Lirimi i 4 të akuzuarve për skandalin e pagave, Alibeaj: Po mbrohet krimi zgjedhor!

Partia Demokratike reagoi sot ndaj vendimit të gjykatës për të liruar 4 personat e akuzuar për nxjerrjen e të dhënave personale të shqiptarëve. Nënkryetari i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj tha këtë të hënë se sipas tij ky vendim është dëshmi e qartë se Edi Rama po mbron krimin e vet për vjedhjen e zgjedhjeve. “Vendimi i sotëm i gjykatës është dëshmi e qarte se autoret e publikimit të të dhënave, përfshirë dhe atë të patronazhistëve janë kryeministri dhe vartësit e tij. Nuk ka asnjë shpjegim juridik apo logjike normale që të justifikojë gjykimin në gjendje të lirë për 4 personat që kryen krimin, i cili i ka shërbyer para së gjithash, Edi Ramës” tha Alibeaj.
“Të dhënat e kartës së identitetit, vendit të punës, numrit të telefonit, pagës së qytetarëve u vodhën për të vjedhur zgjedhjet! Ato janë pjesë e skemës kriminale të patronazhimit për vjedhjen e zgjedhjeve të 25 prillit, në shërbim të pushtetit personal të një njeriu të vetëm, Edi Ramës” tha Nënkryetari i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj.