E Diel, 1 Nëntor 2026

Lirohet Gjergj Hajati, mashtruesi grabiti 2 milionë dollarë

Autori i Lajmit: red.
Gjykata e Merilendit e ka liruar një ditë më parë Gjergj Hajatin, kundrejt një garancie pasurore prej 30 mijë dollarësh. 31-vjeçari është arrestuar në muajin mars në Han të Hotit, për llogari të FBI-së, që e kishte shpallur në kërkim Hajatin, pasi dyshohet se kishte grabitur nëpërmjet mashtrimit, rreth 2 milionë dollarë. Pas arrestimit të tij në Shkodër, burime të policisë pohuan se Gjergj Hajati ishte i kërkuar nga policia e qytetit të Harfordit, në shtetin e Merilendit, SHBA, për mashtrime në shuma të mëdha. Shkodrani 31-vjeçar, i cili është arrestuar në mars të këtij viti me kërkesë të FBI-së amerikane, dyshohet se ka vjedhur me anë të mashtrimit paratë. Gjergj Hajati u arrestua teksa po tentonte të largohej në drejtim të Malit të Zi. Ai u kap në afërsi të kalimit kufitar të Hanit të Hotit, ndërsa po përpiqej të largohej nga Shqipëria. Hetimet për lokalizimin e vendndodhjes së 31-vjeçarit Hajati nisën disa muaj më parë nga ana e agjentëve të Departamentit Amerikan të Shtetit pranë ambasadës amerikane, agjentëve të FBI në bashkëpunim me Interpol Tiranën duke bërë të mundur gjetjen e kapjen e tij.
Kërkesa
Autoritetet e drejtësisë amerikane të shtetit Merilend (Maryland) u kanë kërkuar pak muaj më parë, autoriteteve shqiptare që të bënin ekstradimin për në SHBA të shkodranit me shtetësi amerikane, Gjergji Hajati, i njohur ndryshe nga amerikanët me emrin George Hajati. Ndaj Hajatit rëndonte akuza e vjedhjes me anë të mashtrimit, vepër penale e kryer në SHBA. Lajmi u konfirmua nga burime zyrtare pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në kryeqytet, ku Prokuroria e Përgjithshme, me kërkesë të autoriteteve amerikane të Drejtësisë, paraqiti padinë me objekt ekstradimin e 31-vjeçarit Hajati në drejtim të SHBA-së. Sipas prokurorisë, Hajati akuzohet se ka përfituar me anë të mashtrimit rreth 2 milionë dollarë amerikanë nga bankat lokale të distriktit Harford të shtetit të Merilendit. "Pak ditë para shpalljes në kërkim nga agjentët e FBI-së, shkodrani me shtetësi amerikane, Gjergji Hajati, i njohur ndryshe me emrin George Hajati, është larguar nga SHBA-ja, ndërsa kishte marrë rrugën e rikthimit në Shqipëri duke tentuar të futej nëpërmjet Malit të Zi. Me kërkesë të zyrës federale të FBI-së, Gjykata e Distriktit Harford të shtetit të Merilendit, kishte caktuar më 24 janar 2008 ndaj shkodranit masën e sigurisë "arrest me burg" në mungesë, duke lëshuar njëkohësisht urdhërarrestin ndërkombëtar për të. Pas shpalljes në kërkim, emri i tij u rendit në listën e ndër më të kërkuarve të Interpol-it. Ndërsa tani Gjergj Hajati gëzon lirinë me kusht, kundrejt një garancie pasurore prej 30 mijë dollarësh.
Arrestimi
Me ndihmën e agjentëve të Departamentit Amerikan të Shtetit pranë ambasadës amerikane në kryeqytet, agjentëve të FBI-së në bashkëpunim me Interpol Tiranën, është zbuluar vendqëndrimi i shkodranit Hajati. Ndërkohë në kërkesën për ekstradim u theksua fakti, se për tre muaj agjentët amerikane dhe ata shqiptarë kanë punuar për identifikimin e vendndodhjes së Hajatit dhe lëvizjeve të tij nëpër Shqipëri, ku edhe u kap nga autoritetet shqiptare nën shoqërinë e një personi tjetër, ndërsa tentohej largimi i tij nga Shqipëria. "Pas studimit të lëvizjeve të tij dhe kontaktet që ai mbante, është zbuluar se mëngjesin e datës 18 mars 2009, Hajati me ndihmën e disa shokëve të tij ishte përgatitur të largohej për në Mal të Zi për t iu shmangur arrestimit. Pas marrjes së këtij informacioni, agjentët amerikanë në bashkëpunim me Interpol-Tiranën kanë organizuar operacionin për arrestimin e tij, duke ndaluar mesditën e 28 marsit 2009 makinën me të cilën po udhëtonte Hajati në drejtim të Malit të Zi",- thuhet në dosje. Arrestimi i tij u bë vetëm pak metra larg pikës së kalimit kufitar të Hanit të Hotit mes Shqipërisë dhe Malit të Zi. Më pas, super i kërkuari Hajati u transferua në drejtim të paraburgimit 313 në kryeqytet, ndërsa i ishte komunikuar arrestimi me akuzën e ngritur nga autoritetet amerikane të drejtësisë. Vepra për të cilën akuzohej shkodrani Hajati, ajo e parashikuar në Nenin 18, Seksioni Numër 1341 të Kodit Penal të SHBA-së, parashikon një dënim deri në 30 vite burg.
Ky lajm është publikuar: 04/08/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›