E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maturantët: Çelësat e provimeve me përgjigje të gabuara

Gazeta Shqip

Në zgjidhjen e publikuar nga ministria vërehet vlerësim i pasaktë në dy pyetje të testit të fizikës

Tri ditë pas mbylljes së Maturës Shtetërore të këtij viti me provimet me zgjedhje, maturantët e kryeqytetit denoncojnë disa parregullsi. Bëhet fjalë për testin e fizikës bërthamë, ku në çelësat e përgjigjeve, Ministria e Arsimit dhe e Shkencës ka botuar pasaktësi. Vlerësimi që kanë dhënë është i gabuar për dy pyetje. Pas provimeve, Ministria e Arsimit publikon testin e plotë dhe çelësat e përgjigjeve ku maturantët bëjnë edhe kontrollin e vetes. Këtë vit, parregullsitë janë gjendur në dy pyetje, të variantit A të testit të fizikës bërthamë. Konkretisht maturantët kanë denoncuar pranë gazetës Shqip duke thënë se:

Një problem shqetësues për ne maturantët janë dhe disa pasaktësi në mënyrën e korrigjimit të tezës së fizikës bërthamë, të vërejtura pas publikimit të testit të zgjidhur në faqen zyrtare të MASH. Në zgjidhjen e publikuar, kemi vënë re pasaktësi vlerësimi në ushtrimet 3 dhe 15.

Në ushtrimin nr. 3 është kërkuar të gjendet pesha e trupit P2, e cila është 50N. Në përgjigjen e publikuar jepet pesha e trupit P1, e cila është 100N. Lapsus apo gabim pa dashje, gjykojmë se alternativa duhet të merret e saktë, pasi është dhe përgjigjja e saktë për pyetjen. Duke mos gjykuar askënd, mendojmë se do të ishte më e saktë nëse merreshin të dyja alternativat si të sakta, sqarojnë kandidatët për student.

Sipas tyre, për sa i përket ushtrimit nr. 15, në përgjigjen e publikuar jepet një lidhje në seri dhe paralel e kondensatorëve kur realisht të tre kondensatorët janë të lidhur në paralel midis tyre. Kjo krijon dhe përgjigje të gabuara në nënkërkesat e tjera të këtij ushtrimi.

Maturantët: Çelësat e provimeve me përgjigje të gabuara burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›