E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish-ushtarakët, lista e plotë e 847 përfituesve sipas dikastereve

SHKRUAN: Jonida Tashi 13-05-2011 12:02

Instituti i Sigurimeve Shoqërore publikon listën e plotë me emrat e ish-ushtarakëve, për të cilët ka përfunduar procesi i llogaritjes dhe caktimit të pensionit që nga fillimi i procesit deri në datën 5 maj. Në total bëhet fjalë për 847 përfitues, të cilët i përkasin dikastereve dhe rretheve të ndryshme të vendit. Ndërkaq, në këtë listë ISSh ka përcaktuar edhe qendrat paguese, ku ish-ushtarakët duhet të paraqiten për të tërhequr llojin e përfitimit që u takon. Përsa i përket llojit të përfitimeve, ashtu siç edhe ISSH ka bërë të ditur që në nisje të procesit se në fazën e parë të rillogaritjes së pensioneve të ish-ushtarakëve, do të përfundojë sa më shpejt procedurën për të gjithë ata persona, të cilëve u ka lindur e drejta qysh prej datës 1.7.2009, por nuk kanë përfituar të drejtën e pagesës dhe këta janë përfitues për pension të parakohshëm për lehtësi shërbimi. Por, përpos nisjes së procesit për ushtarakët që do të përfitojnë për herë të parë pensione të parakohshme, burime nga ISSh-ja bëjnë të ditur se tashmë ky institucion është gati të llogarisë dhe ndajë pensionet edhe për ushtarakët e tjerë që trajtohen jo vetëm me këtë lloj përfitimi, ndërkohë që pritet vetëm konfirmimi i të dhënave nga institucionet përkatëse që janë vjetërsia në punën dhe paga referuese. Faza e dytë janë personat të pensioneve suplementare të ish-ushtarakëve para 30 qershorit 1991, të cilët kanë dalë në rezervë. Kryesisht, këta janë kategoria e personave të cilët kanë dalë që të gjithë në pension, por nuk kanë përfituar nga ligjet e mëparshme. Aktualisht, siç shihet edhe nga lista e publikuar nga ISSh ka nisur procesi edhe për këta të fundit, ndonëse përfituesit e deritanishëm janë të paktë në numër.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›