E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia shqiptare 100 vjet shtet, merr "Urdhrin e Flamurit Kombëtar"

Policia e shtetit shqiptar feston sot 100 vjetorin e krijimit. E krijuar më 13 janar të vitit 1913, pak javë pas shpalljes së pavarësisë së vendit, Policia Shqiptare ka përshkruar një rrugë të gjatë, duke u përballur me sfida të mëdha, transformime rrënjësore në aspektin strukturor, organizativ, legjislativ e konceptual, për të ardhur në ditët e sotme si një strukturë e rëndësishme e shtetit, që aplikon filozofinë bashkëkohore të përkujdesjes në komunitet.

Të dielën për nder të këtij jubileu të madh u zhvilluan një sërë aktivitetesh, si dhe u mbajt një parakalim i trupave elitare të policisë, raporton Balkanweb.

Përpara nisjes së parakalimit në sheshin “Skënderbej”, presidenti Bujar Nishani dekoroi Policinë e Shtetit me “Urdhrin e Flamurit Kombëtar”.

“E ardhmja jonë është padyshim një e ardhme e sigurt dhe e ndritur në familjen evropiane. Ndaj në cilësinë e presidentit të Republikës, kërkoj që të rrisni standardet e shërbimit dhe aftësitë profesionale në mbrojtje të jetës dhe pronës qytetare, duke respektuar liritë dhe të drejtat e njeriut”, tha ndër të tjera Nishani, i cili në fjalën e tij shprehu nderimin edhe për policët e rënë në krye të detyrës.

Me nga një fjalë rasti për 100 vjetorin e policisë shqiptare pjesëmarrësve në parakalim iu drejtuan edhe kryeministri Sasli Berisha dhe ministri i Punëve të Brendshme Flamur Noka./Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›