E Shtunë, 31 Tetor 2026

Turqia, e panjohura e ekuacionit TAP

Ndërsa konsorciumet e dy projekteve të gazsjellësve ndërkombëtarë, që planifi kojnë të sjellin gazin jorus në Europë, “Nabucco West” dhe TAP, po presin fundin e muajit qershor për të mësuar se cili prej tyre do të përcaktohet si fitues nga konsorciumi furnizues i gazit të Shah Deniz 2 në Azerbajxhan, një element interesant mund të veçohet në zhvillimet diplomatike dhe politike të lidhura me shahun e gazsjellësve. Kjo ka të bëjë me vështirësinë e leximit të qëndrimit të Turqisë ndaj gazsjellësit “Transadriatica”, TAP, që parashikohet të transportojë gaz nga deti Kaspik në Europë, përmes Turqisë, Greqisë, Shqipërisë dhe Italisë. Turqia është shteti më i rëndësishëm dhe më i madh tranzitues i të gjitha projekteve të gazit, që projektohen të sjellin gazin e Kaspikut, të Azisë Qendrore, të Iranit apo të Lindjes së Mesme drejt Europës, në përputhje me strategjinë e BE dhe të Perëndimit për sigurimin e pavarësisë energjitike nga Rusia.
Turqia është ura më e rëndësishme lidhëse midis pellgut furnizues gazmbajtës dhe pellgut konsumator europian. Pa pjesëmarrjen dhe rolin e Turqisë është e vështirë, në mos e pamundur, që të realizohet Korridori Energjitik Europian i Jugut apo ndonjë projekt gazsjellësi ndërkombëtar, që synon burime joruse furnizimi. Dhe kaq i rëndësishëm është roli i Turqisë në planifikimet strategjike energjitike ndërkontinentale, sa edhe Rusia dhe Gazpromi u detyruan të përfshijnë Ankaranë në projektin e gazsjellësit të ri rus “South Stream” dhe të kalojnë tubacionet e tij nëpër ujërat territoriale turke.
Shqipëria natyrisht është e interesuar shumë për pranimin e ofertës së konsorciumit TAP, gazsjellësi i të cilit parashikohet të kalojë në Shqipëri dhe qeveria shqiptare është angazhuar fort në lobimin e këtij projekti. Por duke qenë se periudha e përzgjedhjes së gazsjellësve përkon me fushatën elektorale për zgjedhjet parlamentare të qershorit, qeveria e ka shndërruar TAP-in në një nga kuajt e betejës elektorale për premtimin e vendeve të reja të punës. Ndërsa në shtator të vitit të kaluar, ministri i Jashtëm i asaj kohe deklaroi se TAP do të krijojë dy mijë vende pune në Shqipëri, në muajin shkurt kryeministri e dhjetëfishoi numrin dhe deklaroi në mbledhjen e qeverisë se TAP do t’i krijojë vendit tonë 20 mijë vende pune.
Në këtë kuadër, edhe interesi i opinionit publik shqiptar është të ndjekë se çfarë ndodh realisht në betejat e mëdha, të heshtura dhe plot të papritura, të konkurrencës dhe të tenderave të gazsjellësve të mësipërm. Një ndjekje e kujdesshme e dinamikës ndërkombëtare rreth njërit dhe tjetrit gazsjellës, të mbështetur të dy nga BE dhe që kalojnë nëpër Ballkan, evidenton një farë distance shtetërore të Turqisë nga projekti TAP. Në një farë kuptimi, Turqia është e panjohura e ekuacionit TAP.
Në datën 12 prill, në Budapest, nën organizimin e Ministrisë së Jashtme të Hungarisë, u mblodh Komiteti i përbashkët i shteteve, ku do të kalojë gazsjellësi “Nabucco West” dhe të cilët kanë nënshkruar një marrëveshje shtetërore të përbashkët për mbështetjen politike të gazsjellësit. Shtetet nënshkruese të kësaj marrëveshje ndërshtetërore, IGA , për “Nabucco West”, janë Austria, Hungaria, Rumania, Bullgaria dhe Turqia. Turqia është nënshkruese e kësaj marrëveshjeje ndërshtetërore, gjë që natyrisht flet për një angazhim të drejtpërdrejtë në një nivel zyrtar në realizimin e gazsjellësit “Nabucco West”. Në deklaratën përbashkët të nënshkruar pas takimit në Budapest, shtetet pjesëmarrëse konfirmuan angazhimin e tyre që të sigurojnë që “Nabucco West” të zgjidhet si rruga e parë europiane e transportit të gazit nga Kaspiku. Marrëveshja ndërshtetërore për gazsjellësin “Nabucco West” është ratifikuar nga parlamentet e të gjitha shteteve pjesëmarrëse, duke përfshirë dhe Parlamentin e Turqisë, dhe sipas presidentit të konsorciumit “Nabucco West”, kjo marrëveshje ka marrë formën e një traktati me afat 50-vjeçar. Shteti më i rëndësishëm tranzitues, Turqia, që shërben si urë lidhëse kryesore e rrugëve të transmetimit energjitik për në Europe, është bashkuar me një marrëveshje shtetërore shumëpalëshe të të gjithë shteteve tranzituese.
Mirëpo nuk mund të mos tërheqë vëmendjen fakti se në nënshkrimin e të njëjtit tip marrëveshjeje ndërshtetërore, IGA, të të tria shteteve tranzituese për gazsjellësin TAP, që u firmos në 13 shkurt në Athinë nga Greqia, Italia dhe Shqipëria, nuk ishte e pranishme dhe nuk ishte pjesë e marrëveshjes Turqia. Në Qeverinë e Shqipërisë askush nuk e ndjeu për detyrim të informimit publik të jepte ndonjë shpjegim se përse ishte jashtë marrëveshjes trepalëshe Turqia, në një kohë kur logjika e kërkonte që marrëveshja ndërshtetërore e shteteve tranzituese duhet të përfshinte edhe shtetin kryesor të transportit të gazit, që është Turqia. Qeveria dhe diplomacia shqiptare bënë në atë kohë gabimin e madh, që tentuan ta paraqesin nënshkrimin e marrëveshjes ndërshtetërorë mes tri shteteve, sikur ishte një akt gjeneroz i Greqisë ndaj Shqipërisë për ta kaluar gazsjellësin TAP nëpër Shqipëri. Ky infantilitet propagandistik i duhej qeverisë dhe diplomacisë si një alibi, që mund të justifikonte theroret e integritetit territorial shtetëror, siç ishin hapësirat detare, që qeveria tentoi t’i dhurojë Greqisë, pa u menduar dy herë, në prill të vitit 2009, me firmën e ministrit të Jashtëm të kohës, Lulzim Basha. Qeveria dhe diplomacia shqiptare bënin sikur nuk e kuptonin se kalimi i TAP-it nëpër Shqipëri ishte zgjedhje e konsorciumit, që financon projektin. Nuk është e qartë pse qeveria dhe diplomacia bënin sikur harronin se shteti kryesor tranzitues nuk ishte Greqia, por Turqia, sepse pa territorin turk nuk mund të realizohet asnjë projekt, që synon të sjellë gazin azer nëpër Ballkan.
Natyrisht, mungesa e Turqisë në marrëveshjet ndërshtetërore tranzituese për gazsjellësin TAP krijon një shqetësim dhe publiku shqiptar e meriton një shpjegim të paktën nga Qeveria shqiptare, sepse përsa u përket qeverive të tjera, ato kanë raporte me publikun e tyre. Por të duket jonormale, kur ka pasur nga Tirana një vërshim ekskursionesh zyrtare dhe deklaratash lutëse në drejtim të Greqisë tranzituese për gazsjellësin TAP dhe nuk është konstatuar ndonjë lëvizje diplomatike e Qeverisë së Shqipërisë në drejtim të Turqisë për gazsjellësin TAP.
Turqia si shtet i fuqishëm ekonomikisht, politikisht dhe ushtarakisht dhe me një rol të veçantë në skakierën rajonale të fuqisë, përbën në grupin e shteteve tranzituese faktorin dhe lojtarin më të rëndësishëm. Si e tillë, vizioni i saj energjitik dhe diplomacia e saj energjitike duhet të ndiqen me vëmendje jo vetëm për Ballkanin, por paraqesin dimensione që shkojnë përtej Ballkanit. Zyrtarisht Ankaraja ka mbajtur një qëndrim korrekt dhe të ekuilibruar, duke shprehur mbështetje për të gjithë projektet e gazsjellësve, që synojnë të transportojnë gazin jorus në Europë. Është gazsjellësi i Turqisë, “Transanatolian pipeline”, TANAP, që do të jetë kanali i përçimit të gazit për në Europë për cilido gazsjellës, që do të fitojë tenderin e gazit të Azerbajxhanit. Konsorciumi i gazsjellësit TANAP, që do ndërtohet për të çuar gazin azer në Turqi, ka nënshkruar Memorandum Mirëkuptimi dhe me konsorciumin “Nabucco West”, edhe me konsorciumin TAP. Qëndrimin e ekuilibruar të Turqisë e shprehu në datën 10 prill edhe ambasadori Mitat Rende, drejtor i departamentit të çështjeve ekonomike shumëpalëshe dhe i energjisë në Ministrinë e Jashtme të Turqisë, i cili deklaroi në një konferencë të posaçme ndërkombëtare për energjinë se, Turqia dëshiron t’i shohë të realizuara të dyja projektet, që do të çojnë gazin e Azerbajxhanit në Europë, edhe TAP-in, edhe “Nabucco West”, sepse sipas mendimit të Ankarasë, në një plan afatgjatë të dy gazsjellësit janë të nevojshëm.
Përtej këtij qëndrimi zyrtar të ekuilibruar të diplomacisë energjitike turke, megjithatë nuk mund të shmanget nevoja e një shpjegimi nga Qeveria shqiptare, aq e dalldisur pas TAP-it, se përse Turqia nuk është pjesëmarrëse e një marrëveshjeje ndërshtetërore edhe me shtetet tranzituese të TAP-it, siç është me shtetet tranzituese të “Nabucco West”. Situata nuk ka të bëjë me llogarira financiare apo tregtare, nuk ka të bëjë as me nivelin e mjaftueshëm apo të pamjaftueshëm të përçapjeve të konsorciumeve, që do të ndërtojnë njërin apo tjetrin gazsjellës. Ajo është një çështje që ka të bëjë me diplomacinë energjitike dhe me strategjinë energjitike, si dhe me rolin dhe reputacionin, që secili shtet tranzitues i krijon vetes.
Nga përvoja diplomatike unë kam të drejtë të dyshoj nëse Qeveria e Shqipërisë ka një diplomaci energjitike dhe nëse ka ditur t’i japë Shqipërisë rëndësinë e duhur në skakierën e lojërave energjitike, që luhen në lidhje me Ballkanin. Duke e impostuar veten, në një rol inferior sikur gazsjellësin TAP po ia sjell plaku i Vitit të Ri nga Athina, qeveria ka komprometuar paraprakisht kuotën e besimit, që mund të kenë te qeveria e Tiranës shtetet e tjera të përfshira në projekte dhe në interesa energjitike në Ballkan.
Diplomacia energjitike e Shqipërisë është ende në fazën e infantilizmit profesional dhe për më keq, shfaqet e zhytur në interesa meskine personale të përfitimeve financiare dhe pushtetore, të cilat, si rregull shqiptar, shtyjnë kolltuqet me dy rrota të atyre, që drejtojnë shtetin.

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›