E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lista “Han”, një miks shkollash dhe përvojash

Nga Beqaj te Salihi, lista është prestigjioze. Të paktën këta janë në syrin e ish-lojtarit të Ajaksit edhe më të mirët e mundshëm e shkollës së futbollit shqiptar, por dhe atyre të përgatitur në klubet profesioniste të kampionateve të ndryshme europiane. Tekniku holandez e përsëriti më shumë se njëherë se testimi do t'i shërbejë për të verifikuar gjendjen e lojtarëve përpara se Kombëtarja jonë të ndeshet me Suedinë në shtator të këtij viti.
PORTA
Arjan Beqaj, i porsashpallur kampion në Qipro me Anorthosis Famgusta (njëherësh edhe portieri më i mirë në ishull), formon dyshen me Isli Hidin, që ka fituar një vend titullari në Ukrainë me Krivbasin. Beqaj, i mohuar nga Brigeli dhe i vlerësuar nga Baric, beson se do ta bindë Hanin për vlerat e tij.
MBROJTJA
Në prapavijë, dy mbrojtësit me tipare mesfushorësh Armend Dallku e Debatik Curri (të dy të Vorskla Poltava), do të formojnë murin mbrojtës së bashku me Kristi Vangjelin (Aris Selanik) e Ansi Agollin (Vaasan, në Finlandë). Në mbrojtje janë dhe dhe të rinj premtues, kapiteni i Besës, Andli Lila e Vrapi i Turanës.
MESFUSHA
Përbën edhe ajkën e kombëtares sonë. Një emër si Lorik Cana, kapiten i Marsejës në Francë dhe i kërkuar nga Reali i Madridit e Roma, është një garanci. Ervin Skela në superformë me Energi Kotbusin do të jetë një plotësues i mirë i rombit të mesfushës, pasi aty luajnë edhe Altin Lala (63 ndeshje) e Klodian Duro. Kuartetin e veteranëve e plotësojnë Bulku (Ukrainë), Dhembi, Shkëmbi, Bakaj (të tre të Partizanit) dhe Lika i Vllaznisë.
SULMI
Emri më sugjestionues vazhdon të mbetet Erion Bogdani, pavarësisht se Hamdi Salihi është "rekordmeni" sezonal përsa i përket legjionarëve, me 14 gola në kampionat e Kupën UEFA me skuadrën e tij austriake, SV Ried. Bogdani (8 gola në total me përfaqësuesen) ashtu si dhe Kapllani (5 gola në eliminatoret Euro 2008) kanë shënuar gjatë këtij sezoni vetëm nga një gol për Livornon në Itali e Karlsruhen në Gjermani. Fantazisti Bylykbashi dhe magjistari i ri, Jahmir Hyka plotësojnë vijën e parë të sulmit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›