Lista, PD: Rama po i bën të gjallët të vdekur
Zëdhënësja e fushatës elektorale të PD-së, Majlinda Bregu, akuzoi dje kreun e PS-së, Edi Rama, se e quajti të vdekur shtetasen Shqype Hasibra, e cila sipas saj është 58 vjeçe dhe jeton në Shkallnur të Durrësit. “Ndryshe nga cinizmi që Edi Rama përdor në spotin e tij anti kartave të identitetit, Shqype Hasibra jeton, gëzon shëndet të plotë dhe dëgjon mjaft mirë nga veshët, pa pasur nevojë t’i flasim me zë shumë, shumë, shumë të lartë. Sepse është akoma në këtë botë dhe jo në atë të përtejmen, ku donte ta çonte Edi Rama, që për interesat e tij politike luan me jetën e njerëzve. Të gjallët i bën të vdekur apo ndonjë qoftëlarg të vdekur, kërkon ta ringjallë”, tha Bregu. Qëndrimi i PD-së vjen pasi selia rozë nxori nga lista e votuesve një shtetase të quajtur Shqype Hasibra, e cila ishte 159 vjeçe.