E Diel, 1 Nëntor 2026

Fuqive të mëdha u interesonte një Ballkan i përçarë

Autori i Lajmit: Androkli Dralo
Lothrop Stoddard, korrespondent i shërbimit të jashtëm të “Uashington Post”

Ballkan, 15 tetor 1934 – (vijon) ... Të gjithë të krishterët ortodoksë për shembull, kudo që mund të jenë dhe çfarëdo që të jenë nga pikëpamja racore, i quanin të gjithë “mileti i grekëve”. Ndërkohë, të krishterët katolik formuan një tjetër milet e kështu me radhë. Me kalimin e kohës, të krishterët i harruan pjesërisht dallimet e tyre gjuhësore dhe kulturore në lidhjet e përbashkëta të kishave të tyre respektive. Nga ana tjetër, disa të krishterë ballkanas ndryshuan fenë në islam dhe u pranuan me shpejtësi nga turqit si të barabartë me ta. Në fakt, shumica e myslimanëve të Ballkanit nuk janë me të vërtetë turq në gjak, por rrjedhin nga tradhtarët e krishterë. Prandaj, çdo pjesë e Ballkanit kishte elementin e saj vendas mysliman, i cili ndihej se ishte turk dhe e kishte harruar plotësisht origjinën e tij raciale. Në shumicën e vendeve minoriteti mysliman ishte i vogël, por në vende të veçanta, sidomos në Shqipëri dhe Bosnje, ata formonin një pjesë të madhe të popullsisë. Rezultatet e ndërlikuara të këtyre klasifikimeve fetare nuk kanë nevojë të theksohen. Kur Perandoria Otomane ra, ballkanasit e krishterë nisën të ëndërronin të flaknin tutje të shkuarën e tyre turke. Por këto përpjekje nuk u bashkuan dot kurrë për shkak se katolikët dhe ortodoksët nuk e donin njëri-tjetin vetëm pak më pak, sesa urrenin pushtuesin mysliman. Megjithtë, në fillim u duk sikur të gjithë të krishterët ortodoksë mund të punonin së bashku. Sidoqoftë, në kohën kur kontrolli i turqve në Ballkan po bëhej gjithnjë e më i pakët, duke bërë të mundshme dhe një kryengritje, idetë nacionaliste që vinin nga Evropa, u kujtonin popullit të Ballkanit të kujtonin të shkuarën e tyre raciale dhe kulturore dhe prandaj ta mendonin në mënyrë më pak të veçantë ndarjen në grupime të ndryshme fetare. Kështu, kur nisën revoltat e para të mëdha kundër sundimit turk pothuajse njëherësh rreth një shekull më parë në Greqi dhe Serbi, ato kishin karakteristika nacionaliste si edhe fetare. Dhe kur të dy këta popuj fituan lirinë e tyre, Greqia moderne dhe Serbia u shfaqën si dy shtete nacionaliste të veçanta. Në të vërtetë, me kalimin e kohës nacionalizmi më shumë sesa feja u bë kriteri velerësues i politikave të Ballkanit. Bullgarët, për shembull, sapo fituan pavarësinë e tyre nga turqit, refuzuan të qëndronin shpirtërisht pjesë e Patriarkatës Ortodokse Greke, duke ndërtuar vetë një kishë kombëtare. Në luftërat e fundit të Ballkanit, popujt e krishterë e kanë luftuar njëri-tjetrin me aq egërsi sa kanë luftuar gjithmonë edhe turqit. Ende, feja mbetet një faktor serioz që duhet llogaritur, ndoshta në vetvete jo kaq shumë, pasi ajo shërben si pikë për bashkimin me anë të së cilës mund të shprehen ndryshimet politike dhe kulturore. Kjo është veçanërisht e vërtetë në Jugosllavi. Serbët janë ortodoksë, kroatët dhe sllovenët janë katolikë dhe boshnjakët janë kryesisht myslimanë. Maqedonsit janë të prirur për t i qëndruar besnikë ortodoksisë bullgare, sesa degës serbe të ortodoksisë. Megjithatë, me përjashtim të myslimanëve të Bosnjes, të gjithë kanë ndërgjegje të përbashkët sllave, ndërkohë që edhe myslimanët boshnjakë ndajnë të njëjtën kulturë bazë dhe flasin të njëjtën gjuhë. Prapëseprapë, ndërthurja e gjurmëve të grindjeve të vjetra fetare, së bashku me rivalitetin e dikurshëm dhe të sotëm, bëjnë që jugosllavët të ndahen në fraksione, të cilat rrezikojnë bashkimin e tyre eksperimental kombëtar të sapothemeluar. Duket sikur është mallkimi i Ballkanit që popujt e tij priren gjithnjë të theksojnë dallimet mes tyre përkatëse, në vend që të shikojnë atë që kanë të përbashkët. Gadishulli i Ballkanit është me të vërtetë një mozaik i çuditshëm racash, besimesh dhe kulturash. Përveç jugosllavëve, bullgarëve dhe grekëve të analizuar ka dhe të tjerë elementë dallues. Në jug të Serbisë shtrihet vendi malor i Shqipërisë. Me sa duket, shqiptarët rrjedhin nga një fis i lashtë ballkanas dhe, pa dyshim, që e ndiejnë veten të ndryshëm nga çdokush tjetër. Sidoqoftë, edhe ata janë të ndarë nga përkatëisa fetare në myslimanë, ortodoksë dhe katolikë, ndërsa janë përçarë në klane që të kujtojnë malësitë skoceze dhe janë ndarë nga fenomeni i shëmtuar i gjakmarrjes. Në veri të Danubit, edhe pse llogariten si pjesë e Ballkanit, janë rumunët. Ata pretendojnë se rrjedhin nga legjionet trajane dhe krenohen me kulturën e tyre “latine”, megjithëse ka shumë pak gjak latin në ta. Mundet që të ngjashëm me rumunët të jenë një popullsi e çuditshme çobenjsh të njohur si kuco-vllehët, që edhe pse politikisht janë nën varësinë e Jugosllavisë dhe Greqisë, e konsiderojnë veten njerëz të ndryshëm. Kohët e fundit, minoritetet myslimane mbeten në shumë vende të vendosur në tokat që lanë pas turqit kur u tërhoqën nga Ballkani. Në Maqedoni koklavitja arrin kulmin. Atje i gjen të gjithë popujt e Ballkanit nga pak, të koklavitur me njëri-tjetrin. Një fshat mund të jetë bullgar, tjetri serb, një tjetër turk, shqiptar, vlleh, sipas rastit. Pastaj ka dhe nga ato raste ku gjen fshatra banorët e të cilëve flasin greqisht, por e ndiejnë veten bullgarë, ose flasin shqip dhe veten e ndiejnë grekë e kështu me radhë gjen lloj- lloj ndërthurjesh të çuditshme. Ndonjëherë këto dallime bëhen tmerrësisht serioze, pasi për shkak të tyre njerëzit do të luftonin, vdisnin dhe do të persekutonin njëri-tjetrin. Për sa kohë që të mbizotërojë kjo frymë, Ballkani do të qëndrojë një arenë mosmarrëveshjesh dhe kundërshtarët, i helmuar më tej nga intrigat e fuqive të jashtme të mëdha që kërkojnë të peshkojnë në ujërat e turbullta të këtij rajoni. “Lindja e Egër” e Evropës është ende shumë larg zbutjes.
Ky lajm është publikuar: 04/08/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›