesve të lidershipeve kryesore politike. Ashtu siç thotë protestanti i shquar Tomas Munzeri “që të gjitha krijesat janë kthyer në pronë, peshqit në ujë, zogjtë në ajër, bimët në tokë”. Pabarazia e krijuar nga pabarazia e shanseve, nga shkallmimi i lirisë ka çuar dora-dorës drejt asfiksimit të demokracisë. Ndërsa ‘sfiduesit’ e Ramizit gjoja patën kërkuar të vendosnin popullin regjisor, ata përkundrazi, u kthyen, sidomos qysh prej vitit 2008 kur Berisha&Rama bënë ndryshimet kushtetuese me anë të një puçi antipopullor, në regjisorët realë që e kufizon me rotacion pushtetin dhe shtetin në duart e dy vetave, të cilët përfaqësojnë një duopol okult antidemokratik të së njëjtës aristokracie politike, që kryesisht ka vënë dhjamë nga marrëdhënia me fondet e buxhetit dhe nga privilegjet e shumta të krijuara ndaj saj me shitjen e pronave dhe pasurive publike në ankande apo dhënien e tyre me koncesione.
Në fakt, duke e parë historikisht këtë problem esencial që tregon shkallën e ndërgjegjes politike të një kombi si edhe tendencën historike të aristokracisë politike, e cila është promotori i emancipimit të tij, në Teheran dhe Jaltë, Shqipëria nuk ishte përmendur ekskluzivisht se nga ç’anë e Perdes së Hekurt do të bënte pjesë në planet e Çurçillit dhe Stalinit. Kjo ishte arsyeja se përse ne nuk ishim as në NATO e as në Traktatin e Varshavës, ‘as në Lindje e as në Perëndim’ - shprehje aq e dashur për Ramizin. Shqipëria ishte një rast ‘sui generis’, unik në karakteristikat e veta. Gjithsesi, kur regjimi i Tiranës u përfshi me shërbimet inteligjente në ngjarjet e vitit 1981 në Kosovë, Perëndimi i la dorë të lirë Moskës për të larguar nga kjo botë Mehmet Shehun, i cili kishte marrë mbi shpatulla shumë protagonizëm rajonal në një çështje shumë të ndjeshme për Moskën, e cila kishte përgjegjësinë ndërkombëtare në mbarëvajtjen e jetës së këtyre kombeve dhe ishte garanti i ruajtjes së stakuosë dhe prosperitetit ekonomik e shoqëror të tyre sipas vendimit të fitimtarëve që krijuan rendin e pas Luftës së Dytë Botërore.
Në këtë kuptim, Shqipëria në atë kohë ishte LINDJE, jo vetëm për sa i përket formës së bazës dhe superstrukturës së shtetit, por edhe prej pseudoideologjisë sunduese të një tipi surrogat të lindjes, të cilat i shkonin për shtat sharlatanëve despotë të Tiranës për të sunduar pafundësisht popullin e vendin e tyre. Pikërisht për këto shkaqe, Moska mbante një përgjegjësi për një normalitet në mbarëvajtjen e punëve në këtë cep të botës ku bënte pjesë edhe Shqipëria politike. Po sot, që punët kanë ndryshuar dhe Shqipëria, edhe për shkak të rrethanave ndërkombëtare, edhe për shkak të një vokacioni perëndimor të shumicës absolute të popullit të saj, ka hyrë në një sistem kapitalist dhe në sferën e vendeve perëndimore të NATO-s dhe posaçërisht të SHBA-ve, këto vende a mbajnë një peshë përgjegjësie në lënien dorë të lirë ndaj dy individëve dhe shpurave të tyre të komprometuara në sytë e popullit, qoftë në qeverisjet qendrore, qoftë në ato lokale, madje deri në atë masë sa kanë diskretituar me bëmat e tyre edhe sistemin e drejtësisë, shtyllën e tretë të sistemit politik e ekonomik? Përse këto vende që e kanë si vlerën e tyre më të lartë demokracinë, lejojnë që Shqipëria të ngelet në pozicionin e një stabiliteti politiko-ekonomik të brishtë e gjysmë të stabilizuar autokratik e me një popullsi prej 40%, që jeton në mjerim të thellë për shkak të ekzistencës së një shteti antihuman? Përse ambasadat e huaja perëndimore nuk kanë ndihmuar që ky nivel i ulët i lirive politike, i mungesës së mediave të lira, i gllabërimit të vullnetit të popullit nga ky duopol politik të mos ndodhte? Përse këta përfaqësues heshtën kur u prek Kushtetuta dhe tre pushtetet si dhe institucionet e ‘pavarura’ dhe garanti i Kushtetutës – Presidenti - kaloi faktikisht në dorën e kryetarit të radhës së maxhorancës? Përse këta zotërinj ndërkombëtarë që janë mandatarë dhe mbikëqyrës të nivelit të demokracisë, shkallës së lirisë së qytetarëve, lirisë së mediave, rendit kushtetues lejuan të përdhosej me këto dy Kodet e fundit Zgjedhore ndikimi i qytetarit dhe niveli i demokracisë në vendimmarrje? Përse gjithë këto grupe monitorimi dhe ekipe perëndimore që kontrollojnë Kodin Zgjedhor shqiptar lejojnë që në Shqipëri politikanë të papërgjegjshëm të tallen me popullin për shkak të sistemeve zgjedhore thellësisht politike që ata kanë lejuar? Përse këta nuk kanë ndikuar që të modernizohet teknikisht sistemi zgjedhor dhe të depolitizohet procesi i numërimit si dhe koha e stërzgjatur e nxjerrjes së rezultatit si në asnjë vend tjetër sado të madh?
Si rezultat i mungesës së eksperiencës sonë në këtë lloj sistemi, për shkak se ne nuk jemi kthyer ende në një shtet-komb të konsoliduar, sot, pas 23 vjetësh duket se kemi nevojë për një shkallmim të këtyre barrierave të vendosura me arrogancë nga enturazhi i dy personave protagonistë në masë të ndryshme të ngjarjeve të viteve ‘90 (Berisha e Rama), sigurisht edhe me bekimin e ndërkombëtarëve, indiferenca e të cilëve, përballë dilemave a) stabilitet demokratik, b) pastabilitet demokratik, c) stabilitet autokratik, d) stabilitet despotik, duket se kanë zgjedhur të mbështesin variantin e tretë, atë që u shkon për shtat edhe dy autokratëve Berisha e Rama. Kësisoj, duket se komunistët e Moskës kanë pasur një interesim e përkushtim më të madh në ruajtjen e atyre rregullave të sistemit të parë, me anë të të cilit sigurohej funksionimi i atyre regjimeve në thelb antipopullore e antidemokratike, anipse, siç thamë, sovraniteti i Moskës mbi Tiranën nuk ishte i zyrtarizuar, por i pranuar nga Moska-Londra-Washingtoni vetëm në heshtje edhe për shkak të gjeografisë, pas dështimit të Titos për të gllabëruar Shqipërinë si republikë të shtatë.
Nëse këtë shkrim rastis ta lexojë Berisha ose Rama, natyrisht që ata do të gajasen me naivitetin e autorit të shkrimit dhe atyre që mendojnë afërsisht si ai, sepse ata kanë shumë mjete në duar për ta ruajtur këtë avantazh. Të mos e pranosh avantazhin e tyre dhe pabarazinë e garës do të ishte naivitet. Ja shikoni, a s’ju vjen edhe ju për të qeshur kur ndonjë anëtar i KQZ si Ilirian Muho, ortak me N.Naçon e I.Metën, deklaron se ai është apolitik dhe se ai mbron vetëm ligjin dhe nuk është asfare politik? Po nëse është kështu, përse palët po kacafyten për të gllabëruar sa më shumë vota militantësh në të gjitha nivelet e komisioneve, duke filluar me KQZ-në? A s’tregon kjo se procesi i zgjedhjeve në Shqipëri edhe pas 23 vjetëve është thellësisht i instrumentalizuar dhe i manipuluar? A mbajnë përgjegjësi sidomos SHBA për këtë nivel demokracie e për këtë nivel drejtësie në Shqipëri? A mundet që Shqipëria të jetë një demokraci e stabilizuar? A mundet të lajnë ata duart për këtë proces elektoral të paravendosur nga ligji thellësisht politik e antidemokratik? Sepse Berisha e Rama, me këto mjete që zotërojnë dhe me këtë Kod Zgjedhor nuk lejojnë në mënyrë demokratike dhe me anë të mekanizmit të votës që populli të flasë, nuk lejojnë t’u hapet rruga forcave të reja, të cilat sjellin progres dhe duan që nëpërmjet një evolucioni të pandërprerë ta nxjerrin Shqipërinë nga këneta, stanjacioni dhe degjenerimi i vlerave në të gjitha fushat, për shkak të mungesës së mekanizmave çlirues të superstrukturës shtetërore. Pra, edhe ndërkombëtarët me aprovimet e tyre në heshtje të shtimit të orekseve për pushtet gati absolut të emrave të radhës të përfaqësuesve të dy lidershipëve, rozë e blu, nuk lejojnë forcimin e mekanizmave demokratike dhe shkallës së lirive politike të qytetarëve. Pra ka gjasa që këto zgjedhje do të jenë një farsë. Këto rrjedhime deduktive duken qartazi dhe burojnë prej Kodit të sotëm Zgjedhor, për të cilin unë kam sensibilizuar vazhdimisht opinionin publik me shkrimet e mia qysh para aprovimit të tij në Kuvend.
Dy ujqër të mëdhenj politikë dhe një këlysh i tyre duket se do të jenë shina e vetme reale e trenit të sistemit aktual, si pasardhës respektivisht të PPSH-së. Ramizistët janë te PD-ja; enveristët te PS-ja dhe sulogradecistët janë te LSI-ja. Dihet se sa antipopullore ka qenë PPSH-ja. Ashtu edhe sot këto të tria duket se janë po aq antipopullore. Sot vendi ka nevojë edhe për një shtyllë realisht të djathtë si FRD. Situata dora-dorës po vjen edhe njëherë drejt mbushjes së shesheve me thirrjet “liri-demokraci”, ashtu si para 22 vjetësh. Nëse votat e partive të reja si FRD do të preken, atëherë sistemi ka hequr edhe gurin e fundit të murit të tij dhe ai do të bjerë. Këtë duhet ta shohin me seriozitet edhe supervizorët ndërkombëtarë të Tiranës e të sistemit dhe garantuesit e stabilitetit të tij në Rendin e Ri Botëror pas rënies së Murit të Berlinit në vitet ‘80-‘90.
Sot ne duhet të flisnim për standarde të tjera ekonomike e jo për standardet bazë kushtetuese të të drejtave të njeriut, siç është liria e shprehjes dhe liria për të qenë qytetarë, pra për të shprehur pa manipulime vullnetin politik.

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›