Lirimi i hapësirave publike, Rama: Ecim pa ndalim

TIRANË, 15 shtator /ATSH/ Puna për lirimin e hapësirave publike vijon pa ndalim në të gjithë vendin.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga puna që po zhvillohet në terren për lirimin e hapësirave publike në Vlorë
Në postimin e tij, Rama shfaq momente nga puna e grupeve të angazhuara në “ofensivën” për çlirimin e trotuareve, rrugicave dhe ambienteve të zëna në mënyrë të paligjshme, duke theksuar ritmin e pandalshëm të ndërhyrjeve urbane për kthimin e hapësirave publike në shërbim të qytetarëve
“Ecim, pa ndalim”, shkruan Kryeministri në postim, duke nënvizuar vijimin e këtij procesi si pjesë e vizionit për “Rilindjen Urbane 2.0”.
Nisma ka gjetur zbatim të gjerë në të gjithë vendin për rikthimin e hapësirave publike në funksion të komunitetit, duke i dhënë qytetit më shumë hapësira të lira për këmbësorët, fëmijët dhe aktivitetet sociale.
Në kuadër të këtij programi parashikohet zgjerimi i hapësirave të gjelbra, sistemimi i shesheve dhe trotuareve, rikonceptimi i zonave pedonale, duke i dhënë më shumë hapësirë komunitetit dhe zhvillimit të turizmit.
Programi pason fazën e parë të “Rilindjes Urbane”, e cila solli ndër vite transformime në qendrat kryesore urbane të vendit, duke synuar tashmë një nivel më të lartë ndërhyrjesh për standarde europiane të hapësirave publike.
Kryeministri Rama ka paralajmëruar se po hartohet Rregullorja Kombëtare, e cila do të përcaktojë me ligj hapësirat që do të mund të shfrytëzojnë bizneset. Sipas tij, “për çdo karrige të vendosur në hapësirën e kufizuar, subjekti duhet të kontribuojë me një pemë në Fondin e Gjelbër, që do të krijojë qeveria e re”.
Po ashtu, Rama ka bërë të ditur se do të ashpërsohen dënimet penale dhe administrative për shkeljet që lidhen me hapësirat publike.
Portali “Hapësiraimepublike.gov.al” vjen në kuadër të këtij vizioni të qeverisë dhe është një instrument në ndihmë të qytetarëve, ku mund të raportojnë rastet cenimit të hapësirave publike në kundërshtim me ligjin. Dhe, në një muaj nga prezantimi i portalit janë 10759 raste të raportuara, nga të cilat janë zgjidhur 7383 raste, ndërsa 3376 të tjera janë aktualisht në proces shqyrtimi.
/e.xh//a.f//r.e/
Visualizza questo post su InstagramUn post condiviso da Agjencia Telegrafike Shqiptare (@ata.gov.al)