E Shtunë, 31 Tetor 2026

Stabilizohet euro, në revansh nga korriku 2010

26/04/2011  Këmbehej me 141,42 lekë

Fluksi i emigrantëve që u kthyen në Shqipëri për festën e Pashkëve frenoi rritjen e mëtejshme të monedhës evropiane euro në tregun e këmbimit valutor. Fluksi i shkëmbimeve u rrit ditët e fundit, edhe pse në sasi të vogla. Kjo bëri që monedha e përbashkët evropiane, të ruajë një nivel të qëndrueshëm, pavarësisht presionit të bursave. Në tregun e shkëmbimit valutor një euro blihet me 141 lekë dhe shitet me 141.5 lekë, ndërsa euro këmbehet me 96.8 lekë në blerje dhe me 97.4 lekë në shitje. Analistët ekonomikë shprehen se euro do të ruajë edhe për disa kohë kuotën mbi 141 lekë dhe vetëm në verë parashikohet një rënie e saj, si pasojë e kthimit të emigrantëve për pushimet verore. Euro ka fituar ditë pas dite e javë pas jave mbivlerësim në lidhje me monedhën vendase dhe kjo situatë që prej janarit të këtij viti. Në ditët e para të janarit të këtij viti një euro këmbehej me kursin e Bankës së Shqipërisë me 138 lekë e 70 qindarka, ndërsa këtë të hënë kursi ishte 141 lekë e 42 qindarka. Vetëm gjatë këtij muaji euro ka fituar rreth një lek në vlerën e saj. Edhe pse me një rritje të ngadaltë, monedha evropiane nuk e ka ndryshuar tendencën që prej disa muajsh. Vlera më e ulët e euros ka qenë në korrikun e 2010-ës kur këmbehej me 134 lekë e 86 qindarka dhe që prej kësaj kohe tendenca ka qenë gjithnjë në rritje.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›