Lirohet gazetarja Etleva Skonja

(E plotësuar) Policia e Kosovës thotë se gazetarja e gazetës “Kosova Sot” me urdhër të prokurorit është shoqëruar në lokalet e stacionit policor për intervistim në lidhje me një rast incizim i paautorizuar.
“Gazetarja pas marrjes në pyetje është liruar me urdhër të prokurorit në procedurë të rregullt gjyqësore”, thotë për Indeksonline, Flora Ahmeti, zyrtare për informim në Policinë Rajonale të Prishtinës./Indeksonline/
-----
15:42 AGPK dënon arrestimin e gazetares
Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës (AGPK) ka pranuar me shqetësim lajmin për arrestimin e gazetares së gazetës “Kosova Sot”, Etleva Skonja, me urdhrin e prokurorit disiplinor Zef Prendrecaj. AGPK dënon ashpër veprimin abuzues të prokurorit dhe fyerjen e keqtrajtimin nga ana e Prendrecajt, i cili para se të jep urdhrin për arrestim, ka penguar gazetaren në ushtrimin e detyrës.
AGPK e konsideron këtë akt si shkelje të të drejtave themelore të njeriut, shkelje të lirisë së shtypit dhe demokracisë. Duke sjellë ndërmend se publiku ka të drejtë të informohet për tema dhe probleme që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e tyre, AGPK iu bën thirrje zyrtarëve të institucioneve për mosabuzim me pozitën zyrtare, transparencë dhe për sjellje konform ligjit.
AGPK kërkon që gazetarët të lihen të lirë në punën e tyre dhe të mos pengohen. Po ashtu, AGPK iu bën thirrje gazetarëve që të hulumtojnë tema në interes të publikut, pavarësisht presioneve dhe pengesave në të cilat mund të hasin gjatë punës së tyre.
------
15:34 Arrestohet gazetarja Etleva Skonja
Në zyrën e Prokurorit Disiplinor, sot në mëngjes me urdhër të prokurorit Zef Prendrecaj, i janë vënë prangat gazetares së gazetës "Kosova Sot", Etelva Skonja, derisa ajo kishte shkuar në zyrën e Prokurorit Disiplinor për të biseduar me z.Prendrecaj në lidhje me funksionimin e kësaj zyre dhe problemet që i trajton zyra që ai e udhëheq. Gazeta "Kosova Sot" duke dënuar ashpër këtë veprim skandaloz, kërkon nga ambasadat e vendeve të Kuintit të dënojnë këtë veprim abuziv të Zef Prendrecaj.
Gazeta "Kosova Sot", shpreh indinjatën e thellë ndaj veprimit skandaloz të prokurorit disiplinor Zef Prendrecaj, i cili ka urdhëruar prangosjen e gazetares sonë Etleva Skonja. Kjo ngjarje e rëndë ka ndodhur sot (e hënë) paradite, me 14 janar 2013. Gazetarja kishte shkuar në zyrën e Prokurorit Disiplinor për të biseduar me z.Prendrecaj në lidhje me funksionimin e kësaj zyre dhe problemet në sistemin prokurorial e gjyqësor të Kosovës. Por, në mënyrën më të ulët, Etleva Skonja është fyer e keqtrajtuar nga prokurori Zef Prendrecaj, i cili e ka penguar në ushtrimin e detyrës së gazetares dhe për më tepër, ka urdhëruar që t’i vendosen prangat. /Indeksonline/