E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza politike në vend, debat në PE

E majta në Parlamentin Europian: "Opozita ka arsyet e veta që qëndron jashtë"


BRUKSEL- E majta dhe e djathta në Parlamentin Evropian janë përfshirë në debate të ashpra më njëra - tjetrën, lidhur me qëndrimin e opozitës ndaj Kuvendit. Eurodeputetja e Parlamentit Evropian, Doris Pack, theksoi se Progres - Raporti i paraqitur nga Komisioni Evropian duhet të kishte përmendur edhe bojkotin e opozitës.


Ajo vuri në dukje se, do të kërkojë që bojkoti të futet në një amendament të rezolutës së Parlamentit Evropian mbi Strategjinë e Zgjerimit, pasi, sipas saj, Evropa duhet të pozicionohet qartë ndaj qëndrimit që po mban opozita parlamentare në Shqipëri.


Sipas Doris Pack, opozita e ka vendin në Parlament dhe jo rrugëve. "Nuk përmendet fare që opozita ka bojkotuar Parlamentin. Në amendament do t'i kërkoj t'i bëhet thirrje opozitës të mos rrijë rrugëve. Duhet t'i themi dhe të pozicionohemi qartë që opozita t'i kthehet Parlamentit në Shqipëri", - u shpreh Pack.


Ndërkaq nga ana tjetër ka reaguar edhe përfaqësuesi i grupit të Aleancës së Progresistëve Socialistë dhe Demokratë në Parlamentin Evropian, Kristian Vigenin. Ai nënvizoi se duhet marrë parasysh fakti se pse opozita shqiptare po qëndron jashtë Parlamentit.


Sipas tij, opozita ka arsyet e veta që qëndron jashtë institucionit, duke shtuar se nuk duhen mbyllur sytë përballë situatës, që është krijuar në Shqipëri dhe duhet parë se atje realisht ka një problem serioz që opozita është jashtë Parlamentit.


"Sigurisht ne mund t'u bëjmë apel, por duhet të marrim në konsideratë faktin se nëse ata janë jashtë, mbase kanë arsyet e tyre, ndoshta situata nuk është kaq e thjeshtë, ndaj duhet ta përmendim këtë e të shohim më nga afër situatën atje.


Nuk mendoj se opozita e një vendi që dëshiron anëtarësimin në Bashkimin Evropian duhet të qëndrojë jashtë Parlamentit, por ne anën tjetër ne nuk duhet t'i mbyllim sytë që të mos shohim se ka vërtet një problem atje", - theksoi Vigenin.


Me gjithë debatet dhe kundërshtitë për qëndrimin, që po mban opozita në Shqipëri, të dy kahet e politikës në Parlamentin Evropian, theksuan domosdoshmërinë e zgjidhjes së krizës politike, që është krijuar në Shqipëri pas zgjedhjeve të 28 Qershorit.


AKEP, qeveria propozon anëtarë të rinj


TIRANË- Ndryshon sërish përbërja e Entit Rregullator të Telekomunikacioneve. Organi më i lartë rregullator i telekomunikacioneve së shpejti pritet të ketë një përbërje të re pas propozimeve të fundit, që kanë mbërritur në Kuvend nga qeveria.


Në mbledhjen e fundit te qeverisë mësohet se janë shkarkuar anëtarët aktuale të AKEP-it, ndërkohe që lista e re e propozimeve përfshi edhe kryetarin pritet që të kalojë në Kuvend për votim. Burime nga qeveria deklaruan dje për gazetën se kryetari aktual Ilir Shehu do të zëvendësohet me Piro Xhixhën.


Ndërsa ndër kandidaturat për anëtarë janë Benon Paloka, Sokol Leka dhe, Alketa Mukavelati. Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare nxit zhvillimin e sektorit të telekomunikacioneve, duke zbatuar procedurat e licencimit, në përputhje me dispozitat, që parashikon ligji.


Ky autoritet ndër të tjera jep liçensa dhe mbikëqyr respektimin e kushteve te liçensave, rregullon interkoneksionin e rrjeteve të telekomunikacioneve, kontrollon cilësinë e shërbimeve të ofruara nga operatorët dhe kërkon që ato të përputhen me standardet e caktuara, kujdeset që konkurrenca ndërmjet operatorëve të telekomunikacioneve të mbështetet në parimet e transparencës, të mos-diskriminimit dhe të ndershmërisë si dhe harton dhe miraton kushtet dhe standardet teknike për rrjetet e telekomunikacioneve, në përputhje me rekomandimet ndërkombëtare.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›