Plagoset Bakalli, i dyshuar disa herë për grabitje
TIRANE- Plagoset në rrethana ende të panjohura, Sulejman Bakalli, i njohur për policinë e kryeqytetit në disa raste për grabitje me armë. Ngjarja mësohet se ka ndodhur mbrëmjen e të mërkurës në rrugën e "Barrikadave", në kryeqytet, kur ai ka qenë në shoqërinë e disa personave, ndërsa ka marrë një plagë të lehtë në këmbë.
Menjëherë është dërguar në qendrën spitalore "Nënë Tereza", për të marrë mjekimin e nevojshëm. Sipas burimeve të policisë, Bakalli është qëlluar së paku pesë herë me armë zjarri, por në drejtim të këmbëve dhe ka marrë vetëm një plagë të lehtë dhe fatmirësisht për të nuk ka pasur plagë serioze.
Plagosja e Bakallit, është bërë e ditur nga burime zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Tiranës të cilët pohuan se Bakalli, ka qenë në një lokal kur pas një grindjeje është qëlluar me armë zjarri. Ndërkaq policia ka mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes duke shoqëruar personat të cilët ndodheshin në shoqërinë e Bakallit, për të sqaruar rrethanat e krimit.
Në vendin e ngjarjes ekspertët kriminalistë kanë administruar disa gëzhoja të një arme zjarri, të cilat më pas janë dërguar për ekzaminim në laboratorin kriminalistik. Ndërkaq vetë i plagosuri, gjatë komunikimit të tij me oficerët e zyrës së hetimit të vrasjeve, ka pohuar se nuk e ka njohur personin që e ka qëlluar dhe se nuk ka pasur konflikte.
Bakalli, është akuzuar nga organet e prokurorisë dhe të policisë disa herë për grabitje me armë dhe për grabitje në bashkëpunim. Ndër këto grabitje bie në sy vjedhja me armë e një sasie prej rreth 200 milionë lekësh të reja. Në muajin qershor të vitit 2008, ai u ndalua nga policia si i dyshuar për grabitjen me armë të degës së një banke pranë "Zogut të Zi", në kryeqytet.