E Hënë, 2 Nëntor 2026

Salla, takim me përfaqësues të Bankës Botërore për ecurinë e projektit CRAD

TIRANË, 4 dhjetor/ATSH/ Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla zhvilloi sot një takim pune me drejtorin Rajonal të Praktikës për Planetin në Bankën Botërore, Sameh Naguib Wahba, si dhe me ekipin teknik të institucionit, në kuadër të projektit “Qëndrueshmëria ndaj Klimës dhe Zhvillimi i Bujqësisë” (CRAD).

Gjatë takimit, ministri Salla vlerësoi bashkëpunimin 33-vjeçar ndërmjet Shqipërisë dhe Bankës Botërore, duke theksuar rolin e rëndësishëm të institucionit në mbështetjen e reformave dhe zhvillimit të qëndrueshëm të sektorit bujqësor.

Ai nënvizoi rëndësinë strategjike të projektit CRAD, sidomos në drejtim të bujqësisë inteligjente, rritjes së kapaciteteve laboratorike dhe zhvillimit të klasterit të ullirit.

Ministri vlerësoi gjithashtu progresin e bërë për ngritjen e konsorciumit të vajit të ullirit “Berati 2400 vjet”, një nismë e financuar nga Qeveria Shqiptare dhe e mbështetur teknikisht nga Banka Botërore. Konsorciumi synon bashkimin e 50 fermerëve dhe aktorëve të zinxhirit të vlerës për prodhimin dhe tregtimin e vajit të ullirit me markën “Made in Berat”, duke krijuar një brend të qëndrueshëm për tregun vendas dhe atë ndërkombëtar.

Përveç Beratit, pesë bashki të tjera: Fier, Gjirokastër, Elbasan, Lezhë dhe Vlorë, janë përzgjedhur si zona pilot për ngritjen e konsorciumeve të ngjashme, duke hedhur bazat për një rrjet kombëtar bashkëpunimi në bujqësi dhe duke rritur konkurrueshmërinë e produkteve shqiptare.

Në takim u diskutuan gjithashtu mundësi të mëtejshme bashkëpunimi, përfshirë realizimin e studimit të parafizibilitetit për sigurinë e digave, investimet në sigurinë ushqimore dhe laboratorët, zgjerimin e bujqësisë inteligjente përtej zonës pilot, si dhe vazhdimin e ndërhyrjeve në sistemin ujitës në Lushnjë.

Ministri Salla shprehu angazhimin maksimal për përmbylljen me sukses të Misionit të Vlerësimit të Mesëm që do të zhvillohet brenda muajit dhjetor, si dhe vullnetin për të thelluar bashkëpunimin me Bankën Botërore, në funksion të zhvillimit afatgjatë të sektorit bujqësor dhe rural në vend.

1 nga 7

/j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›