Lisandër Kola, fitues i çmimit për tregimtarët e rinj më të mirë
Kanë kaluar disa muaj nga shpallja e konkursit për tregimtarët e rinj më të mirë të shpallur nga Shoqata "Robert Schwartz" dhe fituesit u shpallën dje. Pas prezantimit të antologjisë "Shqipëria kujton. 1944-1991", në sallën gjermane në Bibliotekën e Vjetër Kombëtare, u ndanë çmimet.
Lisandër Kola është fitues i çmimit të parë për tregimin Në të gdhirë" dhe fragmentin e romanit Saga e pasdites sime" për "mënyrën e shpenguar të të shkruarit, situatat e papritura, ironinë e hollë dhe humorin burlesk, mbështetjen mbi mitologji të lashta e të reja, fjalorin e pasur, frymën e kohës."
Çmimin dytë e mori Alket Xhakollari për tregimin Banorët e pallatit tim". Sipas motivacionit të jurisë e përbërë nga Ardian Vehbiu, Ardian Klosi dhe Elsa Demo "Alketi sjell një situatë qytetare krejt aktuale, tipin e sotëm të zaptuesit që nuk përfill askënd rreth e përqark mjaft që të kënaqen lakmitë e tij materiale. E gjitha është endur me mjeshtëri rrëfimi nëpër thurimën e ironisë së hidhur".
U dhanë dy çmime të treta. Njëri për Jonila Godolen për tregimet Gjyqi i fundit", Muri" dhe Torso" ku dallon "për gjuhën e përpunuar, për subjektet e menduara mirë, për kulturën letrare dhe rrjedhshmërinë e rrëfimit. Tenton pa ngurrim edhe rrëfimin realist edhe metaforat surreale."
Dhe Doreida Kafexhiu (Gedaj) për tregimin Përgjithmonë... grua" e cila "me ndjeshmëri të hollë, me një teknikë shumë të mirë në riprodhimin e dialogut të brendshëm, arrin në një faqe e gjysmë të na japë botën e një gruaje të kapur në krizën e marrëdhënies së dashurisë dhe falsitetin e mjedisit."
Në konkurs pati prurje nga rreth 30 autorë, ndër të cilët përmenden edhe Elton Shanaj, Arlinda Guma, Dritan Mesuli, Luan Laze, Shkëlqim Çela etj.
Shoqata kulturore gjermano-shqiptare Robert Schëartz" i ftoi gjithë autorët shqiptarë të prozës për të dërguar një krijim të tyrin të pabotuar, me qëllim nxitjen e tregimtarëve të rinj dhe kësaj gjinie të vështirë të prozës. Fituesit do të prezantohen në një botim të veçantë të letërsisë shqipe të pasnëntëdhjetës.