Lirimi i hapësirave publike, Rama: Së shpejti nisim konsultimet me qytetarët dhe biznesin e vogël

Kryeministri Edi Rama njoftoi se së shpejti do të nisë konsultimi me komunitetet dhe sipërmarrësit e vegjël për “Projekt-Rregulloren Kombëtare të Hapësirës Publike”. Deklarata erdhi ndërsa ai publikoi foto nga aksioni për lirimin e hapësirave publike në qytetin e Elbasanit, pjesë e një fushate që po zhvillohet prej javësh në qytetet kryesore të vendit.
Më herët, Rama tha se synimi është të krijohet një ekuilibër mes të drejtës së qytetarëve për hapësira të lira dhe nevojës së bizneseve për shërbim në ambient të jashtëm. Sipas tij, propozimi është që 70% e trotuarit të jetë i dedikuar për këmbësorët, ndërsa 30% të përdoret nga bizneset për aktivitet jashtë.
“Kjo është një vijë ku do të shkojmë dhe nuk do të tolerohet më transformimi i hapësirave të përbashkëta në zaptime që përjashtojnë komunitetin nga përdorimi i territorit të përbashkët,” është shprehur Rama gjatë aksionit për lirimin e hapësirave publike.
Në aksioni për lirimin e hapësirave publike janë përfshirë pastrimi i akseve rrugore nga vendosja e objekteve të ndryshme në anë të tyre. Bizneseve u është lënë afat deri më 31 korrik për t’i larguar objektet që mund të kenë në anë të rrugës, në të kundërt do të përballen me masa ndëshkimore.
Pak ditë më parë Këshilli i Ministrave miratoi një sërë ndryshimesh në Rregulloren e Zhvillimit të Territorit, me qëllim frenimin e abuzimeve me ndërtimet dhe mbrojtjen e hapësirave publike.
Ndryshimet parashikonin ndalimin e bllokimit të rrugëve dhe zonave të përbashkëta, si dhe lehtësimin e procedurave për investitorët që veprojnë brenda kornizës ligjore.
/rtsh.al/