E Diel, 1 Nëntor 2026

Liroi Xhakjan, gjykata: Ish-gjykatësi Neritan Tabaku i pafajshëm, s’ka vepër penale

TIRANË- Neritan Tabaku, ish-gjykatësi që akuzohej për shpërdorim detyre, pasi nuk zbardhi për afro dy vite vendimin për pafajësinë e Ilir Xhakjas, i njohur si i ‘forti i Durrësit’, shpallet i pafajshëm.

Kreu u trupit gjykues, Bujar Krasniqi argumentoi vendimin me faktin se vepra penale për të cilën akuzohet Tabaku nuk vërtetohet, ndërkohë që ka theksuar se moszbardhja e një vendimi gjyqësor nuk përbën vepër penale, por shkelje procedurale.

Prokuroria, kishte kërkuar 4 vite burg dhe pezullim 5- vjeçar nga çdo aktivitet publik dhe institucional, pasi e akuzonte Neritan Tabakun për shpërdorim detyre, pasi ka liruar nga burgu Ilir Xhakjen, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e kryekomisarit Adem Tahiraj. Neritan Tabaku nuk ishte në sallë kur u dha vendimi i formës së prerë, ndërkohë që nuk dihet nëse do ketë një apelim të vendimit.

Akuza
Neritan Tabaku, 43 vjeç, akuzohej nga prokuroria për shpërdorim detyre, pasi sipas organit të hetimit, nuk ka zbardhur në kohë dy vendime, sikurse parashikohet në ligj. Bëhet fjalë për një vendim ndaj Ilir Xhakjas, të cilin e kishte liruar nga akuza e vrasjes së Qerim Malokut në 1999. Pas lirimit Xhakja ekzekutoi kryekomisar Adem Tahirajn, krim që ndodhi në shtator të 2012-ës. Nga moszbardhja e vendimit për më shumë se një vit e tetë muaj nga ana e gjykatës, Tabaku u zbulua pas ekzekutimit të shefit të komisariatit të Shijakut. Nga hetimet rezultoi se gjykatësi Tabaku nuk kishte zbardhur as vendimin ndaj të pandehurit Jordan Findiku, i akuzuar për falsifikim. Në dosjen e prokurorisë thuhet se ‘Moszbardhja e vendimeve nga gjykatësi Neritan tabaku, ka cenuar interesat e prokurorisë, pasi nuk kanë mundur të apelojnë në kohë çështjet ndaj të pandehurve”.
(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›