E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Çipa modeli i ndershmërisë dhe i pasionit të ndryshimit

25/04/2011  Kreu socialist vijon turin elektoral për zgjedhjet e 8 majit në jug të vendit

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, gjatë rrugëtimit të tij në jug të vendit u ndal në qytetin bregdetar të Sarandës. Gjatë turit të tij në funksion të zgjedhjeve vendore të 8 majit, kreu Rama prezantoi kandidatin e koalicionit “Aleanca për të ardhmen” për kreun e Bashkisë së Sarandës, Stefan Çipa. Në këtë takim elektoral me mbështetës të së majtës, Rama preferoi të bëjë dallimet mes dy modeleve që i paraqiten këtij qyteti për të drejtuar dhe administruar qeverisjen lokale. Ndërkohë që gjatë fjalës së tij, kreu socialist nuk harroi të shigjetojë ashpër jo vetëm keqqeverisjen aktuale të bashkisë së qytetit bregdetar, por dhe keqqeverisjen e pushtetit qendror nga mazhoranca aktuale. Për këtë arsye, kryetari i Partisë Socialiste, Rama, ftoi qytetarët e Sarandës që të votojnë për kandidatin e koalicionit “Aleanca për të ardhmen”, Stefan Çipa, si e vetmja mundësi për ti dhënë fund keqqeverisjes në këtë qytet turistik në jug të vendit. “Dita e 8 majit është zgjedhje midis dy njerëzve dhe dy modeleve krejt të ndryshme. Saranda është keqqeverisur nga Saliu i vogël, në frymën e Saliut të madh”, vuri në dukje Rama, duke iu referuar rivalit demokrat Edmond Gjoka, që kërkon një mandat të tretë në krye të Bashkisë së Sarandës. Madje, duke vijuar po në këtë linjë, Rama nuk kurseu ironinë lidhur me premtimet e kundërshtarit të tij politik. “Në Sarandë ka për të ardhur edhe Saliu dhe ka për tu premtuar qytetarëve dhe alpinizëm, megjithëse nuk keni male, edhe automobilizëm e autoçiklizëm dhe se ujin e kripur të detit do ta bëjë të pijshëm, por nuk do tu thotë se pse ka 1 milion të papunë, pse ka taksa pa fund dhe pse rriten çmimet përditë, dhe pse llumin ua shet për naftë”, u shpreh Rama. Njëkohësisht, referuar sloganit që udhëheq fushatën e kampit të djathtë, kreu i PS-së vlerësoi se “sado që kryeministri Berisha thotë se qytetarët janë të parët, politika e tij është e tillë që e vë popullin përpara”. Ndërkohë që gjatë fjalës së tij, Rama e konsideroi kandidatin Stefan Çipa si “përfaqësuesin model të koalicionit “Aleanca për të ardhmen”. “Është model i ndershmërisë dhe i pasionit të ndryshimit dhe të investimit për të nesërmen e qytetit”. Për këtë arsye, Rama u bëri apel qytetarëve që më 8 maj të shkojnë masivisht në kutitë e votimit, “si në një demonstratë të madhe popullore”.

Braçe: Basha fsheh pasurinë, deklaron shifra të rreme

Partia Socialiste kërkoi dje nga ish-ministri Lulëzim Basha, kandidat i mazhorancës për kreun e Bashkisë së Tiranës, të japë shpjegimet e nevojshme për pasurinë e tij. Kjo nisur nga faktet e publikuara në median e shkruar, mbi të dhënat e deklaruara nga ish-ministri në deklaratën e tij të pasurisë. Ishte deputeti i PS-së, Erion Braçe, ai i cili gjatë një deklarate për shtyp, iu referua pasurisë së Bashës në kohën e qëndrimit të tij në Holandë. Sipas Braçes, Basha ka fshehur pasurinë e tij, duke paraqitur shifra të rreme. “Lulzim Basha po fshihet, kur duhet të dalë e të japë shpjegime për këto pretendime të medias, si funksionar i lartë shtetëror. Ligji thotë qartë se nuk duhet të gënjejë për pasurinë, siç ka bërë. Ai ka deklaruar e mashtruar për shtëpinë e blerë e të shitur në Holandë”, vlerësoi Braçe. Njëkohësisht, deputeti socialist kërkoi nga ILDKP-ja të sqarojë mbi hetimet e pasurisë së ish-ministrit Basha.

Ndoka në takime elektorale

Kreu i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, zhvilloi takimin të radhës, ku prezantoi kandidatin e “Aleancës për të ardhmen”, Artan Shkëmbi. Gjatë fjalës së tij, Ndoka u ndal dhe tek qeverisja Berisha. “Këshilltarët e partisë sonë në këta këshilla asnjëherë nuk do të jenë bllokues apo të marrin urdhra për të bllokuar kryetarët e bashkive dhe komunave, as për bindjet tona politike, por do të jenë në shërbim të komunitetit”, vuri në dukje, kreu demokristian, Ndoka. Aleatët e PS-së, pjesë e koalicionit “Aleanca për të ardhmen”, janë parë shumë pak në fushatë elektorale. Ndërkohë që në shumicën e rasteve takimet e tyre janë të përqendruara vetëm tek thithja e votave për kandidatët për këshilltarë vendorë. Kjo pasi ishin të pakta në numër zonat e lira që PS u la aleatëve të saj për garuar më 8 maj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›