E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbiemri "Kadria", beteja-show e radhës e bosëve të "Gjallicës"

• TIRANE - Mbiemri me të cilin njihet ish-bosja e "Gjallicës", është show-i mediatik i radhës, i çiftit Gani-Shemsie Kadria, pas përfundimit të punëve me drejtësinë për grabitjen e 300 milionë dollarëve me firmën piramidale në vitin 1996.Gani Kadria, 68 vjeç duket se nuk është mjaftuar me divorcin e pak ditëve më parë, me ish-bashkëshorten e vet Shemsien, por i revoltuar nga vendimi i gjykatës e ka apeluar atë duke pretenduar se ish-gruaja e tij nuk është e denjë të mbajë mbiemrin "Kadria", pasi e ka njollosur atë që në kohën kur ka nisur të mbledhë para me fajde nga qytetarët. Ndërkohë, Shemsia gjatë procesit ka pohuar nëpërmjet avokatit të saj se nuk preferon ta ndryshojë mbiemrin, të cilin ka rreth 35 vjet që e mban. Në vendimin e divorcit të çiftit që i grabiti shqiptarëve 300 milionë USD, gjykata u shpreh se vendoste t'i ndante dy bashkëshortët sipas kërkesës së Gani Kadrisë, ndërsa rrëzonte kërkesën e dytë të tij për detyrimin e të paditurës për të ndryshuar mbiemrin. Pikërisht rrëzimi i kësaj kërkese detyroi avokatin e paditësit të ankohej në Apelin e kryeqytetit, duke këmbëngulur në kërkesën e tij. Ankesa e tij është depozituar në sekretarinë e gjykatës, ndërsa pritet që seanca në shkallë të dytë të zhvillohet pas më tepër se një viti për shkak të ngarkesës së punës në këtë institucion.    fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›