Tabaku kërkon listën e përfituesve nga falja e detyrimeve, Malaj: Asnjë tatimpagues në hetim nuk përfiton

TIRANË, 4 dhjetor/ATSH/ Deputetë të mazhorancës dhe opozitës u përfshinë në debat gjatë seancës së sotme parlamentare lidhur me projektligjin për fshirjen e detyrimeve tatimore dhe doganore, dhe publikimin e listës së tatimpaguesve që do të përfitojnë nga ky ligj.
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, kërkoi nga Ministria e Financave publikimin e listës së përfituesve, duke theksuar rëndësinë e transparencës për bizneset shqiptare.
“Kam kërkuar prej një muaji nga Ministri i Financave informacion mbi përfituesit e ligjit të shlyerjes së borxheve, por nuk ka ofruar transparencë. Bizneset shqiptare kanë nevojë të dinë se cilat subjekte do të përfitojnë”, deklaroi Tabaku.
Ajo theksoi gjithashtu se ka dërguar katër shkresa, por nuk ka marrë përgjigje nga MF, duke kërkuar që informacioni të bëhet publik për të kuptuar se cilat biznese do të përfitojnë nga ligji dhe nëse ka përfitues të veçantë.
“Ministri i Financave ka detyrën kushtetuese të kthejë përgjigje sa i përket përfituesve. A janë përfituesit koncesionarë, evazorë fiskalë, marrës të tenderave publikë, subjekte të SPAK? Nuk mund ta miratojmë atë nen për nen, pa pasur informacionin e plotë, transparencë për këtë ligj. Për cilin ky ligj ka ardhur këtu në Parlament, kë mbron, kë do të ndihmojë, kujt do t’i shlyejë borxhet dhe cilin biznes qeveria kësaj radhe do të mbështesë me ligje speciale siç është bërë normale në këtë sallë parlamenti?”, tha Tabaku.
Ministri i Financave, Petrit Malaj e cilësoi retorikë politike qëndrimin e deputetes Tabaku dhe u shpreh se projektligji ka parashikuar që asnjë tatimpagues që është në ndjekje penale, apo në hetim tatimor të mos përfitojë nga fshirja e detyrimeve.
“Kërkesa juaj ka ardhur vetëm një javë më parë dhe informacioni që kërkoni është e dhënë personale. Si ligjvënëse e vjetër e Parlamentit duhet të dini se kërkesa që keni sjellë është në kundërshtim me disa ligje të tjera. Për nivelin e informacionit që keni kërkuar, duhet t’i referoheni ligjit “Për procedurat tatimore” për të kërkuar që informacioni që ju kërkoni nuk mund të ndahet, sepse është e dhënë personale dhe do të duhet të kërkoni konsensusin e debitorit që të japë informacion mbi borxhet që ka në raport me administratën tatimore”, u shpreh Malaj.
Sipas tij, numri i përgjithshëm i përfituesve të ligjit për shlyerjen e detyrimeve tatimore dhe doganore është rreth 202 mijë.
Ministri siguroi se ligji synon të përfshijë vetëm tatimpaguesit pa probleme penale dhe nuk favorizon asnjë subjekt të caktuar.
“Përfituesit që janë në ndjekje penale ose në hetim tatimor nuk përfitojnë nga fshirja e detyrimeve”, tha Malaj.
/j.p/r.e/