E Shtunë, 31 Tetor 2026

Investim i dyfishtë në Dhërmi, për sheshin dhe Petro Markon

Autori i Lajmit: red.
Kryeministri Berisha, në vijim të vizitës së tij në fshatrat e bregut të Jonit, inaguroi dje sheshin “Petro Marko”, në qendër të fshatit Dhërmi. Investimi në këtë shesh kap shifrën prej 7 milionë lekë dhe përfshin shtrimin e 1150 metrave katrorë kalldrëme të qëndrueshme, sistemin e largimit të ujërave të shiut, ndriçimin e plotë të sheshit dhe të shkallëve që të çojnë në të, si dhe rikonstruksionin e 150 metrave katrorë të veshjes me pllaka të sheshit. Kreu i Qeverisë vlerësoi punën e bërë në ndërtimin e këtij sheshi, duke e konsideruar të rëndësishëm, jo vetëm për infrastrukturën e brendshme të Dhërmiut, por edhe me ndikim në potencialet turistike të këtij fshati. Duke u ndalur para shtëpisë së shkrimtarit të njohur Petro Marko, kryeministri theksoi që kjo shtëpi duhet të kthehet në shtëpi muze. “Petro Marko është një kapiten i vërtetë i letrave shqiptare. Por jo vetëm kaq. Ai ishte një burrë që e deshi lirinë dhe ishte i vendosur të bënte çdo sakrificë për të. Aq sa duhet të bënte një njeri për lirinë, Petro Marko e bëri gjatë gjithë jetës së tij. U gëzova kur mora vesh se Qarku e ka nderuar me titullin “Nderi i Qarkut”. Por në të vërtetë ai është nderi i kombit. Ndaj dhe Ministria e Kulturës do të marrë përsipër gjatë vitit që vjen të rindërtojë shtëpinë muze të tij, sikundër të hapë një konkurs për të derdhur në bronz bustin e shkrimtarit të madh, një nga burrat më të shquar të mendimit shqiptar dhe një luftëtar i paepur i lirisë që në vitet e rinisë. Gjersa vdiq pranoi shumë privacione, pranoi persekutimin, por nuk pranoi të dorëzonte dashurinë e tij për lirinë dhe dinjitetin njerëzor. Pas kryerjes së investimit të parë për sheshin e Dhërmiut, tani duhet të bëjmë investimin tjetër për të nderuar shkrimtarin e madh, duke e ngritur shtëpinë muze dhe për të vendosur bustin e tij, në mënyrë që të shprehim nderimin e madh ndaj tij. Por nga ana tjetër edhe të gjithë ata që vijnë në këtë zonë të njohin burrat e shquar që ka nxjerrë bregu dhe ndër ta, Petro Marko është ndër më të shquarit për mbarë shqiptarët”, tha berisha. Kryeministri shprehu vlerësimet edhe për një tjetër personalitet të kësaj zone, Spiro Çomorrën. “Spiro Çomorra ka qenë një intelektual me shpirt të pamposhtur, i cili ka lënë vendit ndër krijimet më të bukurua”, u shpreh kryeministri Berisha.
Ky lajm është publikuar: 04/08/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›